Autoritetet amerikane kanë thënë se do të ketë masa të shtuara të sigurisë për gjysmëfinalen e Botërorit mes Anglisë dhe Argjentinës, që zhvillohet të mërkurën mbrëma.
Bëhet fjalë për ndeshjen me rivalitetin thuajse më të madh në futbollin ndërkombëtar. Anglia do të tentojë ta mposht kampionen në fuqi dhe të paraqitet në finalen e parë që nga viti 1966.
Policia e Atlantas në SHBA është në dijeni të tensioneve historike midis dy vendeve. Britania dhe Argjentina luftuan në “Luftën e Ishujve Falkland” në vitin 1982. Ajo luftë 74 ditore kishte edhe viktima – 649 ushtarë argjentinas, 255 ushtarë britanikë dhe tre civilë.
Territori që kontrollohet nga Britania, mbetet subjekt i një mosmarrëveshjeje për sovranitetin nga të dy vendet.
“Departamenti i Policisë ka përmirësuar sigurinë publike në të gjithë qytetin. Personel dhe burime shtesë janë vendosur tashmë dhe do të vazhdojnë të caktohen strategjikisht në dhe përreth vendeve me tifozë, në zonat e argëtimit dhe në zonat e tjera, për të ndihmuar në sigurimin e një përvoje të sigurt dhe të këndshme për të gjithë”, thuhet në deklaratën e policisë.