Botë

Si i shpenzon paratë njeriu më i pasur në botë?

Elon Musk

Shefi i Teslas, Elon Musk, ka qenë prej vitesh një nga njerëzit më të pasur në botë. Megjithatë, shpesh ka theksuar se jeton një jetë mjaft të thjeshtë dhe pa shumë luks, shkruan BBC.

Në vitin 2021, Musku ka thënë se jeton në një shtëpi në Teksas që kushton rreth 50 mijë dollarë. Ish-partnerja e tij, këngëtarja Grimes — me të cilën ka dy fëmijë — i tha revistës Vanity Fair në vitin 2022 se jeta e tij nuk është aspak e shfrenuar apo plot lukse të tepruara, siç mendojnë shumë njerëz.

Edhe pse hapësira e tij e përditshme nuk është luksoze siç mund të pritej, Musk njihet për dashurinë ndaj veturave unike — përfshirë një që mund të shndërrohet në nëndetëse. Ai gjithashtu zotëron disa aeroplanë privatë, që vlejnë miliona dollarë.

Dikur, Musk kishte numër të madh pronash. The Wall Street Journal raportoi në vitin 2019 se ai kishte shpenzuar rreth 100 milionë dollarë për blerjen e shtatë shtëpive brenda afërsisht shtatë vjetësh, shumica në lagjen prestigjioze Bel-Air të Kalifornisë. Këto prona përfshinin pishina, fusha tenisi, bodrume, një bibliotekë private dhe madje edhe një sallë balloje.

Por në vitin 2020, Musku ndryshoi mendje, duke njoftuar se do t’i shiste pothuajse të gjitha pasuritë e tij materiale dhe se nuk do të zotëronte më asnjë shtëpi.

“Nuk kam nevojë për para. Jam i përkushtuar ndaj Marsit dhe Tokës. Prona vetëm të rëndon”, shkroi ai.

Në vitin 2021, Musku deklaroi në rrjetet sociale se “shtëpia e tij kryesore” ishte një shtëpi modeste që i kushtoi rreth 50 mijë dollarë. Një vit më vonë, ai ka thënë se nuk kishte asnjë shtëpi në pronësi, duke e përdorur këtë si shembull se sa pak shpenzon, pavarësisht pasurisë së tij të madhe.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për vetura, historia është ndryshe.

Ndër automjetet që zotëron është një Ford Model T, një veturë e shekullit XX që konsiderohet si automjeti i parë i përballueshëm që revolucionarizoi industrinë e automobilave.

Më e veçanta është Lotus Esprit e vitit 1976, e përdorur nga James Bond në filmin e vitit 1977 The Spy Who Loved Me. Në film, vetura – e quajtur “Wet Nellie” – mund të shndërrohej në nëndetëse. Musku e bleu këtë veturë në ankand në vitin 2013 për gati 1 milion dollarë, me synimin për ta kthyer përsëri në një automjet funksional nënujore.

Musk ka pranuar se aeroplanët janë një tjetër gjë ku i pëlqen të shpenzojë, por këmbëngul se kjo lidhet me përkushtimin ndaj punës.

“Nëse nuk përdor aeroplanin, atëherë kam më pak orë për të punuar”, ka thënë ai në një intervistë për TED në vitin 2022.