Armando Broja po jep shenja se po e gjen formën e duhur. Të shtunën sulmuesi i Shqipërisë luajti prej minutës së 65-të për Burnleyn. Menjëherë në minutën e 67-të kjo skuadër pësoi për 1:0 në ndeshjen në udhëtim kundër Bournemouthit. Por në minutën e 90-të, Broja shënoi me goditje me kokë për barazimin 1:1 dhe për pikë të rëndësishme për skuadrën e tij.
Për 24-vjeçarin ishte goli i parë në 11 paraqitje në Premier League me Burnleyn. Dhe po ashtu goli i parë pas një kohe shumë të gjatë në nivel klubesh. Së fundi në fakt realizoi më 14 tetor në fitoren 4:2 të Shqipërisë në miqësore ndaj Jordanisë. Me Shqipërinë kishte shënuar edhe më 3 qershor të vitit të kaluar, ndërsa me klub së fundi kishte shënuar sa ishte te Chelsea, më 6 janar 2024. Në Premier League goli i kaluar i Brojës ishte më 2 tetor 2023.
“Është ndjenjë e shkëlqyer, të jem i sinqertë. Goli nuk do të mund të vinte në moment më të mirë”, ka theksuar Broja.
“Po ndihem shumë mirë dhe goli erdhi në kohë të përkryer për mua dhe për ekipin”.
Burnley është vetëm në pozitën e parafundit në Premier League me 11 pikë. Për këtë skuadër secila pikë është e rëndësishme.
“Bournemouthi është ekip vërtetë i mirë dhe e kemi ditur se sa ekip i rrezikshëm mund të jetë. Por mendoj se jemi paraqitur gjithnjë e më të mirë gjatë ndeshjes. Ishte betejë gjatë gjithë ndeshjes. Ishim me fat që u larguam me barazim. Ndoshta kemi mundur ta shënojmë edhe golin e fitores, por e pranojmë pikën dhe shikojmë para”, ka shtuar Broja.
Kryesisht për shkak të lëndimeve ai nuk ia doli te Chelsea. Pati periudha huazimi te Vitesse, Southamptoni, Fulhami e Evertoni.
Më 8 gusht firmosi me Burnleyn për pesë vjet. Shpreson që te kjo skuadër ta kthejë karrierën në rrugën e duhur.
Me golin e Brojës, Burnley i dha fund serisë prej shtatë humbjeve.
“Nuk është e lehtë kur je poshtë në tabelë në Premier League dhe të gjithë e dinë këtë. Mund të jetë shumë e vështirë dhe ndonjëherë mund të jetë shumë e pamëshirshme. Shtatë humbje rresht nuk ishin aspak të lehta për ne. Por kjo mori fund dhe tani duhet të përfitojmë prej kësaj pike dhe të ecim përpara”, thotë Broja.
Burnley të shtunën e ardhshme e pret Evertonin, njërën prej ish-skuadrave të Brojës. Ndoshta do të jetë rast i mirë që sulmuesi shqiptar të startojë dhe ta udhëheqë skuadrën drejt fitores së parë pas një kohe të gjatë.