Shtatë fëmijë të një familjeje në Janjevë të Lipjanit për vite me radhë jetuan në strehimore deri kur Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim që ata t’i kthehen familjes biologjike. Por, pak vite pas, një nga fëmijët u soll në emergjencë me dëmtime të pakthyeshme në këmbë, shkaku i keqtrajtimit. Në shoqërinë civile fajësojnë institucionet shtetërore që, duke i kthyer fëmijët në familje, nuk parandaluan abuzimin me ta
Dështim të institucioneve të shtetit e cilësuan sociologë dhe përfaqësues të Qendrës për Shëndetin Mendor ngjarjen e rëndë që u zbardh një ditë më parë në Janjevë të Lipjanit, kur dy prindër u arrestuan nën dyshimin për keqtrajtim sistematik të fëmijës së tyre pesëvjeçar.
Institucionet reaguan pasi fëmija u dërgua në Qendrën Klinike Universitare, si pasojë e plagëve të rënda në shputa të këmbëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKOHA mësoi se shtatë fëmijët e kësaj familjeje për vite me radhë jetuan në strehimore deri kur Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim që ata t’i kthehen familjes biologjike.
E këtë vendim, sociologu Genc Xërxa e kualifikoi të gabuar.
“Kemi një huqje të institucioneve relevante mbi mirëqenien dhe strehimin e fëmijëve. Rekomandimi apo sugjerimi që t’u kthehen familjarëve nuk është bërë në mënyrë profesionale, sepse duke ditur që prindërit nuk kanë qenë të gatshëm, fëmijët nuk është dashur të kthehen te ta. Dhuna ka vazhduar, ndërsa njëri prind ka edhe probleme patologjike psikologjike, kështu që është dashur ta rimendojnë, ta rishqyrtojnë dhe ta marrin vendimin në mënyrë më profesionale, duke i privuar fëmijët nga këto keqtrajtime, të cilat kanë pasoja më pas”, ka thënë Xërxa.
Një banor i lagjes ku jetoi familja tha se ka qenë dëshmitar i dhunës, porse rastin nuk guxoi ta raportonte te autoritetet.
“I ka rrahur gjithë edhe deri në 12 të natës ata kanë bërtitur, gjithë i kam dëgjuar edhe gjithë më ka ardhur gjynah prej tyre se ata nuk kanë faj, këta dy nuk janë mirë asnjëri”, ka thënë ai në kushte anonimiteti. “Nuk kemi guxuar (t’i denoncojmë v.j.) se janë të rrezikshëm”.
Shtëpia e familjes ndodhet rreth 20 metra larg Stacionit të Policisë në Janjevë.
Rasti i familjes, sipas drejtorit ekzekutiv të Qendrës për Shëndetin Mendor, Bind Skeja, ka qenë i njohur për institucionet, ndërsa ia barti Ministrisë së Shëndetësisë përgjegjësinë për mungesë të monitorimeve, pas vendimit të gjykatës.
“Gjykata i ka kthyer fëmijët dhe kjo hallka e shëndetit mendor, që është dashur të vazhdojë me monitorim dhe mbështetje të familjes, nuk u funksionalizua. Nuk ka shkuar për të monitoruar dhe për të parë nëse prindërit mund të kujdesen dhe t’u ofrojnë mbështetje fëmijëve. Prandaj, ne e drejtojmë fajin – një përqindje e konsiderueshme i takon Ministrisë së Shëndetësisë, sepse psikiatria në Kosovë nuk ka kapacitet të shkojë në çdo komunë dhe t’i monitorojë”, ka thënë Skeraj.
Fëmijët u janë kthyer prindërve, pas vendimit të gjykatës.
KOHA pyeti Gjykatën Themelore lidhur me vendimin dhe ka kërkuar qasje në të, porse nuk mori përgjigje.
E sociologu Xërxa tha se ky rast është tregues i problemeve më të thella në shoqëri.
