Arbëri

Virusi që ktheu rininë kah toka

Foto: Koha

Shkumbin Luzha është kthyer në adresë për farefisin dhe bashkëfshatarët. Gjithsecili prej tyre ka një listë me kërkesa për llojet e farave të perimeve e fidanëve për t’i mbjellë në bahçe e oborre.

“Duke parë situatën që gjendemi, vërehet një fluks i madh i njerëzve që janë të interesuar për punimin e tokës. Kryesisht në kultivimin e perimeve, sidomos në lagjen tonë, kam kërkesa non stop që t’ua blej farat për mbjellje, pasi që unë nuk kam lirinë të kufizuar këto ditë dhe jam në punë, dhe mund të kryej pazaret ditore të familjes së gjerë”, tregon Luzha, menaxher i një plantacioni mjedrash në Begracë të Kaçanikut. Atij i bëhet qejfi që shumë familje, e sidomos çiftet e reja, po i kthehen punës në bahçe për të mbjellë sa për nevoja shtëpiake.

Kopshti i ligjëruesit të shkencave politike

Seb Bytyçi, ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Winchesterit në Britani të Madhe, kujton ditët fëmijërore kur familja kultivonte kultura bujqësore që shtroheshin në tryezën e bukës. Përvojë të ngjashme ka pasur edhe bashkëshortja e tij.

“Edhe unë dhe bashkëshortja ime, Adelina, jemi rritur në qytet me kopsht në oborr, të cilin e kanë mirëmbajtur prindërit, dhe kemi ‘ndihmu’ si fëmijë”, thekson ai. Thotë se çifti ka nostalgji për atë kohë. Dhe gjatë këtyre ditëve, kur masat e mbylljes po zbatohen gjithandej botës si masë parandalimi ndaj përhapjes së virusit me kurorë, kanë rrokur veglat e punës që t’i krijojnë një përvojë të ngjashme edhe djalit të tyre. “Mendojmë që është diçka e mirë edhe për ne, edhe për fëmijë, por dhe sadopak perime që rriten aty janë organike, që është mirë edhe për shëndet”, thekson Bytyçi.

Numri i atyre që po kërkojnë fara të perimeve e fidanëve të llojeve të ndryshme është në ngritje edhe në plantacionin e fermerit Skender Gashi nga Konjuhi i Lipjanit. “Për çdo vit kemi më shumë fermerë të interesuar për ta punuar tokën”, thekson Gashi gjatë një bisede telefonike. “Natyrisht se është mirë kur ngrihet numri i atyre që punojnë edhe bahçet”.

Nevoja për siguri kombëtare ushqimore

Bytyçi, i cili ka shpërndarë në Facebook një fotografi me të birin derisa lëvrojnë tokën, thotë se gjatë masave të mbylljes ka vërejtur në rrjete sociale se ka shumë qytetarë që po u kthehen kopshteve e arave. Ai e sheh me sy të mirë këtë interesim të brezit të ri. “Shpresoj se kjo do të bëhet trend edhe pas pandemisë. Unë në fakt i kam propozu Qeverisë që ta nxisë këtë trend duke dhuruar falas fara të perimeve, sepse kjo ka të bëjë edhe me sigurinë kombëtare ushqimore”, thekson ligjëruesi i universitetit britanik.

Qeveria në detyrë ka dalë në fillim të masave mbrojtëse me një pako të re për stimulimin e bujqve. Në gjysmën e dytë të marsit u ngritën përnjëherë kërkesat për miell dhe produkte të tjera të domosdoshme, për shkak se qytetarët druanin se do të kishte krizë buke.

Burim Bajrami, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Ferizajt, thotë se muajve të fundit ka vërejtur ngritje të numrit të bujqve që po punojnë tokën. Këtë e bazon në kërkesat e bujqve për të lëvizur nëpër territorin e Ferizajt në karantinë, ku deri tani janë evidentuar mbi nëntëdhjetë raste me koronavirus dhe dy raste me fatalitet.

Bajrami thotë se të dhënat tregojnë se qëndrimi në shtëpi ka ndikuar në rritjen e interesimit të bujqve për tokën. “Në bazë të kontakteve që kemi me kultivuesit e rasatit të perimeve, ata tregojnë që është shtuar numri i kërkesave për blerje të rasatit në secilën prej pikave kultivuese”, thekson ai.

Aspekti social dhe “uzurpatori” i vogël

“Ne, si Drejtori, kemi qenë stimulues i vazhdueshëm i kultivimit të grurit si kulturë strategjike, duke i stimuluar të njëjtit kultivues me pleh azotik artificial dhe me mekanizëm bujqësor dhe konsideroj se këta hapa të ndërmarrë për herë të parë që nga paslufta kanë rritur aktivitetin e bujqve të komunës sonë, gjegjësisht rritjen e sipërfaqeve të tokave punuese”, ka thënë Bajrami, duke u zotuar për ngritje të buxhetit komunal për t’i përkrahur edhe më shumë bujqit.

Bytyçi, profesori universitar në shtetin ishullor, thotë se nuk është mirë që familjet dhe shteti i Kosovës të varen krejtësisht nga tregjet globale të ushqimit. Ai mendon se qytetarët duhet të kultivojnë një pjesë të kulturave bujqësore në shtëpi. Çifti, që jeton e punon në Angli, kishte planifikuar më parë që të kishin kopshtin në oborrin e tyre. Por, nuk e kishin menduar se do t’i përvilnin mëngët e do të rroknin mjetet e punës në situatë pandemie. Një pjesë të oborrit e kishin lulëzuar më herët.

