Futboll

Broja transferohet te Burnley

Armando Broja

Burnley e ka kompletuar transferimin e Armando Brojës nga Chelsea për një shumë të parave që besohet të jetë 23 milionë euro. Sulmuesi i Shqipërisë ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare në “Turf Moor” dhe është bërë futbollisti i dytë këtë javë që transferohet nga Chelsea, bashkë me Lesley Ugochukwu, që po ashtu bëri lëvizje te Burnley, shkruan BBC-ja të premten.

“Me të vërtetë është koha e duhur për t’iu bashkuar këtij klubi, para nisjes së sezonit të ri të Premier Leagues. Mezi pres që ta nis aventurën”, ka deklaruar Broja për faqen zyrtare të klubit.

“Po ndihem mirë, jam gati dhe i emocionuar për këtë sfidë të re, me këtë klub të ri. Tashmë jam duke e ndier përkrahjen nga tifozët e Burnleyt. Mund t’ju them se do ta jap çdo gjë nga vetja për fanellën e Burnleyt”.

23-vjeçari ka luajtur për herë të parë për Chelsean në vitin 2020 dhe i pati 38 paraqitje për “blutë” në të gjitha garat.

Megjithatë, për shkak se nuk zuri vend në formacionin titullar, ai kaloi kohë si i huazuar te Vitesse, Southamptoni, Fulhami dhe Evertoni, në edicionet e fundit.

Broja është bërë transferimi i nëntë i Burnleyt në këtë afat kalimtar veror dhe i është bashkuar menjëherë skuadrës para ndeshjes miqësore të vikendit ndaj Lazios.

Ekipi i drejtuar nga Scott Parker e nis kampanjën e Premier Leagues të shtunën më 16 gusht, në udhëtim te Tottenhami.