“Gjykata e ka marrë vendimin, por po shihet se ai nuk është i drejtë. Në njëfarë forme, kjo mund të jetë vetëm maja e ajsbergut. Kushedi sa problematika të tilla ekzistojnë brenda shoqërisë sonë, për të cilat nuk ka një qasje adekuate ndaj fëmijëve dhe pjesëtarëve të familjes”, ka thënë Xërxa.
Në Klinikën e Pediatrisë njoftuan gjatë ditës se pesëvjeçari iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale në shputa dhe se gjendja e tij është stabile. Ndaj dy prindërve të tij u caktua masë paraburgimi prej 30 ditësh.
E gjashtë fëmijët e tjerë janë marrë në përkujdesje nga Qendra për Punë Sociale.
Institucionet qendrore dhe ato lokale fajësuar njëra-tjetrën, në përpjekjen për ta hequr përgjegjësinë për rastin e 5-vjeçarit që u keqtrajtua nga prindërit dhe pësoi plagë në këmbë.
Drejtori i Departamentit për politika të shërbimeve sociale, Blerim Shabani, ka thënë se ofrimi i shërbimeve direkte për fëmijët dhe të rriturit që kanë nevojë për shërbime sociale dhe familjare, është e nivelit lokal.
“Ministria ka përgjegjësi në bazë të mandatit të hartojë legjislacion primar e sekondar, programe, standarde, politika për mbikëqyrjen, por nuk është përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve direkte për fëmijët dhe të rriturit që kanë nevojë për shërbime sociale dhe familjare. Kjo është përgjegjësi direkte e qendrave për punë sociale, gjegjësisht e komunave”, ka thënë Shabani.
Shtatë fëmijët e kësaj familjeje për vite me radhë jetuan në strehimore deri kur Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim që ata t’i kthehen familjes biologjike.
Shabani ka thënë se është kërkuar raport i hollësishëm për trajtimin e rastit nga Qendra për Punë Sociale, si dhe është autorizuar njësia inspektuese.
“Kemi marrë disa hapa siç është mbikëqyrja profesionale, kemi kërkuar një raport të hollësishëm për trajtimin e rastit të fëmijëve nga Qendra për Punë Sociale, kemi autorizuar edhe njësinë inspektuese. Kemi ofruar pëlqimin për vendosjen e fëmijëve në strehim familjar dhe normalisht autorizimin për njësinë inspektuese. Nuk mund të japë informacione të tjera pa e pasur raportin kronologjik të mbikëqyrjes profesionale dhe atë preliminar të inspektimit për të identifikuar se cilat veprime janë ndërmarrë”, ka thënë ai.
E zëdhënësja e komunës së Lipjanit, Besarta Qadraku, ka thënë se nëse vërtetohet se ka pasur neglizhencë nga zyrtarët e kësaj qendre, do të ndërmerren masa.
“Ne jemi duke pritur një analizë dhe një raport të detajuar në lidhje me këtë rast. Derisa nuk kemi një raport të detajuar, nuk jemi kompetentë të flasim por nëse konstatohet se ka pas neglizhencë ose shkelje nga ana e zyrtarëve patjetër që do të ndërmarrim masa… Përfshihet suspendimi dhe largimi”, ka thënë aujo.
E Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale, Makfire Shamolli, nuk tregoi për takime të mundshme me prindër të fëmijëve, përfshirë atë 5-vjeçar, pasi u janë dorëzuar atyre.
“Këto procese janë të ndërlidhura me gjykatën. Privimi i të drejtës prindërore, ose privimi i përkohshëm i kujdesit prindëror, bëhet në bashkëpunim me ekspertë të ndryshëm, të cilët në kolegjiumin e tyre përfshijnë edhe punonjësin social. Megjithatë, pjesa e punonjësit social mbetet gjithmonë me avokatin në interes të familjes, si në rastin konkret”, ka thënë Shamolli.
Rasti u bë publik fillimisht përmes raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës të martën. Aty vepra u cilësua “shkelje e detyrimeve familjare”, teksa u bë e ditur se dy prindërit janë dërguar në mbajtje.
Pas kësaj, QKUK-ja bëri të ditur se fëmija është pranuar në gjendje të rëndë shëndetësore dhe dyshohet edhe për kequshqyerje.
