Ish-këshilltari i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams, ka deklaruar para Dhomave të Specializuara se ish-presidenti Hashim Thaçi ka dalë në terren për të marrë miratim prej komandantëve të zonave. Tha se këtë e di, pasi Thaçi e humbi mundësinë për ta takuar kongresistin Bob Dole.
“Ua them me siguri që ai ka shkuar në terren për të mbledhur nënshkrimet e komandantëve të zonave. Paralelisht me këtë kishte kosto të caktuar politike sa i përket marrëdhënies me Bob Dole sepse ai ishte në terren. Pra, ai ishte në terren dhe nuk e kishte të mundur që të takohej me senatorin Bob Dole dhe kjo pati një kosto domethënëse politike, ndërkohë që unë u sigurova që ai ishte në terren, ishte duke u takuar me komandantët e zonave”, tha Williams.
Dëshmitari Williams i tha gjykatës speciale se për takimet e tij ka dëgjuar edhe nga diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
“Në qoftë se ju më pyesni se a mund ta vërtetoj ose a kam unë informacion faktik për ta mbështetur ose provuar që z. Thaçi është takuar me komandantët e zonave, përgjigja është jo. Arsyeja pse e kam këtë mendim është sepse kur u ktheva në Washington kam pasur biseda gjerë e gjatë me diasporën shqiptare të Amerikës dhe i kam pyetur se ç’po ndodhte, se cilat ishin zhvillimet dhe më kujtohet që ata më kanë thënë se Hashim Thaçi duhet të kthehej e të fliste me komandantët lokalë. Edhe një herë, janë thashetheme, janë fjalë që mi kanë thënë ata mua, pra se ai po shkon nga njëra zonë te tjetra, po merr nënshkrimet e tyre, ka një letër me vete, e të tjera. Edhe një herë, këtë ma kanë thënë mua shqiptarët e Amerikës dhe po ua them unë juve”, deklaroi dëshmitari.
Duke iu përgjigjur pyetjes të gjyqtarit Guenael Mettraux, se a ka mundur t’i konfirmojë informatat e dorës së dytë apo të tretë me burime të tjera, dëshmitari tha se nuk ka mundur t’i vërtetojë ato në këtë formë.
