Botë

Sarkozy thotë se s’ka frikë të shkojë në burg

Nicolas Sarkozy

Foto: Associated Press

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy, i cili pritet të fillojë të martën dënimin ndaj tij me pesë vjet burgim, ka thënë se nuk ka frikë të shkojë në burg, raportoi La Tribune Dimanche.

Ai është dënuar këtë muaj për përpjekje për të mbledhur fonde për fushatën e tij nga Libia në vitin 2007

Sarkozy, i cili pritet të nis vuajtjen e burgimit në burgun Sante të Parisit më 21 tetor, i ka thënë gazetës se kishte përgatitur tashmë valixhet dhe ndihet i qetë përpara fillimit të dënimit të tij.

"Nuk kam frikë nga burgu. Do ta mbaj kokën lart, madje edhe para portave të Sante”, ka thënë Sarkozy, duke shtuar se nuk do të kërkojë ndonjë privilegj të veçantë.

Ish-presidenti i ka thënë La Tribune Dimanche se nuk dëshiron të ankohet ose të mëshirohet gjatë burgimit të tij. 

Ai planifikon ta kalojë kohën e tij në burg duke shkruar një libër, sipas gazetës. 

Sarkozy, i cili ka udhëhequr Francën nga viti 2007 deri në vitin 2012, është shpallur fajtor për konspiracion kriminal, pasi kishte siguruar fonde për kandidaturën e tij të suksesshme presidenciale të vitit 2007 nga Libia, gjatë sundimit të diktatorit të ndjerë Muamar Gadafi.

Sarkozy gjithmonë ka thënë se është i pafajshëm dhe ka apeluar dënimin e tij.