Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Arie të lirisë” me zërin që jehon në galaktikën e muzikës operistike

Arta Jashari - koncerti "Arie di Liberta"

Koncerti “Arie di Libertà” ka qenë si dialog midis traditës italiane dhe asaj shqiptare. Sopranoja Arta Jashari shoqëruar në piano nga Mirco Roverelli me program të gjerë e sfidues që ka dëshmuar jo vetëm aftësitë e saj vokale, por edhe pjekurinë interpretative të artistes e cila secilën vepër e ka ndërtuar si rrëfim skenik (Foto: Arben Llapashtica)

Koncerti i sopranos Arta Jashari në bashkëpunim me pianistin Mirco Rovarellit, ka ngjarë si një udhëtim i lirë nëpër kryevepra të muzikës operistike italiane dhe perla të muzikës shqipe. Por në “prapaskenë” është një rrugëtim i gjatë e plot përkushtim. “Arie di Libertà” ka qenë titulli i koncertit i cili në takimin me skenografi – me një lloj qielli yjesh në sfond – ka dhënë ndjesinë e një udhëtimi në galaktikën e muzikës operistike

Nga romancat italiane të shekullit të 19-të e deri te kënga qytetare shqiptare, sopranoja Arta Jashari ka ndërtuar një mbrëmje që ka lëvizur midis elegancës së operës dhe ngrohtësisë. Ka sjellë koncertin “Arie di Libertà” (Arie të lirisë) në bashkëpunim me pianistin e dirigjentin italian Mirco Roverelli me program të gjerë e sfidues që ka dëshmuar jo vetëm aftësitë e saj vokale, por edhe pjekurinë interpretative të artistes e cila secilën vepër e ka ndërtuar si rrëfim skenik. 

Mbrëmja ka nisur me perla të repertorit italian si “A Vucchella”, “Sogno”, “Marechiare” të Paolo Tostit, për të vazhduar me “Non Ti Scordar Di Me” të Ernesto De Curtis dhe “Musica Proibita” të Stanislao Gastaldon. Programi ka kaluar më pas në atmosferat lirike të Bellinit me “Malinconia”, ndërsa publiku ka pasur rastin të dëgjojë edhe “Intermezzo” nga opera “Cavalleria Rusticana” e Pietro Mascagnit, interpretuar solo në piano nga Roverelli.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pjesa tjetër e koncertit është karakterizuar nga arie të njohura operistike si “Vissi d’arte” nga opera “Tosca”, “Senza mamma” nga “Suor Angelica”, “Tu, tu piccolo Iddio!” nga “Madama Butterfly” dhe “La Tregenda” nga opera “Le Villi”, të gjitha këto nga Giacomo Puccini.  Janë vepra që kërkojnë vokal të konsoliduar, kontroll, thellësi emocionale e aftësi aktrimi. Këto elemente Jashari i ka vënë në funksion të interpretimit.

“Kërkojnë shumë përkushtim e punë. Janë arie shumë të vështira të cilat janë role të mëdha dhe që duan vite të punohen. Aria ‘Senza mamma’ ishte ideja e maestro Roverellit që të punohet sepse ishte ideja që të jenë arie që përshtaten me vokalin tim pasi tashmë e njeh më mirë se kushdo tjetër. Të gjitha kanë tema që duhet të aktrohen dhe në këtë mënyrë unë u mundova t’ia sjell publikut atë që edhe kam studiuar realisht që roli të vihet në skenë. Jam e lumtur që efekti ka arritur të shkojë te publiku”, ka thënë sopranoja Jashari. 

Ka treguar se kontaktet me maestro Roverellit ishin si rrjedhojë e vizitës së saj në Itali një vit më parë, aq sa edhe ka kohë që dyshja bashkëpunon. 

“Prej udhëtimit tim të parë në Romë që e kam bërë në mënyrë turistike, në bazilikën San Pietro kam takuar një varg njerëzish, muzikantësh, që më kanë ofruar të jem në bashkëpunim me ta. Pastaj jam takuar me maestro Roverellit, i cili është nga institucioni më i veçantë dhe më i lartë në Romë, Akademia di Santa Cecilia. Pasi më ka dëgjuar më ka marrë përsipër të punojmë bashkë dhe ka një vit që bashkëpunojmë. Ishte ideja ime që të sjellim një muzikë që ndoshta nuk është kënduar më parë në këtë formë. E kemi ndërruar edhe stilin pak që të ketë ndryshim të atmosferës”, ka bërë me dije Jashari. 

Në radhë ka qenë premiera absolute e veprës “Cim, cim, ca” e akademikut Vasil S. Tole. Vepra është shpalosur si një lojë ritmesh dhe ngjyrash tradicionale, me energji të gjallë skenike që ka përfshirë publikun, i cili është bërë pjesë e atmosferës përmes duartrokitjeve ritmike. Freskia melodike dhe karakteri i saj komunikues e kanë shndërruar premierën në një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes.

