Një supergol i Granit Xhakës në minutën e 12-të i hapi rrugë një tjetër fitoreje të madhe të Bayer Leverkusenit.
Të dielën pasdite, Leverkuseni fitoi 5:1 ndaj Eintracht Frankfurtit. Ndeshja në Frankfurt i takoi xhiros së 32-të të Bundesligës gjermane.
Leverkuseni nuk di për humbje në këto 32 xhiro, madje edhe për kohë më të gjatë. Skuadra e Xabi Alonsos, që lider të mesfushës e ka Xhakën, është në seri të mahnitshme prej 48 ndeshjeve pa humbje.
Leverkuseni e ka siguruar titullin e kampionit të Gjermanisë, për herë të parë në histori. Tani është dy ndeshje larg që ta përfundojë gjithë edicionin pa pësuar disfatë. Asnjë skuadër gjermane nuk e ka arritur këtë.
Me fitoren e së dielës, Frankfurti ka barazuar rekordin e Benficës, sa i takon futbollit evropian, për ndeshje pa humbje. Sa i takon pesë ligave të mëdha, Bayer Leverkuseni tashmë e ka vendosur rekordin dhe vazhdon ta forcojë atë.
Pas golit të hershëm të Xhakës me goditje nga distanca, Frankfurti barazoi në 1:1 në minutën e 32-të. Realizator ishte Hugo Ekitike.
Por Leverkuseni u përgjigj edhe më fuqishëm. Patrick Schick shënoi për 2:1 në minutën e 44-t. Në pjesën e dytë realizuan edhe Exequiel Palacios, Jeremie Frimpong e Victor Boniface.
Palacios e Boniface shënuan nga pika e bardhë.
Xhaka la fushën në minutën e 72-të pasi kreu punën me sukses të plotë dhe fitorja u sigurua.
Leverkusenin e presin potencialisht edhe pesë ndeshje deri në fund të kampanjës së jashtëzakonshme.
Më 9 maj e luan ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Evropës ndaj Romës. Në Romë, Leverkuseni kishte fituar 2:0, të enjten. Më pas i ka ndeshjet me Bochumnin dhe Augsburgun në Bundesligë, më 12 e 18 maj.
Më 25 maj luan në finale të Kupës së Gjermanisë me Kaiserslauternin. Nëse ndahet mirë me Romën në gjysmëfinalen e dytë, Bayeri do të paraqitet edhe në finale të Ligës së Evropës, që në program është më 22 maj.
Në Bundesligë, Bayer Leverkuseni udhëheqë me 84 pikë. Tani e presin javë vendimtare për të thyer rekordin e veçantë të Gjermanisë dhe për të shtuar edhe dy trofe.
Xhaka i ka tri gola në Bundesligë. Por kontributi i tij në lojë është vazhdimisht shumë i lartë. Kështu ishte edhe të dielën, kur kontributit të zakonshëm ia shtoi edhe një supergol.
Xhaka shënon eurogol nga distanca
🇩🇪 Goal: Granit Xhaka | Eintracht Frankfurt 0-1 Bayer Leverkusen
— FootColic ⚽️ (@FootColic) May 5, 2024
Xhaka !! What a banger...pic.twitter.com/p3fsQvA0ZA
Xhaka shënoi nga distanca në minutën e 12-të pas një pasimi nga Adam Hlozek për 0-1.
Frankfurti po lufton që të sigurojë një vend në tabelë për Europa League