Arbëri

Rama: Në takimin e Nanos me Millosheviqin nuk pati asgjë prej tradhtari

Takimi i vitit 1997 - Fatos Nano & Sllobodan Millosheviq

Takimi i vitit 1997 - Fatos Nano & Sllobodan Millosheviq

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën gjatë homazheve për ish-kryetarin e Partisë Socialiste dhe ish-kryeministrin Fatos Nano, mbrojti kontributin e tij patriotik dhe historik.  

Nano vdiq dy ditë më parë në moshën 73-vjeçare.

Rama u shpreh se disa kritika ndaj Nanos pas vdekjes, përfshirë takimin me Sllobodan Millosheviqin në një aktivitet ndërkombëtar në Selanik, nuk e cenojnë rolin e tij në historinë e Shqipërisë dhe çlirimin e Kosovës.

“Ndaj ata që e nderuan me fjalë të mëdha kryetarin pas vdekjes, ishin ata që e ngritën dhe e ulën tradhtar pse takoi Sllobodan Millosheviqin gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në Selanik dhe për plot të tjera që nuk ia vlen t’i kujtojmë. E kam dëgjuar bisedën e tij me kasapin e Beogradit dhe nuk e kam idenë nëse Fatosi e ka lënë diku me shkrim, jo vetëm që në atë bisedë nuk ka asgjë prej tradhtari, por kur një ditë të dalin si duhet në dritë fjalët në atë takim si dhe takimet, bisedat dhe bashkëpunimet e Fatos Nanos me patriotat e Lëvizjes Kombëtare për Liri dhe të Drejtën e shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni, askush nuk do ta vërë në dyshim kontributin patriotik të kryetarit themelues të partisë sonë për çlirimin e Kosovës dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, dhe kjo e rendit Nanon në rreshtat e nderit të historisë të Shqipërisë”, ka thënë Rama.

Ai theksoi rolin e Nanos në bashkimin e socialistëve me botën demokratike pas rënies së Partisë së Punës, duke e renditur atë ndër figurat më të nderuara të historisë moderne të Shqipërisë.

Nano, i cili sapo atëherë kishte marrë pushtetin me Partinë Socialiste dhe ishte zgjedhur kryeministër i Shqipërisë, u takua me kriminelin Sllobodan Millosheviq në një samit ndërkombëtar në Selanik në nëntor 1997 – në kohën kur gjendja në Kosova sa vjen e tensionohej.

Raportet e shtypit nga Kreta atë kohë thonë se Nano u takua me Millosheviqin, pavarësisht protestave nga kosovarët dhe apelit të Sali Berishës se Nano nuk duhej ta bënte këtë pa praninë e një përfaqësuesi nga Kosova. U raportua se Millosheviqi ra dakord në diskutim t’u jepte kosovarëve të drejtat themelore civile, në këmbim të të cilave Nano pranoi që çështja e Kosovës është çështje e brendshme e Serbisë.

Në homazhet për Nanon ishte prezent edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Lexo përditësimet tjera
Shqipëria në zi kombëtare për nder të Fatos Nanos

Shqipëria në zi kombëtare për nder të Fatos Nanos

Shqipëria sot (e diel) është në zi kombëtare në nderim të Fatos Nano, ish-kryeministër dhe një...