Talebanët ndaluan shkollimin e vajzave pas klasës së gjashtë, sepse vlerësuan se nuk përputhej me interpretimin e tyre të ligjit islam, apo Sheriatit. Ata nuk e ndaluan për djemtë. Në dy vjetët e fundit nuk kanë treguar asnjë shenjë përparimi në krijimin e kushteve që ata thonë se nevojiten që vajzat të kthehen në shkollë
Janë bërë dy vjet që kur talebanët ndaluan vajzat që të shkolloheshin përtej klasës së gjashtë. Afganistani mbetet i vetmi vend në botë me kufizime në arsimimin e grave. Tani, të drejtat e grave dhe fëmijëve afganë janë pjesë e agjendës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Agjencia e OKB-së për fëmijë ka bërë të ditur se më shumë se 1 milion vajza janë të prekura nga ndalimi për shkollim, megjithëse ka vlerësuar se 5 milionë të tjera veçse nuk ndiqnin mësimet për shkak të mungesës së materialeve shkollore dhe arsyeve të tjera, përpara se talebanët të merrnin pushtetin.
Ndalimi shkaktoi ndëshkimin global dhe mbetet pengesa më e madhe e talebanëve për të fituar njohjen si sundimtarë legjitimë të Afganistanit. Por talebanët kanë sfiduar palët kundërshtuese dhe shkuan më tej, duke përjashtuar gratë dhe vajzat nga arsimimi i lartë, hapësirat publike si parqet dhe shumicën e vendeve të punës.
Pse talebanët i përjashtojnë vajzat nga shkollimi i mesëm?
Talebanët ndaluan shkollimin e vajzave përtej klasës së gjashtë, sepse ata vlerësuan se nuk përputhej me interpretimin e tyre të ligjit islam, apo Sheriatit. Ata nuk e ndaluan atë për djemtë. Në dy vjetët e fundit nuk kanë treguar asnjë shenjë përparimi në krijimin e kushteve që ata thonë se nevojiten që vajzat të kthehen në shkollë.
Perspektiva e tyre për arsimimin e vajzave vjen pjesërisht nga një shkollë e veçantë e mendimit islam të shekullit të 19-të dhe pjesërisht nga zonat rurale ku janë rrënjosur fiset, sipas ekspertit rajonal, Hassan Abbas.
“Ata që vazhduan të zhvillonin lëvizjen (talebane) zgjodhën idetë që janë kufizuese, ortodokse deri në ekstrem dhe fisnore”, shtoi Abbas, i cili shkruan gjerësisht për talebanët. Udhëheqja e talebanëve beson se gratë nuk duhet të marrin pjesë në asgjë sociale apo publike dhe veçanërisht duhet të mbahen larg arsimimit, bëri të ditur Abbas.
Talebanët ndaluan gjithashtu arsimimin e vajzave kur ata sunduan Afganistanin në fund të viteve 1990.

Çfarë thonë vendet me shumicë myslimane për ndalimin e shkollimit të grave?
Ekziston një konsensus midis klerikëve jashtë Afganistanit se feja islame i vë theks të barabartë arsimimit të grave dhe burrave.
“Talebanët nuk kanë asnjë bazë apo provë për të pretenduar të kundërtën”, ka thënë ekspertit rajonal, Hassan Abbas.
Por lutjet nga vende dhe grupe individuale, si Organizata e Bashkëpunimit Islamik, nuk kanë arritur të kenë ndikim te talebanët.
Syed Akbar Agha, një ish-komandant i vijës së parë të talebanëve, ka thënë se kryengritësit përkrahën një sistem islamik ditën kur hynë në Kabul në gusht të 2021-s.
“Ata gjithashtu u dhanë afganëve dhe botës së jashtme idenë se do të kishte një sistem islamik në vend”, ka shtuar Agha. “Aktualisht nuk ka asnjë sistem (tjetër) islamik në botë. Përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare janë të vazhdueshme për zbatimin e demokracisë në vendet islame dhe largimin e tyre nga sistemi islamik”.
Cili është ndikimi i ndalimit ndaj grave?
Roza Otunbayeva, përfaqësuese speciale e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Afganistanin dhe kreu i misionit të OKB-së në Afganistan, ka thënë se një nga ndikimet e dukshme të ndalimit të arsimimit është mungesa e trajnimit të profesionistëve aspirues të kujdesit shëndetësor.
Studenteve gra të mjekësisë iu ndërprenë studimet pas dekretit të talebanëve, të dhjetorit të kaluar, që ndalonte arsimimin e lartë për gratë. Gratë afgane punojnë në spitale dhe klinika - kujdesi shëndetësor është një nga sektorët e paktë të hapur për to - por numri i njerëzve të kualifikuar do të zbehet. Gratë afgane nuk mund të kontrollohen te mjekët burra, kështu që fëmijët do të humbasin gjithashtu kujdesin mjekësor nëse gratë janë kujdestaret e tyre kryesore.
