Greqia, Izraeli dhe Qiproja do të kryejnë stërvitje të përbashkëta ajrore dhe detare në Mesdheun lindor në vitin 2026, duke thelluar bashkëpunimin e tyre në mbrojtje, kanë thënë të hënën zyrtarë ushtarakë grekë.
Të tri vendet e Mesdheut lindor janë afruar më shumë gjatë dekadës së fundit përmes stërvitjeve të përbashkëta ushtarake, prokurimit të mbrojtjes dhe bashkëpunimit në energji, zhvillime të vëzhguara nga afër nga rivali rajonal Turqia.
Shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Greqisë (GEETHA) ka thënë se zyrtarë të lartë ushtarakë nga të tri vendet nënshkruan një plan të përbashkët veprimi për bashkëpunimin në mbrojtje javën e kaluar në Qipro.
Marrëveshja vjen pas një takimi në Jerusalem midis kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, presidentit qipriot, Nikos Christodoulides dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në të cilin ata nënshkruan një marrëveshje për të forcuar bashkëpunimin e sigurisë detare dhe për të avancuar projektet e ndërlidhjes në energji, raporton Reuters.
Një zyrtar i lartë grek i njohur me çështjen ka thënë se marrëveshja ushtarake do të përfshijë stërvitje të përbashkëta detare dhe ajrore dhe transferimin e njohurive nga Izraeli në Greqi dhe Qipro për të adresuar kërcënimet e ndryshme.
“Greqia dhe Izraeli do të intensifikojnë ushtrimet e përbashkëta pas armëpushimit në Gazë, me pjesëmarrjen e Qipros”, ka thënë zyrtari, duke shtuar se Greqia planifikon të bashkohet me stërvitjen detare Noble Dina të Izraelit në muajt e ardhshëm në Mesdheun lindor.
Greqia dhe Qiproja kanë blerë sisteme raketash nga Izraeli me vlerë miliarda euro. Athina zyrtare është gjithashtu në bisedime për të blerë nga Izraeli sisteme raketash anti-ajrore dhe anti-balistike me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi për një sistem të planifikuar shumështresor mbrojtjeje ajrore dhe dronësh të njohur si “Mburoja e Akilit”, i cili vlerësohet të kushtojë rreth 3 miliardë euro.