Përtej poetikës e estetikës muzikore, mesazhet për paqe, shpresë e mirësi janë sjellë me vargje e ritme në një epokë të trazuar nga luftërat me madhështinë e Beethovenit në koncertin me “Fantazinë korale” dhe “Simfoninë e Nëntë” të Filharmonisë së Kosovës. Ka qenë një lloj nderimi për kompozitorin gjerman e festë për trashëgiminë e çmueshme të tij
Me ndjenja të forta dhe emocione të thella mund të përshkruhet koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës. Në thelb është një tjetër përjetim shpirtëror nëpër partiturat e një prej gjenive të muzikës klasike botërore. “Fantazia korale” dhe “Simfonia e Nëntë” e Beethovenit kanë qenë plot harmoni e dramë bashkë të zbërthyera në kompleksitetin e thellësinë muzikore. Përtej poetikës e estetikës muzikore, mesazhet për paqe, shpresë e mirësi janë sjellë me vargje e ritme në një epokë të trazuar nga luftërat.
Orkestra e Kori i Filharmonisë së Kosovës, në bashkëpunim me formacionin koral të Operës së Kosovës si dhe me solistë, nën drejtimin e dirigjentit, Toshio Yanagisawa, kanë qenë armata e koncertit madhështor në “Sallën e Kuqe” të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Ka qenë një lloj nderimi për 255-vjetorin e lindjes së kompozitorit gjerman, Ludvig van Beethoven, e festë për trashëgiminë e çmueshme që u ka lënë brezave të muzikantëve edhe dy shekuj pas.
Po kaq e vjetër është “Simfonia e Nëntë” e tij, një prej kryeveprave të historisë botërore të muzikës. Është e veçantë në shumë dimensione. Për dëgjuesin e rëndomtë, për kënaqësinë që sjell përjetimi i saj, për mesazhet e saj si thirrje radikale për barazi, liri dhe unitet, ndërsa për literaturën muzikore si e para vepër në llojin e saj që ka bërë bashkë solistët, korin dhe orkestrën.
Vepra, por edhe koncerti si tërësi, ka kulmuar me kohën e fundit “Finale” që njihet edhe si “Ode gëzimi” dhe ku përfshihen edhe kori e solistët.
Me sopranon Zana Abazi-Ramadani, mexosopranon Olga Podgornaya, tenorin Denis Skura dhe baritonin bullgar Ivo Yordanov, përcjellë me interpretim dramatik nga Kori e Orkestra, jehona e kësaj pjese ka qenë mesazh i fuqishëm për publikun në kuptimin e simbolikave që ka kjo pjesë.
Dirigjenti Yanagisawa ka thënë se vepra i përshtatet secilës kohë, edhe asaj të sotme të mbushur me luftëra e konflikte.
“‘Ode gëzimit’ ka kuptim të veçantë për të gjithë muzikantët dhe publikun sepse është një revolucion i njerëzimit. Të gjithë këndojnë, duhet të jenë së bashku, duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin, na duhen marrëdhënie të mira. Këtë kuptim ka. Se të gjithë njerëzit janë si vëllezër. Beethoven e ka shkruar këtë këngë dyqind vjet më parë, por ne ende e këndojmë sepse është vepër e rëndësishme, edhe në këtë kohë. Në një kohë me luftëra, shpresojmë për paqe dhe marrëdhënie të mira që promovohen nëpërmjet muzikës”, ka thënë ai.
Zëri i baritonit bullgar Ivo Yordanov që sjell mesazhet e para në këtë pjesë.
Atyre u është referuar derisa e ka konsideruar veprën në përgjithësi si më të rëndësishmen të literaturës së muzikës klasike.
“Mbase ky është kompozimi më i rëndësishëm i muzikës klasike, për shkak të fjalëve, të ideve që qëndrojnë prapa këtyre fjalëve. Edhe për shkak të thirrjes globale për vëllazërim që duhet të qëndrojmë së bashku, të kuptojmë njëri-tjetrin dhe ta duam, të gjejmë ura që na bashkojmë dhe nuk na ndajmë. Diçka që është përherë aktuale, gjithmonë e drejtë dhe që kurrë nuk ndodh. Me shpresë që duke i përsëritur këto fjalë sa më shumë, mbase një ditë njerëzit do t’i kuptojnë”, ka theksuar ai.
Kapitulli tjetër i koncertit qe vepra “Fantazi korale” e Beethovenit. Në rolin e solistëve kanë interpretuar sopranot Elonë Sadiku dhe Arta Jashari, altoja Diellza Sylejmani, tenorët Rizah Jahaj e Etrit Nura dhe basi Harris Bajraktari.
Pjesa virtuoze me piano është uvertura e veprës. Interaktiviteti i butë me instrumentet tjera e bën këtë pjesë tejet të këndshme. Loja solo është nëpër partitura derisa krejt instrumentet kumbojnë dhe mblidhen në një vijë melodike.
Pianistja Lule Elezi ka qenë soliste në këtë vepër. E ka vlerësuar unike dhe shumë interesante veprën.
“Kisha nderin dhe privilegjin që ta luaj këtë vepër për herë të parë në Kosovë, pra ‘Fantazia korale’ e kompozitorit gjenial, Ludvig van Beethoven, së bashku me Orkestrën dhe Korin e mrekullueshëm të Filharmonisë së Kosovës, e po ashtu edhe të Operës. Ishte një mbrëmje vërtetë madhështore që shumë gjatë do të mbetet në kujtesën time, me maestro Toshio Yanagisawa, një maestro fantastik me të cilin kam pasur rastin edhe më parë të bashkëpunoj, para dhjetë vjetësh”, ka deklaruar ajo.
Koret për këtë koncert u përgatitën nga dirigjenti Hajrullah Syla.
Koncerti i radhës do të mbahet më 29 tetor në Prishtinë. Deri në këtë kapitull, publiku i muzikës klasike mbetet me momentet e paharruara të muzikës unike të Beethoven. Dhe të mesazheve që përcjell në kohë trazirash e luftërash.