Ukraina ka goditur një fabrikë kimike ruse me raketa “Storm Shadow”, ka bërë të ditur ushtria e saj të martën, duke iu referuar armës me rreze të gjatë veprimi të prodhuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Duke e quajtur sulmin "një goditje të suksesshme" që depërtoi në sistemin rus të mbrojtjes ajrore, shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës ka thënë se tani po vlerësojnë rezultatin e sulmit "masiv".
Pak orë më vonë, Rusia nisi një sulm të rëndë me dronë dhe raketa në disa rajone ukrainase, duke lënë gjashtë të vdekur, përfshirë dy fëmijë, sipas presidentit Volodymyr Zelensky.
Ndërprerje emergjente të energjisë elektrike pati në Kiev, si dhe në rajonet e Kievit dhe Dnipropetrovskut. Raportet thanë se Rusia kishte synuar termocentralet.
Dy persona janë vrarë në sulmet në kryeqytet, dhe një grua dhe dy fëmijë janë vrarë në rajonin më të gjerë të Kievit, kanë thënë zyrtarët.
Ndërkohë, autoritetet ruse nuk kanë komentuar ende për sulmin ndaj fabrikës kimike të Bryansk, megjithëse e kanë paralajmëruar Perëndimin të mos i japë Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi.
Ushtria ukrainase ka thënë se ishte e domosdoshme të shënjestroheshin objektet ruse që luajnë një rol kyç në luftën e Moskës kundër Ukrainës.
“Fabrika kimike e Bryansk është një objekt kyç i kompleksit ushtarako-industrial të shtetit agresor", ka thënë ajo në X.
Sipas ushtriaë ukrainase, fabrika "prodhon barut, eksplozivë dhe përbërës të karburantit të raketave që përdoren në municione dhe raketa të përdorura nga armiku për të bombarduar territorin e Ukrainës".