“Një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është sjellë në Emergjencën Qendrore, i referuar nga QKMF Lipjan, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze. Në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me shenja të hipotrofisë (me dyshim për kequshqyerje) dhe me vështirësi në komunikim”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së për KOHËN.
Aty është thënë se menjëherë pas pranimit në Emergjencën Qendrore janë realizuar konsultat nga kirurgu plastik dhe pediatri, të cilët kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent në Klinikën e Pediatrisë – Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim dhe monitorim të mëtejmë.
Nga QKUK-ja kanë thënë se duke pasur parasysh dyshimet për keqtrajtim të mundshëm të fëmijës, janë njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë dhe shërbimet sociale, siç thuhet, në përputhje me procedurat dhe detyrimet ligjore për mbrojtjen e fëmijëve.
Ndërkaq, drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, ka thënë se janë marrë në përkujdesje edhe 6 fëmijë të tjerë të kësaj familjeje.
E, Blerim Shabani ka thënë se këta fëmijë pasi janë marrë nën përkujdesje nga Qendra për Punë Sociale, janë vendosur “në një vend të sigurt dhe po marrin kujdesin institucional në përputhje me përgjegjësitë e të gjitha mekanizmave që kanë përgjegjësi në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Përderisa autoritetet kanë thënë se është fazë e hershme e hetimeve, organizata të shoqërisë civile kanë fajësuar shtetin për dështim. Koalicioni i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve (KOMF) ka shprehur qëndrimin se ky rast ka shpërfaqur dështimin e institucioneve në mbrojtjen e fëmijëve dhe ngre shqetësime serioze për funksionimin dhe reagimin në kohë të mekanizmave mbrojtës.
“Sipas të dhënave të institucioneve, kjo familje ishte rast i njohur për institucionet prej katër vjetësh. Ky rast, edhe një herë, shfaq dështimin e institucioneve në mbrojtjen e fëmijëve dhe ngre shqetësime serioze për funksionimin dhe reagimin në kohë të mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e tyre”, thuhet në reagimin e KOMF-it. “Shteti ka obligim ligjor të jetë mburoja e parë e fëmijës kur familja dështon. KOMF kërkon hetim të plotë institucional, duke përfshirë hetimin e gjithë zinxhirit të institucioneve të përfshira në rast dhe marrjen e masave në përputhje me të gjeturat, duke siguruar llogaridhënie dhe përgjegjësi institucionale”.
Sipas KOMF-it, rasti konfirmon nevojën urgjente për reforma rrënjësore dhe investime të menjëhershme në sistemin e mbrojtjes sociale.
Ndërkaq në reagimin e zyrës së UNICEF-it është thënë se rasti është shkelje serioze e Konventës për të drejtat e fëmijëve.
“KDF është direkt e zbatueshme në Kushtetutën e Kosovës, e cila i jep instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut prioritet mbi ligjet vendore. Kjo vendos një detyrim të qartë ligjor mbi të gjitha institucionet për të parandaluar, identifikuar dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive rasteve të dhunës dhe neglizhencës ndaj fëmijëve. Ky rast tregon nevojën urgjente për të forcuar sistemet e mbrojtjes së fëmijëve, për të siguruar identifikimin e hershëm të fëmijëve në rrezik në shëndetësi, arsim dhe shërbime sociale, si dhe për të ofruar mbështetje të shpejtë familjeve të cenueshme për të parandaluar dhunën. Menaxhimi i koordinuar i rasteve në nivel komunal, shërbimet e funksionimit të plotë të mbrojtjes së fëmijëve dhe financimi i qëndrueshëm janë thelbësore për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive dhunës ndaj fëmijëve”, thuhet në reagim të zyrës së UNICEF-it në Kosovë.
Edhe UNICEF-i ka kërkuar hetim nga autoritetet e Kosovës.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që shkel detyrimet e tij ligjore familjare, duke lënë në gjendje të rëndë anëtarin e familjes i cili nuk është në gjendje të kujdeset për veten, dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.
Sipas Kodit Penal kur vepra penale ka të bëjë me fëmijën, kryerësi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.