Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tregtarët rrisin çmimet e naftës, Ministria paralajmëron masa ndaj abuzuesve

Nafta

Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka reflektuar menjëherë në tregun e derivateve në Kosovë. Brenda dy ditësh, çmimi i naftës është rritur deri në 10 centë për litër. Përfaqësuesit e këtij sektori paralajmërojnë se çdo pasiguri në furnizimin global mund të sjellë lëvizje të reja të çmimeve në ditët në vijim. E në Ministrinë e Tregtisë thonë se po monitorojnë lëvizjen e çmimeve dhe se do të marrin masa mbrojtëse

Nga 3 deri në 10 centë për litër është rritur çmimi i naftës në Kosovë, pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme. Nga 1.15 deri në 1.21 euro sa ishin, të hënën çmimet për litër naftë u sillen mes 1.18 deri në 1.27 euro, varësisht nga kompanitë që tregojnë me naftë. 

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, i ka arsyetuar lëvizjet e çmimeve me pasigurinë në furnizimin global që kanë shkaktuar tensionet në Gjirin Persik.  

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Rritja e tensioneve dhe rreziku për ndërprerje në prodhim apo transport po shtojnë pasigurinë në furnizimin global, duke shtyrë çmimet e naftës më lart. Vëmendja është veçanërisht te Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të kalimit të naftës në botë” , ka thënë ai.

Sipas Berjanit, çdo problem në atë korridor reflektohet menjëherë në tregje dhe zakonisht përkthehet në kosto më të larta të karburantit për konsumatorët. 

Çmimet globale të naftës janë rritur ndjeshëm pas sulmeve të Iranit ndaj vendeve tjera në Lindjen e Mesme, si përgjigje ndaj sulmeve nga SHBA-ja dhe Izraeli. 

Nafta Brent, u shtrenjtua për 10 për qind, duke arritur në mbi 82 dollarë për fuçi të hënën, pasi të paktën tri anije u sulmuan pranë Ngushticës së Hormuzit gjatë fundjavës.

Ani se Kosova nuk importon mallra përmes këtij korridori, sipas kryetarit të Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, problemi qëndron tek importet nga shtetet e Bashkimit Evropian. 

“Edhe pse nuk kalojnë, nuk kemi anije, nuk tregtojmë nga ngushtica e Hormuzit, por në mënyrë të tërthorët nëpërmjet tregut evropian do të ndikohemi edhe ne. Kur të çrregullohet zinxhiri i furnizimit në tregun evropian dhe në tregjet tjera, atëherë automatikisht reflektohet edhe në tregun tonë në Kosovë”, ka thënë ai.

Rafuna ka treguar se përmes ngushticës së Hormuzit, bëhet rreth 20 për qind e totalit të tregtisë botërore, duke përfshirë derivatet e naftës, energjinë elektrike, por edhe produktet e tjera. 

“Çdo mbyllje, ne si Odë e kemi paralajmëruar se mund të ndikojë në rritje të inflacionit. Përveç rritjes së çmimeve mund të ketë çrregullim të zinxhirit të furnizimit nëse vije deri tek mbyllja e kësaj ngushtice, pasi do të ketë çrregullim të qarkullimit të mallrave dhe në këtë mënyrë çrregullohet i tërë zinxhiri”, ka theksuar Rafuna.

Ai shpreson që kjo situatë të mos zgjatë, në mënyrë që të efektet negative të mos jenë të mëdha. 

I pyetur se pse kjo reflektohet në mënyrë të menjëhershme në Kosovë, Rafuna tha se kompanitë bëjnë blerje në periudha të shkurta dhe janë të varura nga lëvizjet në bursa.

“Ekonomitë tona nuk janë të forta që të kenë stoqe të mjaftueshëm për javë ose muaj të tërë. Ne jemi të varur direkt nga blerjet për periudha të shkurtra kohore dhe bursave si lëvizin çmimet”, ka thënë ai. 
E Ministria e Tregtisë ka paralajmëruar masa për mbrojtën e konsumatorëve. Në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se kanë intensifikuar inspektimet në terren ndaj operatorëve ekonomik që merren me tregtimin e derivateve të naftës. Sipas MINTI-it gjatë ditës 4 ekipe kanë monitoruar në terren.

“Kjo mbikëqyrje do të vazhdojë në mënyrë intensive dhe përgjatë ditëve në vijim, me ç’rast hartohen edhe raporte në baza ditore të inspektimeve në terren ndaj operatorëve ekonomikë, që merren me tregtimin e derivateve të naftës me fokus te çmimet”, thuhet në përgjigje. 

E në njoftimin për media, nga ky dikaster qeveritar kanë paralajmëruar edhe marrjen e masave. 

“Në rast të luhatjeve të menjëhershme dhe të pajustifikuara të çmimeve nëpër pikat e tregtimit të derivateve të naftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë do të vlerësojë në hollësi mundësinë e marrjes së Vendimit përmes të cilit vendoset rregullimi i çmimeve dhe caktohen masat e tjera mbrojtëse për produktet e naftës,  ku parashihet edhe mbikëqyrja e shtuar nga Dogana e Kosovës, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, si dhe Administrata Tatimore e Kosovës”, thuhet në njoftim. 

Një ditë më parë, Irani paralajmëroi kompanitë që të mos kalojnë me anije nëpër Ngushticën e Hormuzit, të cilën e kontrollon. 

Nëpër këtë korridor strategjik transportohet rreth 20 për qind e naftës dhe gazit botëror.