“Duke parë në të ardhmen dhe një skenar ku asgjë nuk ndryshon, nga do të vijnë mjeket, mamitë, gjinekologet apo infermieret gra?”, shkroi Otunbayeva, në një email për Associated Press. “Në një shoqëri rreptësisht të ndarë sipas gjinisë, si do të jenë në gjendje gratë afgane të marrin shërbimet më themelore të kujdesit shëndetësor nëse nuk ka gra profesioniste për t’i trajtuar ato?”

Cili është ndikimi në popullatën më të gjerë të Afganistanit?
Ndalimi i shkollimit nuk ka të bëjë vetëm me të drejtat e vajzave. Është një krizë në përkeqësim për të gjithë afganët.
Dhjetëra mijëra mësues kanë humbur punën. Stafi mbështetës është gjithashtu i papunë. Institucionet private dhe bizneset që përfituan financiarisht nga arsimimi i vajzave janë goditur rëndë. Afganistani ka një ekonomi të shkatërruar dhe të ardhurat e njerëzve po bien. Përjashtimi i grave nga tregu i punës dëmton PBB-në e vendit në një kosto prej miliarda dollarësh, raporton UNICEF-i.
Talebanët po u japin përparësi njohurive islamike mbi shkrim-leximin bazë me zhvendosjen e tyre drejt medreseve ose shkollave fetare, duke i hapur rrugën një brezi fëmijësh pa arsimim bashkëkohor apo laik, për të përmirësuar të ardhmen ekonomike të tyre ose të vendit.
Ka pasoja të tjera për popullatën e përgjithshme, si shëndeti publik dhe mbrojtja e fëmijëve.
Sipas të dhënave të OKB-së, nivelet e lindjeve janë më të larta në mesin e vajzave afgane të moshës 15-19 vjeçe, që nuk kanë arsimim të mesëm ose të lartë. Edukimi i një gruaje mund të përcaktojë gjithashtu nëse fëmijët e saj kanë imunizimin bazë dhe nëse vajzat e saj do të martohen deri në moshën 18 vjeçare. Mungesa e arsimimit të grave është ndër shtytësit kryesorë të privimit, vlerëson OKB-ja.
Grupet e ndihmës kanë raportuar se vajzat janë në rrezik të shtuar, sepse ato nuk janë në shkollë, mes vështirësive në rritje me të cilat përballen familjet.
A do të ndryshojnë mendje talebanët?
Talebanët kanë zhvilluar një xhihad prej dekadash, për të zbatuar vizionin e tyre të Sheriatit. Ata nuk tërhiqen lehtë. Sanksionet, pasuritë e ngrira, mungesa e njohjes zyrtare dhe ndëshkimi i gjerë, ka bërë pak ndryshim.
Vendet që kanë marrëdhënie me talebanët mund të kenë pak ndikim. Por ato kanë prioritete të ndryshme, duke reduktuar perspektivat e një fronti të bashkuar për arsimimin e vajzave.
Pakistani ka shqetësime për një ringjallje të aktivitetit militant. Irani dhe vendet e Azisë Qendrore kanë ankesa për burimet ujore. Kina po shikon mundësitë e investimeve dhe nxjerrjes së mineraleve.
Ka gjasë më të madhe për presion që vjen nga brenda Afganistanit.
Sundimi i talebanëve sot është i ndryshëm nga ai i dekadave më parë. Udhëheqësit e lartë, duke përfshirë zëdhënësin kryesor, Zabihullah Mujahid, mbështeten në mediat sociale për mesazhet kryesore për afganët, brenda dhe jashtë vendit.
Ata tregojnë për suksesin e tyre në çrrënjosjen e lëndëve narkotike dhe goditjen e grupeve të armatosura si Shteti Islamik.
Derisa afganët shqetësohen për humbjen e arsimimit të vajzave, ata kanë edhe shqetësime të tjera si fitimi i parave, sigurimi i ushqimit në tryezë e një çatie mbi kokë dhe mbijetesa ndaj thatësirës dhe dimrave të ashpër.
Ekziston një dëshirë brenda Afganistanit që talebanët të kenë një lloj pranimi ndërkombëtar, edhe nëse nuk është njohje, në mënyrë që ekonomia të lulëzojë.
Opinioni publik është shumë më i rëndësishëm dhe më me ndikim sot, se sa ishte gjatë sundimit të talebanëve në vitet ‘90, ka bërë të ditur Abbas.
“Presioni i brendshëm nga afganët e zakonshëm do ta lërë Kandaharin pa zgjidhje të dytë dhe do të bëjë një ndryshim”.
Por mund të duhen vite që pasojat e ndalimit të godasin burrat afganë dhe të shkaktojnë një stuhi trazirash. Tani për tani, të prekura janë vetëm vajzat dhe janë kryesisht gratë ato që kanë protestuar kundër kufizimeve të shumta.
Agha ka thënë se afganët do ta mbështesin ndalimin nëse qëllimi përfundimtar është të zbatohet hixhabi, shamia islame dhe të përfundojë përzierja gjinore. Por ata nuk do ta bëjnë nëse është thjesht për t’i dhënë fund arsimimit të vajzave.
“Unë mendoj se vetëm kombi mund të udhëheqë”, shtoi ai.
Përktheu: Forca Jashari