Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rugova: Gazetaria e Kosovës ka qenë larg më e mira në rajon

Bardh Rugova

Akademiku Bardh Rugova ka vlerësuar zhvillimin e gazetarisë në Kosovë, duke thënë se mediat këtu kanë ndërtuar një traditë të gazetarisë me përgjegjësi sociale dhe kanë qenë shembull në rajon.

Duke folur për zhvillimin e mediave në Kosovë dhe Shqipëri, Rugova theksoi se të dyja vendet kanë kaluar në periudha të ndryshme nga gazetaria e kontrolluar në atë të lirë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Shqipëria dhe Kosova kanë trashëguar në faza të ndryshme kalimin nga një gazetari e periudhës totalitare në ato të lira”, ka thënë ai.

Sipas Rugovës, mediumi i KOHËS ka luajtur rol të rëndësishëm në këtë proces që nga themelimi i tij. Ai theksoi se për një periudhë të gjatë gazetaria në Kosovë ka qenë në nivel më të lartë sesa në vendet e tjera të rajonit.

“Mediumi i KOHËS kur është hapë ka filluar me përgjegjësi sociale. Nuk është vetëm çka mendojmë, por hajde të kërkojmë të vërteta përtej asaj që është mendimi ynë. Në atë kohë jam mburrë me gazetarinë e Kosovës, mendoj se ka qenë më e mira në rajon, larg më e mira. Nuk mund të krahasohet me gazetarinë në Shqipëri, Maqedoni, as vende të tjera, larg më e mira”, u shpreh Rugova.

Duke krahasuar zhvillimin mediatik në Shqipëri me atë në Kosovë, ai theksoi se mediat shqiptare kishin më shumë resurse financiare dhe infrastrukturë më moderne, por kritikoi përmbajtjen e një pjese të programeve televizive.

“Shqipëria kishte televizione që kishin më shumë para, studio më të bukura dhe spektaklet që e quajta ‘porn i paedukatës’”, ka potencuar Rugova.


Rugova për debatin publik: Po e zëvendësojmë kërkimin e së vërtetës me spektakël

Akademiku Bardh Rugova ka thënë se debati publik në Kosovë shpesh zëvendësohet nga kërkimi i së vërtetës te spektakli dhe zhurma mediatike.

Duke folur për fenomenin e debateve të zhurmshme publike, Rugova ka thënë se shoqëria po i kushton gjithnjë e më shumë rëndësi përplasjeve dhe konflikteve, në vend të analizës së fakteve dhe thelbit të çështjeve.

“Ne e zëvendësojmë kërkimin e së vërtetës me një spektakël dhe në një shoqëri të spektaklit kërkohet kjo, a do të zihen mes veti, a do të rrihen në studio dy njerëz, a do të shahen. Kjo prodhon spektakël. Spektakli nuk ka esencë, është vetvetja”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.

Sipas Rugovës, shpesh pas krijimit të zhurmës publike qëndrojnë interesa të caktuara, të cilat synojnë ta largojnë vëmendjen nga problemet reale ose nga skandalet që mund të kenë ndodhur.

Ai ka theksuar se në vend të analizimit të proceseve dhe gjetjes së së vërtetës, fokusi zhvendoset te përplasjet verbale dhe te pyetja se kush e fitoi debatin.

“Kështu humbet esenca e problemit. Në vend se të gjendet e vërteta dhe të analizohet procesi, shohim vetëm nëse dikush e mundi tjetrin me fjalë”, ka deklaruar Rugova.

Akademiku ka shtuar se ky fenomen që ndodh në Kosovë lidhet me faktorë të ndryshëm shoqërorë, përfshirë edhe sistemin e arsimit, duke e cilësuar si një nga problemet me të cilat përballet shoqëria.