Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se në zonën “Bregu i Diellit” në Prishtinë nga dita e premte do të fillojë me instalimin e ujëmatësve digjitalë (smart meters), si dhe inspektime në terren.
“KRU “Prishtina” njofton konsumatorët e zonës Bregu i Diellit se do të fillojë instalimi i ujëmatësve digjitalë (smart meters), si dhe inspektime në terren, në kuadër të përmirësimit të menaxhimit të konsumit të ujit dhe shërbimeve ndaj konsumatorëve. Punimet do të nisin të premten, më 19.12.2025, dhe do të vazhdojnë deri në përfundimin e plotë të procesit”, ka njoftuar KRU “Prishtina”.
KRU “Prishtina” u ka bërë thirrje konsumatorëve të mundësojnë qasje për ekipet teknike.
“Përfitimet për konsumatorët nga ujëmatësit digjitalë janë: Matje më e saktë dhe në kohë reale e konsumit të ujit; Faturim më i drejtë dhe transparent; Identifikim i hershëm i rrjedhjeve dhe humbjeve; Përmirësim i cilësisë së shërbimit të furnizimit me ujë. Ky projekt pilot është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit të furnizimit me ujë dhe reduktimit të humbjeve, në interes të drejtpërdrejtë të konsumatorëve tanë”, ka njoftuar KRU “Prishtina”.
Në fazën e parë do të vendosen 1800 ujëmatës.