Avancimi i të drejtave të personave të komunitetit LGBTI+ ishte njëra nga temat e diskutimit në Konferencën Vjetore, që u organizua në kuadër të Javës së Krenarisë. Në këtë konferencë u shprehën kritika për mungesën e mbrojtjes institucionale e për mosmiratimin e Kodit Civil
Mosmiratimi i Kodit Civil e mungesa e strehimores për personat LGBTI+, janë disa nga vështirësitë me të cilat përballen personat e këtij komuniteti, e të cilat u përmendën edhe në Konferencën Vjetore që u organizua të premten.
Rina Braimi nga CEL Kosova shprehu kritika për sfidat me të cilat përballen personat LGBTI.
“Strehimorja për personat LGBTI, diskutim që ka filluar në 2020, por ende nuk është ndërtuar dhe ky është një refuzimin institucional për t’u dalë në ndihmë të pambrojturve. Që nga viti 2022 kemi ngritur vazhdimisht zërin për deputeten parlamentare, Duda Balje, e cila në mënyrë të hapur shpreh qëndrime kundër barazisë për të drejtat e qytetarëve. Ne duam një shoqëri që mund të jetojmë pa dhunë dhe në mirëqenie”, ka theksuar Braimi.
I pranishëm në konferencën që u organizua me qëllim të avancimit të të drejtave të këtij komuniteti ishte edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj.
Ai shprehu shqetësime për ngecjet në procesin e avancimit të të drejtave të njeriut, ndërsa vlerësoi rëndësinë e miratimit të Kodit Civil.
“Viteve të fundit kemi pasur një regres apo stagnim të situatës dhe janë shfaqur polarizime, sepse sa më afër përfundimit të procesit, më të ashpra bëhen diskursi, fjalori dhe gjuha në mes palëve që janë pro dhe kundër. Avokati i Popullit në vazhdimësi ka pasur një bashkëpunim të mirë me shoqërinë civile, është e rëndësishme një institucion si vepron në atë që thotë. Kosova po e përgatit terrenin dhe ndryshimi i madh ndodh kur Kodi Civil kalon”, ka thënë Qelaj.
Edicioni i nëntë i Javës së Krenarisë në Kosovë këtë vit nisi më 9 qershor. Parada, që shënon njërin nga aktivitetet e saj, do të mbahet më 14 qershor.