Arbëri

Thellohet deficiti tregtar

Deficiti tregtar i Kosovës është thelluar me 21 për qind gjatë muajit maj, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në Institutin “Riinvest” vlerësojnë se arsyeja qëndron te baza e dobët eksportuese dhe mungesa e investimeve në sektorin prodhues

Për 17,1 për qind është rritur vlera e importit gjatë muajit maj të 2025-s, krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të vitit 2024, duke e thelluar deficitin tregtar për mbi 21 për qind. 

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave, vlera e importit në muajin maj e ka prekur shifrën prej 605 milionë euro, teksa eksporti 81.5 milionë euro.

Drejtori i programeve në Institutin “Riinvest”, Visar Vokrri, duke i analizuar këto të dhëna thotë se për herë të parë ka rënie në raportin e mbulueshmërisë së importeve me eksporte.

“Këtë vit me sa i pashë të dhënat, nga janari e deri në maj i kemi diku rreth 13 për qind të importeve që mbulohen nga eksportet, ndërsa këtë normë mesatare në 10 vjetët e fundit e kemi pasur pothuajse 14 ose 15 për qind”, ka thënë Vokrri.

Vokrri i numëroi edhe disa nga arsyet që mund të konsiderohen si shkaktare që vlera e importit të jetë më e lartë sesa e eksportit.

“Duke filluar nga produktiviteti i ulët, boshllëqet në shkathtësi, po edhe niveli i ulët i investimeve në inovacion, kërkime dhe zhvillim në vetë sektorin prodhues, e sidomos tek ato biznese që janë të prira ose janë të orientuara kah tregjet e eksportit, besojnë se janë disa nga shkaqet që e kanë burimin te kjo bazë e ulët eksportuese në vend”, ka thënë ai.

Vokrri ka theksuar se është herët të flitet nëse trendët e thellimit të deficitit tregtar do të vazhdojnë, apo jo, pasi thekson se bëhet fjalë vetëm për pesë muajt e parë të vitit.

Gjatë muajit të kaluar, Kosova i importoi rreth 265 milionë euro nga vendet e BE-së, teksa eksportoi 9-fish më pak, apo 29 milionë euro.