Botë

Kërkimi për 10 mijë të zhdukurit nga përmbytja në Libi

Grupet e ndihmave i kanë bërë thirrje qeverisë që të lehtësojë qasjen dhe shpërndarjen e ndihmave për njerëzit që nuk kanë bukë e ujë. Në qytet, mungesa e kontrollit është e dukshme. Disa zona kanë marrë ndihma, ndërkaq në lagje të tjera njerëzit kanë gërmuar pa ndihmën e automjeteve të rënda.

Autoritetet libiane kanë kufizuar qasjen në qytetin e shkatërruar të Dernas me qëllim që ekipet të gërmojnë në baltë dhe ndërtesat e rrënuara për 10 mijë personat e zhdukur dhe që dyshohet se kanë vdekur në përmbytjet, nga të cilat deri më tani kanë vdekur 11 mijë të tjerë.

Autoritetet kanë paralajmëruar se sëmundjet dhe zhvendosja e mjeteve shpërthyese nga uji, mund të marrë edhe më shumë jetë. Në zonat më të goditura, përpjekjet për nxjerrjen e trupave dhe shpërndarjen e ndihmave janë vështirësuar nga konfuzioni dhe mungesa e burimeve. Dy qeveritë e Libisë të ndara shkaku i luftës civile kanë dështuar të reagojnë ndaj katastrofës.

Dy digat kanë shpërthyer pasi janë stërmbushur nga shiu i madh nga stuhia mesdhetare “Daniel” të hënën në mëngjes. Nga rrjedhja e madhe e ujit është formuar dallga deri në 12 metra, sipas dëshmitarëve, duke shkatërruar gjithçka që ka dalë përpara në qytetin Derna që shtrihet poshtë malit.

Katastrofa ka bërë bashkë Libinë, e cila ishte e ndarë që prej vitit 2014 kur nisi përplasja mes qeverive, njëra në lindje që përkrahet nga grupet e ndryshme militante dhe asaj perëndimore që përkrahet nga disa shtete. Mirëpo ndihma ka qenë e ngadaltë shkaku i shkatërrimit të madh, pasi disa ura që lidhnin Dernan janë shembur.

Grupet e ndihmave i kanë bërë thirrje qeverisë që të lehtësojë qasjen dhe shpërndarjen e ndihmave për njerëzit që nuk kanë bukë e ujë. Në qytet, mungesa e kontrollit është e dukshme. Disa zona kanë marrë ndihma, ndërkaq në lagje të tjera njerëzit kanë gërmuar pa ndihmën e automjeteve.

Grumbuj metalesh dhe automjetesh kanë bllokuar rrugët e Dernas, të cilat janë edhe me shumë baltë. Autoritetet kanë varrosur të vdekurit në varreza masive jashtë qytetit, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.

Mirëpo zyrtarët janë të shqetësuar se mijëra trupa të tjerë ende nuk janë gjetur.

Image
Ekipet e shpëtimit kanë gërmuar nëpër rrugë, rrënoja të ndërtesave dhe kanë kërkuar edhe në det për trupa të pajetë. Llogaritet se së paku 10 mijë trupa janë ende të zhdukur

Trupat janë të varrosur në baltë, po dalin mbi ujin e detit ose janë të varrosur nëpër ndërtesat e rrënuara, ka thënë Bilal Sablouh, menaxher i forenzikës për Afrikën në Kryqin e Kuq.

“Për dy orë, njëri nga kolegët e mi ka numëruar 200 trupa në plazhin afër Dernas”, ka thënë ai.

Zhytësit janë angazhuar në kërkime në brigjet e detit në qytet.

Adel Ayad, i mbijetuar i përmbytjeve, ka thënë se uji ishte ngritur deri në katin e katërt të ndërtesës së tij. “Dallga ka marrë me vete edhe njerëzit që ndodheshin në çatitë e shtëpive, mund të shihja njerëzit në ujë. Në mesin e tyre edhe fqinjët”, ka thënë ai.

Të enjten, shërbimet emergjente të Libisë kanë njoftuar se banorët do të evakuoheshin nga Derna dhe vetëm ekipet e shpëtimit do të lejoheshin në qytet. Mirëpo të premten nuk pati shenja të evakuimit.

Zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar se uji nëpër zona të qytetit ka hapur dyert për sëmundje – mirëpo kanë thënë se autoritetet nuk duhet të nguten me varrosjen ose vendosjen e trupave në varreza masive, sepse trupat zakonisht nuk përbëjnë rrezik në raste të tilla.

“Ka shumë ujë në qytet. Kjo nuk do të thotë se trupat përbëjnë rrezik, por do të thotë se uji është i kontaminuar nga gjithçka”, ka thënë Margaret Harris, zëdhënëse e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. “Pra, duhet të përqendrohemi që njerëzit të kenë qasje në ujë të sigurt”.

Imene Trabelsi nga Kryqi i Kuq ka paralajmëruar për një tragjedi tjetër që mund të ndodhë: minat e tokës dhe mjetet e tjera shpërthyese që kanë mbetur nga konflikti në Libi.

Rreziku nga minat

Ka shumë mjete shpërthyese që datojnë nga Lufta e Dytë Botërore. Mirëpo shumica e tyre janë nga konflikti civil, që ka nisur në vitin 2011. Mes viteve 2011 dhe 2021, 3 mijë e 457 persona janë vrarë ose plagosur nga minat e tokës dhe armët shpërthyese në Libi.

Edhe para përmbytjeve, Trabelsi ka thënë se aftësia për të gjetur mina dhe çminuar zonat ishte e kufizuar. Pas përmbytjeve, ka shtuar ajo, pajisjet shpërthyese mund të jenë futur në “zona të reja, të pazbuluara”, ku ato mund të përbëjnë kërcënim të menjëhershëm për ekipet e kërkimit dhe kërcënim afatgjatë për civilët.

Kryqi i Kuq në Libi ka njoftuar se 11,300 njerëz në Derna kanë vdekur dhe 10,100 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Ka pak shpresë se shumë prej tyre do të gjenden të gjallë. Stuhia la më shumë se 170 njerëz në qytete të tjera të Libisë.

Mediat libiane raportuan se dhjetëra emigrantë sudanezë janë konfirmuar të vdekur nga përmbytjet. Libia është bërë pikë kryesore tranziti për emigrantët nga Lindja e Mesme dhe afrikanë që ikin nga konflikti dhe varfëria për të kërkuar jetë më të mirë në Evropë.

Përmbytjet ndodhin shpesh në Libi gjatë sezonit të shirave, por rrallë me kaq shumë shkatërrime. Shkencëtarët kanë thënë se stuhia kishte disa nga shenjat dalluese të ndryshimeve klimatike dhe uji jashtëzakonisht i ngrohtë i detit mund t'i kishte dhënë stuhisë më shumë energji dhe ta lejonte atë të lëvizte më ngadalë.

Zyrtarët kanë thënë se kaosi politik i Libisë gjithashtu ka kontribuar në humbjen e jetëve dhe Khalifa Othman ka fajësuar autoritetet për katastrofën.

“Djali im, doktor që u diplomua këtë vit, nipi dhe e gjithë familja e tij, nipi, vajza ime dhe burri i saj janë të zhdukur dhe ne jemi ende në kërkim të tyre”, ka thënë banori i Dernas. “Të gjithë njerëzit janë të mërzitur dhe të zemëruar - nuk kishte gatishmëri”.