Një gjykatë në Moskë ka lënë në fuqi dënimin me 19 vjet burgim për liderin e opozitës ruse, Alexei Navalny, i cili u dënua për akuzat për ekstremizëm, në muajin gusht.
Navalny u shpall fajtor për akuzat që lidheshin me aktivitetet e tij kundër korrupsionit dhe deklaratat nga bashkëpunëtorët e tij të lartë.
Mbështetësit e tij e shohin dënimin e Navalnyt si një strategji të qëllimshme të Kremlinit për të heshtur kundërshtarin e tij më të flaktë.
Politikani po vuan dënimin në burgun e sigurisë më të lartë, Kolonia Penale nr. 6, në qytetin Melekhovo, rreth 230 kilometra në lindje të Moskës. Por sipas agjencisë ruse të lajmeve “Tass”, ai do të transferohet në një burg tjetër për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit.
47-vjeçari Navalny është rivali më i ashpër i presidentit rus, Vladimir Putin. Ai ka ekspozuar korrupsionin dhe ka organizuar protesta të mëdha kundër Kremlinit.
Alexei Navalny u arrestua në janar të vitit 2021 pas kthimit të tij në Moskë nga Gjermania, ku u shërua nga helmimi me agjent nervor, për të cilin fajësoi Kremlinin.