“Kemi pasur fat që bashkëshortja ime është disenjatore dhe në fakt e ka dizajnuar një park më herët, kështu që jemi marrë me dizajn të oborrit. Prandaj, edhe këtu kemi diskutime se puna e kujt është më e rëndësishme, dhe në anën tjetër kemi intervenimet e djalit të vogël që është më i interesuar të luajë dhe uzurpon veglat e mëdha, sepse të vetat i duken të vogla”, tregon Bytyçi, duke shtuar se pos kositjes së barit është dashur të lëvrohej toka për ta përgatitur për mbjellje. “E natyrisht se ka edhe punë të tjera, si krasitja e rrethimi”.

“Pulat e qytetit”

Ai thotë se kopshtaria është mjaft e përhapur në Angli dhe se ka parcela të veçanta që i ndan komuna, ku qytetarët mund të kultivojnë perime. Për këtë, së fundmi reportazhe ka pasur edhe emetuesi publik britanik, BBC. “Shumë njerëz janë tepër të pasionuar me kopshtari dhe është pjesë e kulturës kombëtare”, tregon ai. “Po ashtu, tashmë në shumë qytete në Perëndim lejohet edhe mbajtja e pulave të vaksinuara. Ndoshta kjo do të jetë një nga të mirat e pandemisë, njerëzit do t’i kthehen tokës më shumë, gjë që sjell shumë të mira”.

“Toka – baza e jetës”, i ka titulluar Xhavit Hashani, mësimdhënës biologjie, përgjigjet e pyetjeve të gazetës për ngritjen e numrit të kultivuesve të kulturave bujqësore në fshatin Mirash të Ferizajt. Fillimisht ngulmon që t’i kthehet shkurtimisht historisë për të argumentuar vlerën e punimit të tokës.

“Duke e ditur se toka është bazë e prodhimit të ushqimit për kafshët, bimët dhe njerëzit, gjithashtu toka është vendi ku dekompozohen të gjithë organizmat e sipërtheksuar kur vdesin”, thekson Hashani, edhe vetë kultivues i bahçes së hapur dhe me serrë. “Fatkeqësisht shtresa e tokës po zvogëlohet vazhdimisht dhe në shumë vende, cilësia apo pjelloria e saj po keqësohet”.

Arsimtari i biologjisë i shkollës “Liman Rekaj” në fshatrat Prelez i Muhaxherëve e Surqinë të Ferizajt, thotë se qysh para dy mijë e pesëqind vjetësh, në Greqinë antike kishte dekret për mbjelljen e shpateve dhe terreneve të pjerrëta. Gjithashtu, tregon ai, fshatarëve u ofroheshin shpërblime për të mbjellë ullinj.

Serrat e pandemisë

“Tani t’i kthehemi kohës së pandemisë”, thekson Hashani, duke folur për interesimin e ngritur për mbjelljen e kulturave të ndryshme bujqësore. Ka vërejtur se sivjet është ngritur numri i serrave në katund. “Brenda fshatit, kanë ekzistuar 60 serra me një sipërfaqe prej një ari e gjysmë, ndërsa tani në kohën e pandemisë është shtuar edhe numri i serrave me sipërfaqe më të vogla se ato të sipërtheksuara”, tregon Hashani. Mirashi njihet si fshat që ka pasur nisma konkrete kolektive dhe ka përfituar projekte prej qindra mijëra eurosh prej institucioneve vendore dhe prej donatorëve ndërkombëtarë.

Luzha, menaxheri i plantacionit të mjedrave në Begracë të Kaçanikut, thotë se listat që po ia japin farefisi e bashkëfshatarët për fara e fidanë, tregojnë për ndryshim mendësie, sidomos në mesin e të rinjve. “Sa i përket asaj që të rinjtë kohët e fundit kanë një interes për punën e tokës, mendoj që është interes i përgjithshëm shoqëror, pasi që e dimë se puna e fushës relakson dhe të largon nga punët negative”, thekson Luzha, “kur e dimë që rinia në Kosovën tonë, goxha ka devijuar në disa gjëra”.

Leksioni i parë i virusit me kurorë

Bajrami, drejtor i Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Ferizajt, thotë se Komuna ka programe të veçanta për nxitjen e bujqve për të zgjeruar kapacitetet me serra familjare prej pesëdhjetë metrash katrorë dhe prej tre arësh. “Pse 50 metra katrorë? Sepse secili fermer ka mundësi të shoh se cilat janë përparësitë e kultivimit me serra dhe fitimi nga kjo veprimtari”, thekson ai, duke shtuar se nëse ka sukses, atëherë fermeri mund të aplikojë për serrë prej tre arësh. Thotë se ka ngritje të kërkesave për serra të këtyre përmasave.

“Si masë tjetër stimuluese, kemi edhe pagesat që ne iu bëjmë si drejtori kultivuesve në serra, duke ua paguar rasatin që ata mbjellin në serra prej 3-5 arësh”, ka thënë Bajrami. “Natyrisht kemi edhe projekte të tjera që nxisin fermerët për ta punuar tokën, duke filluar nga subvencionimi me dredhëza industriale, me kulturën e lajthisë, kulturën e arrës e shumë projekte të tjera stimuluese për bujqit”.

Hashani, arsimtari i biologjisë, thotë se ngritja e serrave të reja në Mirashin e tij në këtë pranverë mbase është një prej leksioneve të nxjerra nga virusi me kurorë. “Me një fjalë, është shtuar shumë interesimi i familjeve për të punuar tokë. Ndoshta mos po e marrim një të mbarë, pra t’i qasemi tokës dhe ta sigurojmë ushqimin kualitativ për vetveten, pra të mos varemi nga të tjerët”.