Arbëri

Prokuroria për shtatë të arrestuarit për korrupsion: I shkaktuan dëm të rëndë financiar shtetit

Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale ka kërkuar masë paraburgimi për shtatë të arrestuarit nën dyshimin për korrupsion, ndërsa në Gjykatën Themelore seanca për caktimin e masës ndaj tyre është duke u mbajtur të shtunën. 

Në kërkesën për masën e paraburgimit, e siguruar nga KOHA, thuhet se të dyshuarit me vetëdije kanë shkelur ligjin duke cenuar sigurinë juridike të qytetarëve dhe duke i shkaktuar dëm “posaçërisht të rëndë financiar dhe institucional ndaj shtetit të Kosovës, si dhe përfitime të kundërligjshme për vete”.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit synonin përfitime të kundërligjshme nga kompensimet për pronat e shpronësuara, duke shkelur ligjet për shpronësim dhe duke realizuar propozim-ankesa të vonuara ligjërisht.

Sipas Prokurorisë, dëmi vetëm në rastin e fundit që i është shkaktuar shtetit është mbi 220 mijë euro, ndërsa dëmi në tërësi dyshohet se arrin vlerë milionëshe. 

“Të pandehurit M. D., J. M, F. I., B. D., S. T., N. K. dhe G. Ll., duke vepruar në bashkëkryerje, përgjatë periudhës kohore nga data 20.02.2023, në vazhdimësi deri më date 18.12.2025, kanë ndërmarrë veprime të qëllimshme me qëllim përfitimi të kundërligjshëm personal, në atë formë që e pandehura M. D. parashtron propozim-ankesë në emër të të pandehurit - propozuesit F. I., në kundërshtim me nenin 36 par. 3, lidhur me par. 1 te LSHPP-st, apo pasi që e kishin lëshuar afatin për më shumë se 8 vite, dhe, përkundër kësaj, gjyqtari pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë - Dega Graçanicë, J. M., si dhe kundërpropozuesi Qeveria e Kosovës, e përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore, nuk e kundërshtuan këtë rrethanë, por u kujdesën që këtë rast, sikurse shumë raste të tjera në të kaluarën, ta përmbyllin me Ujdi Gjyqësore me date 31.10.2025, si rrjedhojë e së cilës, me datë 09.12.2025, thesari i shtetit në llogarinë e të pandehurës M. D. ekzekutoi pagesën prej 220,000.00 euro, nga e cila shumë e njëjta, përmes dy transfereve, ia transferon te pandehurit F. I. shumën prej 210,000.00 euro, i cili më pas mjetet e tërhequra ia dorëzon të pandehurit B. D., ku ky i fundit pastaj i shpërndan në shumat si vijon; 4,000.00 euro te J.  M., 5,900.00 euro te Sh. T., 9,500.00 euro te G. Ll., 9,000.00 euro te N. K. dhe 7,000.00 euro te R. K." thuhet në dokumentet e Prokurorisë.

Ndaj tyre ngarkojnë veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Ushtrimi i ndikimit”, “Deklarimet e rreme”.

Të dyshuarit ishin arrestuar më 18 dhjetor në një aksion të Policisë me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, me urdhër të Prokurorisë Speciale.