Basketboll

Bashkimi fiton me vështirësi ndaj Rahovecit 029

Bashkimi

Bashkimi nuk pati telashe në ndeshjen e parë duke fituar thellë 106:69 në udhëtim te Vëllaznimi në xhiron e parë. 

Por ndryshe ishte dueli i xhiros së dytë për prizrenasit. 

Bashkimi të dielën fitoi vetëm në momentet vendimtare ndaj Rahovecit 029, 82:74. 

Ndeshja u zhvillua në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, pasi palestra “Sezai Surroi” në Prizren ende është e zënë nga KQZ-ja. 

Pjesa e parë u mbyll 50:44 në të mirë të prizrenasve, ndërsa rahovecasit e fituan çerekun e tretë, 16:14. 

Mysafirët hynë në lojë në fundin e çerekut të katërt, por pa arritur ta shmangin disfatën. 

Rahoveci 029 fitoi në xhiron e parë ndaj Borës. 

Statistikat më të mira te Bashkimi i pati Isaiah Cousins me 18 pikë, tetë kërcime e pesë asistime.

Lejson Zeqiri ndeshjen e mbylli me dyshifror të dyfishtë prej 17 pikëve, dhjetë kërcimeve e një asistimi. 

Jan Palokaj dha kontribut të madh në fitore po ashtu me 16 pikë, pesë kërcime e dy asistime. 

Te Rahoveci 029, më i miri ishte Isiah Umipig me 27 pikë, dy kërcime e katër asistime.