Arbëri

Prindërit kërkojnë masa urgjente për parandalimin e dhunës në shkolla

Një raport i nxjerrë nga Avokati i Popullit tregon se 77 për qind e nxënësve nga klasa e 6 deri në të 9-n kanë përjetuar një formë dhune në shkolla. Përfaqësues të Këshillit të Prindërve kërkuan masa urgjente për parandalimin dhe adresimin e këtij fenomeni, e psikologët paralajmëruan për pasojat afatgjata që dhuna i shkakton te fëmijët

Nga 12 mijë nxënës të anketuar nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, 77 për qind kanë raportuar se gjatë vitit 2024 janë përballur me ndonjë lloje të dhunës, thotë një raport i Avokatit të Popullit, i publikuar këtë vit.

Në raport theksohet se 61 për qind e të anketuarve kanë treguar se janë përballur me dhunë verbale, 66 për qind me dhunë psikologjike, 9.4 për qind me dhunë seksuale dhe 45 për qind me dhunë fizike.

Këto shifra janë shqetësuese për nënkryetaren e Këshillit të Prindërve, Linda Dula-Halilabazi.

Ajo bën thirrje që ky fenomen të trajtohet me urgjencë.

“Mostrajtimi i fenomenit bën që ai të rritet. Në këtë rast, dhuna në shkolla, qoftë mes nxënësve apo nga mësimdhënësit, kështu që menjëherë duhet të intervenohet që të punohet si në programin mësimor, në kurrikulë për shtimin e orëve edukative, orëve plotësuese më fëmijët, takime më të shpeshta me psikologun e shkollës, takime më të shpeshta me prindër. Po ashtu, Këshilli i Prindërve u bën thirrje edhe prindërve të cilët kanë fëmijë nëpër shkolla, që të punojnë me fëmijët e tyre, sepse edukata vjen fillimisht nga familja”, ka thënë ajo.

E, drejtori i shkollës “Emin Duraku”, Visar Osmani, ka thënë se ndonëse në shkollën që ai e drejton nuk ka pasur raste të dhunës, kohë pas kohe ka mosmarrëveshje mes nxënësve, që burimin e kanë te rrjetet sociale.

“Problemet i kemi prerë me kohë. Nuk kemi lejuar që problemi të merr kahje tjetër dhe të dalë prej shkolle që fëmijët të ngucën në rrugë. Nuk flitet për dhunë fizike, por ka pasur mosmarrëveshje, sidomos burimi vjen prej rrjeteve sociale ku fëmijët aty kanë komunikim dhe ngacmohen dhe pastaj kur vijnë nga rruga në shkollë mundohen me i zgjidhë ato mosmarrëveshje në shkollë”, ka thënë ai.

E, psikologu Rron Kastrati, rezultatin e nxjerrë nga Avokati i Popullit, e ka konsideruar alarmant për shoqërinë, duke e shpjeguar ndikimin negativ të dhunës te nxënësit.

“Dhuna çfarë shkakton? Probleme të stresit posttraumatik, probleme të anksiozitetit apo episodeve anksioze. Episode të natyrës depresive apo çrregullime të humorit. Dëmton cilësinë e gjumit, pra ndryshon rutinën ditore te një fëmijë që pastaj nuk i përshtatet dot rrethit dhe mjedisit. E ka shumë të vështirë të adaptohet me rrethanat aktuale. Dhe të gjitha këto probleme emocionale çfarë i caktojnë një fëmije. Dëme të mëdha kognitive dhe fëmija mund të hasë në probleme të theksuara në zhvillimin e personalitetit”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2024 janë regjistruar gjithsej 287 raste të dhunës në shkolla apo në afërsi të shkollës.

Ndërsa në vitin 2025, deri në këtë periudhë, policia i ka evidentuar 183 raste.

Të dhënat tregojnë se me numrin më të madh të rasteve prin rajoni i Prishtinës, pasuar nga Prizreni, Peja dhe Ferizaj.