Është gjetur formula për ta kapërcyer krizën financiare në RTK, e shkaktuar nga mosalokimi i buxhetit për pjesën e dytë të vitit. Qeveria ka aprovuar në parim kërkesën e transmetuesit publik për hua, në vlerë 2 milionë e 540 mijë euro
Qeveria në detyrë ka aprovuar kërkesën e Radio Televizionit të Kosovës për hua, për t’i paguar rreth 700 punëtorë që nuk i kanë marrë pagat e muajit të shkuar, meqë nuk i është alokuar buxheti shkaku i krizës në Kuvend.
Në një mbledhje elektronike, Qeveria miratuar në parim të premten kërkesën për huamarrje deri në 2 milionë e 540 euro, për qëllime të likuiditetit të transmetuesit publik.
Paraprakisht, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, ka njoftuar se është gjetur një modalitet i ligjshëm që siguron zgjidhje, derisa Kuvendi të konstituohet.
“Për shkak të pamundësisë për të komunikuar drejtpërdrejt me themeluesin tonë, Kuvendin e Kosovës, ne iu kemi drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës, me të cilën kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë për tejkalimin e gjendjes. Gjatë kësaj periudhe janë shqyrtuar alternativa të shumta, derisa kemi arritur bashkërisht te një modalitet i ligjshëm që mundëson ndihmën e Qeverisë për RTK-në deri në konstituimin e Kuvendit”, ka thënë Hundozi. “Kërkesa jonë zyrtare për kredi është dorëzuar në Ministrinë e Financave dhe ajo po trajtohet me prioritet. Presim që shumë shpejt ajo të realizohet, në mënyrë që ne të vazhdojmë normalisht punën tonë”.
Kundër kësaj zgjidhjeje është deklaruar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
“Qeveria” po refuzon t’ia alokojë RTK-së mjetet buxhetore të garantuara me Ligjin e Buxhetit! Në vend të kësaj, po u ofron “hua”, pra paratë që RTK-ja i ka të vetat ligjërisht, “Qeveria” po ua jep si borxh dhe pastaj do t’ua ndalë po nga ky buxhet”, u shpreh Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, nuk ka folur për kredinë. Por është kundërpërgjigjur në akuzat e oponentëve.
“Buxheti i RTK-së alokohet sipas vendimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere. Kështu e thotë ligji i buxhetit. Thesari vetëm bën ekzekutimin, sipas vendimit të Komisionit parlamentar. Komisioni për Buxhet që do të duhej me i nda mjetet, nuk ekziston aktualisht sepse partitë opozitare po e mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit duke mos marrë pjesë në votim tash e disa muaj”, ka shkruar ai në Facebook. “Të njëjtit që po e mbajnë Kuvendin të bllokuar duke mos votuar, tani po mundohen që mungesën e alokimit të buxhetit të RTK-së t’ia faturojnë Qeverisë”.
Sipas Muratit, “po të mos e kishin bllokuar opozita konstituimin e Kuvendit”, çështja e buxhetit të RTK-së nuk do të ishte temë, meqë ka theksuar se buxheti alokohet me automatizëm, sapo të ketë vendim nga Komisioni parlamentar për Buxhet.
“Bllokuesit e Kuvendit, tani po na tregojnë qysh ata e kanë shkelur ligjin duke miratuar në Qeveri alokimin e buxhetit për RTK për 3 muaj në vitin 2021, dhe po kërkojnë që edhe Qeveria jonë të bëjë të njëjtën shkelje. Në fakt, pikërisht për të evituar një situatë të tillë Komisioni për Buxhet nën kryesimin e deputetit Armend Muja kishte miratuar qysh në dhjetor të vitit të kaluar pagesën e këstit, jo për 3 muaj siç bëhet zakonsiht, por për 6 muaj (janar-qershor 2025). Kjo ishte bërë duke llogaritur në ndonjë vonesë eventuale deri në formimin e institucioneve pas muajit mars”, ka shkruar ai. “Por askush se ka menduar që PDK, LDK, dhe AAK do ta mbajnë të bllokuar kuvendin për kaq gjatë, vetëm e vetëm se janë kundër që Albulena Haxhiu të zgjidhet Kryetare e Kuvendit”.
E, përfaqësues sindikalë të punëtorëve të RTK-së paralajmëruan protesta të pandërprera, nëse pagat nuk ekzekutohen brenda pak ditësh.
“Nëse deri nesër nuk bëhet ekzekutimi i pagave për të gjithë punëtorët e RTK-së, nga fillimi i javës së ardhshme do të fillojmë me protesta të pandërprera në RTK, pa dallim sektori apo pozicioni pune”, ka njoftuar Sindikata e punëtorëve të RTK-së.
Meqë Kosova nuk ka Kuvend funksional, RTK-së nuk i është alokuar buxheti për pjesën e dytë të vitit. Bazuar në ligj, alokimi bëhet nga Thesari, sipas vendimit të Komisionit parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere.