Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka publikuar mbi tre milionë dokumente nga të ashtuquajturat dosje të autorit të krimeve seksuale, Jeffrey Epstein, ku përmendet edhe emri i politikani sllovak dhe ish-të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak.
Mesazhet e publikuara të vitit 2018 tregojnë një marrëdhënie më personale dhe intensive sesa kishte pranuar më parë Lajçaku.
Sipas dokumenteve, të dy diskutonin jo vetëm për politikë dhe diplomaci, por edhe për gra. Në një nga bisedat, Epsteini i ofronte Lajçakut gra, duke shtuar se mund të “marrë edhe motrat e tyre”. Ai më pas ironizonte duke thënë se ndoshta janë shumë të reja për të, pasi janë nën 30 vjeç.
“Mos u bë i keq. Nuk e dinë si jam në aksion”, i përgjigjej Lajçakut, sipas gazetës Dnevnik N.
Në mesazhet e tjera, të dy flisnin për “vajza” në Kiev ose Moskë, me një ton të relaksuar dhe shpesh me shaka. Për një foto nga Moska, Epsteini i shkruante se do të preferonte “një vështrim më të brendshëm” dhe pretendonte se ato vajza ishin “eksporti më i mirë rus”. Por Lajçaku përgjigjej “pas naftës”.
Megjithatë, Lajçaku mohon këto interpretime dhe ka thënë se kurrë nuk ka komunikuar me Epsteinin për gra.
Dokumentet tregojnë se kontakti i tyre nuk ishte sporadik. Emri i Lajçakut përmendet qindra herë, dhe abuzuesi seksual shpesh e thërriste me emrin e afërt “Miro”. Një pjesë e mesazheve datojnë nga periudha kur Lajçaku ishte president i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe qëndronte rregullisht në New York. Gjatë kësaj periudhe, thuhet se janë organizuar takime, darka dhe vizita të mundshme në rezidencën e Epsteinin në Florida ku u abuzuan vajza të mitura.
Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka theksuar se publikimi i dokumenteve nuk do të thotë konfirmim i vërtetësisë së të gjitha pretendimeve. Shumë nga regjistrimet janë nga raporte të pa verifikuara dhe disa pjesë janë fshirë totalisht. Megjithatë, volumi dhe karakteri i komunikimeve ka shkaktuar reagime politike në Sllovaki.
Është bërë thirrje për shkarkim të Lajçakut nga pozita e këshilltarit të kryeministrit sllovak Robert Fico.
Pas publikimeve të Epsteinit, jep dorëheqjen Lajçaku
Ish-i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i këshilltarit të kryeministrit sllovak Robert Fico, pasi komunikimet e tij me të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein, u bënë publike.
Kryeministri Fico njoftoi se do ta pranonte dorëheqjen e Lajçakut, ndërsa kritikoi kundërshtarët e tij, të cilët, sipas tij, nuk i kishte parë “me kaq shumë hipokrizi” për një kohë të gjatë.
“Miro e ka dëshmuar edhe një herë veten si një diplomat i shkëlqyer dhe unë e pranoj ofertën e tij për t'i dhënë fund bashkëpunimit tonë, megjithëse të gjithë ne, jo vetëm unë, po humbasim një burim të jashtëzakonshëm përvoje në diplomaci dhe politikë të jashtme. Është e çuditshme që një simbiozë e ngjashme e medias, opozitës dhe partive qeveritare nuk e shënjestroi liderin e opozitës Simecek, i cili, përmes mashtrimit me grante në nivelin e Sllovakisë dhe BE-së, përfaqëson një rrezik shumë më të madh për reputacionin e vendit tonë sesa këshilltari i kryeministrit, Miroslav Lajçak”, ka thënë Fico në një deklaratë, transmeton gazeta Dnevnik N.
Dokumente të reja gjyqësore në lidhje me Jeffrey Epsteinin u publikuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të premten, dhe midis tyre është komunikimi i Lajçakut.
Ky është grupi më i madh i dokumenteve rreth Epsteinin të publikuara deri më tani, i cili përfshin rreth tre milionë faqe, 180 mijë fotografi dhe 2 mijë regjistrime video.
Epstein, një milioner i njohur për lidhjet e tij me figura të shumta me ndikim dhe të famshme, vdiq në burg në vitin 2019 ndërsa priste padinë federale për trafikim qeniesh njerëzore për qëllime shfrytëzimi seksual. Vdekja e tij u shpall si vetëvrasje.