Serbia e ka ndaluar një tjetër qytetar të Kosovës në kufirin me Kroacinë, ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Kjo ministri në një reagim në Facebook ka shprehur shqetësimin lidhur me intensifikimin e rasteve të arrestimeve arbitrare dhe të paprovokuara të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Serbisë.
Behar Preniqi është qytetari që u arrestua një ditë më parë. Sipas MPJD-së, ky rast “përbën një tjetër dëshmi të qartë të praktikave të papranueshme dhe destruktive të autoriteteve serbe, të cilat bien në kundërshtim të hapur me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet themelore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.
Ministria ka konfirmuar se zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi është angazhuar përmes kanaleve diplomatike dhe zyrtare për të siguruar informacione të sakta dhe të plota lidhur me këtë rast.
“Zyra Ndërlidhëse ka adresuar një kërkesë zyrtare autoriteteve të Qeverisë së Serbisë për të konfirmuar arrestimin e z. Preniqi dhe për të sqaruar arsyet e ndalimit të tij. Përveç kësaj, rasti është përcjellë edhe te Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi si dhe te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it. Në rast se ndaj z. Preniqi vendoset masa e paraburgimit dhe iniciohet procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të kërkuar një vizitë zyrtare në vendin e ndalimit të tij”, thuhet në reagim.
MPJD-ja ka përsëritur thirrjet që qytetarët e Kosovës të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë.
Po ashtu, i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë ndaj praktikave të Serbisë.
Më 22 korrik autoritete serbe patën ndaluar edhe shqiptarin Lulzim Halili. Ai u pat arrestuar në afërsi të qytetit Svilajnac, rreth 100 kilometra nga Beogradi dhe u pat dërguar menjëherë në mbajtje në Stacionin Policor të këtij qyteti.
Gjykata e Lartë në Beograd më 24 korrik, ia pati caktuar 30 ditë paraburgim.
Në përgjigjen e kësaj gjykate thuhet se Halili dyshohet “për kryerjen e veprës penale të organizimit dhe nxitjes së kryerjes së gjenocidit dhe krimeve të luftës”.
Dy javë më parë kryeministri në detyrë Albin Kurti, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin udhëtimet nëpër Serbi.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt territorit të Serbisë pasi ka indikacione për rrezikim nga provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe. I ftojmë qytetarët për maturi, bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe ruajtje të unitetit dhe qetësisë”, ka deklaruar Kurti.
Në qershor Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, përfshirë ata që jetojnë në mërgatë dhe planifikojnë udhëtimin drejt Kosovës, që të shmangin kalimin përmes pikëkalimeve kufitare me Serbinë.
Ata janë inkurajuar që të përdorin pika të tjera kufitare për kalimin e tyre.