Botë

Çfarë dihet për sulmin e Indisë ndaj Pakistanit

ushtart indiane

Foto: Shutterstock

Dy javë pas sulmit vrasës ndaj turistëve në Kashmirin e administruar nga India, India ka nisur seri sulmesh në disa zona në Pakistan dhe zonën e Kashmirit të administruar nga Pakistani.

Ministria e Mbrojtjes ka thënë se sulmet – të quajtur “Operacioni Sindoor” – ishin pjesë e “zotimit” për t’i mbajtur përgjegjës për sulmet e 22 prillit në të cilat vdiqën 25 indianë dhe një shtetas i Nepalit.

Por Pakistani, që ka mohuar përfshirjen në sulmin e muajit të shkuar, i ka cilësuar sulmet si të paprovokuara. Kryeministri Shehbaz Sharif ka thënë se “akti i ndyrë i agresionit nuk do të kalojë pa përgjigje”.

Ushtria e Pakistanit ka thënë se ka hedhur poshtë pesë aeroplanë dhe një dron indian. India nuk ka komentuar ende këto pretendime.

Zëdhënësi i Ushtrisë së Pakistanit, gjenerali Ahmed Sharif Chaudhry, ka thënë se të paktën 26 persona kanë vdekur e 46 janë lënduar. India ndërkohë ka thënë se të paktën shtatë civilë ishin vrarë nga Pakistani në Kashmirin indian.

Ku goditi India?

Delhi ka thënë në orët e para të mërkurës se ka sulmuar nëntë lokacione në Kashmirin e administruar nga Pakistani dhe në Pakistan.

Ka pretenduar se janë zona “të infrastrukturës terroriste” – vene nga ku sulmet “planifikoheshin dhe udhëhiqeshin”.

Ka theksuar se nuk ka goditur asnjë zonë ushtarake pakistaneze dhe se aksionet “ishin të fokusuara”.

Sipas Pakistanit, tri zona të ndryshme u goditën: Muzaffarabadi dhe Kotli në Kashmirin e administruar nga Pakistani dhe në Bahawalpur në provincën Punjab të Pakistanit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Pakistanit, zonat e goditura janë me civilë. Sipas kësaj ministrie, pretendimi i Indisë se ka sulmuar “kampe terroristësh”, është i rremë.

Përse sulmoi India?

Sulmet vijnë pak javë pas ngritjes së tensioneve të fqinjëve që kanë armë bërthamore, pas sulmit në resortin Pahalgam.

Sulmi i 22 prillit nga një grup militantësh u pati marrë jetën 26 personave. Të mbijetuarit kanë thënë se militantët kishin sulmuar enkas burrat hindu.

Ishte sulmi më i rëndë ndaj civilët në rajon në dy dekadat e fundit.

Kryeministri Narendra Modi ka thënë se shteti do t’i ndjekë të dyshuarit “deri në fund” dhe se ata që kanë planifikuar dhe kryer sulmin “do të ndëshkohen përtej imagjinatës së tyre”.

Gjithsesi, India nuk ka përmendur ndonjë grup të dyshuar për sulmin dhe mbetet e paqartë kush e ka kryer.

Por policia në Indi ka thënë se dy sulmues ishin me shtetësi pakistaneze, duke akuzuar Pakistanin për përkrahje të militantëve – por që mohohet nga Islamabadi.

Nga ajo ditë, dy shtetet kanë marrë masa ndaj njëra-tjetrës duke dëbuar diplomatë, pezulluar viza e mbyllur kufijtë.

Përse Kashmiri është pikë e nxehtë mes Indisë dhe Pakistanit?

Të dyja shtetet pretendojnë se e kanë nën kontroll Kashmirin, por administrojnë vetëm disa pjesë, që nga ndarja pas pavarësisë prej Britanisë më 1947.

Shtetet kanë luftuar dy herë për të.

Por së fundmi, kanë qenë sulmet nga militantët që kanë ngritur tensionet. Zona e Kashmirit, e administruar nga India, ka përjetuar kryengritje të armatosur kundër sundimit indian që nga viti 1989. Militantët synojnë forcat e sigurisë dhe civilët.

Kjo ishte hera e parë që ndodhi një sulm i madh mbi civilët qëkur India revokoi Nenin 370 që i dha Kashmirit statusin e gjysmëautonomisë në vitin 2019.

Pas vendimit, rajoni u përball me protesta, por gjithashtu përjetoi rënie të nivelit të militantizmit dhe rritje të madhe të numrit të turistëve që vizitonin rajonin.

Në vitin 2016, pasi 19 ushtarë indianë u vranë në Uri, India nisi sulmet në linjën administrative – de facto kufiri mes Indisë dhe Pakistanit – duke i vënë në cak bazat ushtarake.

Në vitin 2019, bombardimet në Pulwama, që lanë të vdekur 40 indianë, nxiti tensione në Balakot – që paraqiste aksionin e parë brenda Pakistanit që nga viti 1971.

Asnjëri rast nuk përshkallëzoi, por bota u alarmua nga rreziku se çka do të mund të ndodhte. Nga shumë shtete të botës dhe diplomatë u bënë përpjekje për të ndaluar përshkallëzimin.

Tashmë, shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për “përmbajtje maksimale” derisa presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka shpresuar që luftimet “do të përfundojnë shumë shpejt”.