“Pata dëshirë të këndoj premierën e veprës së kompozitorit, akademikut dhe etnomuzikologut të famshëm, Vasil Tole, të cilin e falënderoj shumë që ma ka besuar veprën e cila e bëri publikun të ngrihet në këmbë. Më pas edhe këngën e së madhes, Nexhmije Pagarusha, të cilën gjithmonë e kam në program dhe e përmbylla me veprën e njohur nga filmi ‘Godfather’ të cilën mendoj se të gjithë e kanë njohur”, ka thënë Jashari, një prej emrave të njohur të skenës vokale në Kosovë. Ka interpretuar në koncerte, produksione operistike dhe projekte të ndryshme artistike, duke ndërtuar një profil ku ndërthuren repertori klasik ndërkombëtar dhe ai shqiptar.

Programi shqiptar i koncertit ka vijuar me “Të dua Prishtinë” e aranzhuar nga Kreshnik Aliçkaj. Ka qenë interpretim ku rrëfimit vokal i është bashkuar trumbetisti Avni Krasniqi. Dialogu mes zërit dhe trumbetës ka krijuar atmosferë nostalgjike dhe solemne. E ka bërë këngën një lloj deklarate dashurie për kryeqytetin. 

Ishte ideja ime që të sjellim një muzikë që ndoshta nuk është kënduar më parë në këtë formë. E kemi ndërruar edhe stilin pak që të ketë ndryshim të atmosferës” (Foto: Arben Llapashtica)
 

Programi ka vazhduar me zërat e korit të fëmijëve “Okarina” në interpretimin e “Fluturo pëllumb i bardhë” si dhe “Lule jemi” nga opera “Skënderbeu” e Prenk Jakovës. Në këtë interpretim janë bashkuar Arta Jashari, sopranot Elona Sadiku e Urta Haziraj dhe altoja Andra Rexhepi. Kori “Okarina” ka qenë nën drejtimin e sopranos Elikona Hysaj-Shala. 

Koncerti është përmbyllur me “Parla Più Piano” të Nino Rota, temën e famshme nga filmi “The Godfather”, me Avni Krasniqin në trumbetë, ritëm i fundit nga koncerti që i dha atij fund intim dhe emocional.

Për Roverellin ka qenë hera e parë që ka qenë e që ka interpretuar jo vetëm në Kosovë, por në gjithë Ballkanin. E ka vlerësuar edhe potencialin e Jasharit. 

“Ajo ka zë fantastik. Për mua është hera ime e parë në Prishtinë dhe në Ballkan në përgjithësi. Patëm një repertor plot me vepra italiane, por edhe me ato shqiptare. Është një program shumë i mirë. Pjesët shqiptare dhe ballkanike janë muzikë shumë e mirë. Ritmet janë të vështira, por edhe shumë interesante”, ka thënë Mirco Roverelli, pianist, dirigjent dhe pedagog italian me aktivitet të gjerë koncertal. 

I lidhur me traditën prestigjioze të Akademisë Kombëtare “Santa Cecilia” në Romë, ai njihet për punën e tij me këngëtarë operistikë dhe për interpretimet si pianist shoqërues në skena të ndryshme evropiane.

Salla e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare ka qenë plotësisht e mbushur. Të pranishmit nuk i ka ndalur vapa e madhe për ta ndjekur koncertin deri në fund. 

Sopranoja Adelina Thaçi e ka vlerësuar të suksesshëm koncertin.

“Arta Jashari është një artiste e kompletuar, me një vokal të jashtëzakonshëm. Sot është prezantuar kryesisht me repertor italian, me kompozitorë e arie të ndryshme, këngë solo e deri tek ato shqipe ku e veçoj këngën për Prishtinën që është kënduar nga Nexhmije Pagarusha. Ishte një koncert fantastik. Dhashtë Zoti të ketë më shumë koncerte të tilla sepse këto nuk janë vetëm koncerte vlerash që ia shtojnë shoqërisë, por janë edhe ushqim shpirtëror për njerëzit që vijnë t’i dëgjojnë”, ka thënë Thaçi. 

Edhe kompozitori e dirigjenti Memli Kelmendi ka vlerësuar interpretimin e sopranos.

“Një koncert shumë i mirë, me vepra vërtet jo të lehta të këndohen. Atmosfera ishte e nxehtë dhe edhe më të nxehtë e bëri Arta Jashari. U uroj shumë suksese. Arta ka potencial të jashtëzakonshëm dhe unë jam i lumtur që sonte ndava kohën dhe isha në këtë koncert”, ka thënë ai.

“Arie di Libertà” ka qenë si dialog midis traditës italiane dhe asaj shqiptare ku virtuoziteti e emocionet e veprave janë bërë një.