Kosova i ka mësuar të premten mbrëma kundërshtarët e mundshëm në Kupën e Botës 2026 në futboll.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është në plejofin evropian për kualifikim në Botëror. Nëse kalon plejofin me sukses, përkatësisht nëse eliminon dy kundërshtarët që i ka rrugës, Kosova në Botëror do të jetë pjesë e grupit D.
Në Grupin D tashmë janë SHBA-ja, Australia dhe Paraguai. Si nikoqire, SHBA-ja është vendosur në vazon e parë për short. Por nuk e ka nivelin e përfaqësueseve që në vazon e parë ishin në bazë të ranglistës. Australia ishte në vazon e dytë për short, ndërsa Paraguai në të tretën.
Me asnjërën prej këtyre përfaqësueseve nuk ka luajtur Kosova deri më tani.
Fokusi i plotë i “Dardanëve” megjithatë është te plejofi që zhvillohet në mars të vitit të ardhshëm. Më 26 mars, Kosova luan ndaj Sllovakisë në Bratislavë. Nëse e fiton atë ndeshje, më 31 mars e pret Turqinë apo Rumaninë. Dhe nëse e fiton edhe atë ndeshje, Kosova luan në Botërorin që verën e ardhshme mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë.
Në plejof është edhe Shqipëria. Rrjedhimisht edhe Shqipëria ka mësuar kundërshtarët e mundshëm për Botëror.
Nëse kualifikohet, Shqipëria do të jetë në Grupin F në Botërorin e futbollit. Në këtë grup janë edhe Holanda, Japonia e Tunizia. Holanda ishte në vazon e parë, Japonia në të dytën e Tunizia në të tretën. Grupi i Shqipërisë vlerësohet më i vështirë se ai i Kosovës.
Shqipëria në gjysmëfinale të plejofit luan me Poloninë në udhëtim. Nëse e mposht Poloninë, sërish në udhëtim përballet me Ukrainën apo Suedinë.
Ceremonia e shortit është mbajtur të premten mbrëma në Washington. Ceremonia zgjati mbi dy orë, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump doli dy herë në skenë. Madje Trumpit iu nda Çmimi i Paqes i FIFA-s. Ky çmim u nda për herë të parë. Në arsyetimin paraprak për ndarjen e çmimit, u përmend edhe ndalja e luftës Kosovë – Serbi nga Trumpi, si dhe e disa luftërave të tjera.
Grupi L, ku janë Anglia, Kroacia, Gana e Kanadaja vlerësohet prej më të fortëve. Brazili është në Grupin C së bashku me Marokun, Skocinë e Haitin. Edhe ky grup vlerësohet i fortë. Grup interesant vlerësohet edhe ai I, ku janë Franca, Senegali e Norvegjia. Kampionia në fuqi, Argjentina, është në Grupin J së bashku me Algjerinë, Austrinë dhe Jordaninë.
Botërori 2026 do të jetë i pari me 48 përfaqësuese. Ato do të jenë të ndara në plot 12 grupe. Botërori mbahet nga 11 qershori deri më 19 korrik. Ndeshjet do të luhen në 16 qytete të ndryshme. Botërori hapet me ndeshjen Meksika – Afrika e Jugut, që zhvillohet në Mexico City më 11 qershor.
Si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë kualifikimi në Botëror do të ishte sukses i jashtëzakonshëm.
Grupi A
1. Meksika
2. Afrika e Jugut
3. Koreja e Jugut
4. Plejofi D: Danimarka, Çekia, Irlanda, Maqedonia e Veriut
Grupi B
1. Kanadaja
2. Plejofi A: Italia, Uellsi, Bosnja, Irlanda e Veriut
3. Katar
4. Zvicra
Grupi C
1. Brazili
2. Maroku
3. Haiti
4. Skocia
Grupi D
1. SHBA-ja
2. Paraguai
3. Australia
4. Plejofi C: Turqia, Sllovakia, Kosova, Rumania
Grupi E
1. Gjermania
2. Curaçao
3. Bregu i Fildishtë
4. Ekuadori
Grupi F
1. Holanda
2. Japonia
3. Plejofi B: Ukraina, Polonia, Shqipëria, Suedia
4. Tunizia
Grupi G
1. Belgjika
2. Egjipt
3. Irani
4. Zelanda e Re
Grupi H
1. Spanja
2. Kepi i Gjelbër
3. Arabia Saudite
4. Uruguai
Grupi I
1. Franca
2. Senegali
3. Plejofi 2: Iraku, Bolivia, Surinami
4. Norvegjia
Grupi J
1. Argjentina
2. Algjeria
3. Austria
4. Jordania
Grupi K
1. Portugalia
2. Plejofi 1: DR Kongo, Xhamajka, Caledonia e Re
3. Uzbekistan
4. Kolumbia
Grupi L
1. Anglia
2. Kroacia
3. Gana
4. Panama

Foda: Nëse kualifikohemi në Botëror, do të kishim grup të balancuar
Kosova i ka mësuar të premten mbrëma kundërshtarët e mundshëm në Kupën e Botës 2026.
Përfaqësuesja e Kosovës nëse kualifikohet në Botëror do të jetë pjesë e grupit D.
Në Grupin D tashmë janë SHBA-ja, Australia dhe Paraguai.
Selektori i Kosovës, Franco Foda, e ka komentuar shortin që të premten mbrëma është mbajtur në Washington.
Foda për faqen zyrtare të FFK-së ka theksuar se nëse Kosova do të kualifikohet në Botëror, grupi do të ishte shumë i balancuar.
“Australia, Paraguai dhe SHBA kanë një grup shumë interesant këtu. Por gjëja më e rëndësishme për ne është që fillimisht duhet të kualifikohemi. Na kanë mbetur edhe dy ndeshje, një ndeshje e rëndësishme si mysafire kundër Sllovakisë, duhet ta fitojmë atë. Nëse e fitojmë, atëherë do të luajmë kundër Turqisë ose Rumanisë dhe këto janë tani ndeshjet më të rëndësishme për ne. Kjo ka prioritet. Por këtu ishte një ngjarje fantastike, atmosferë e mrekullueshme. Nëse kualifikohemi për Botëror do të kishim një grup të balancuar ku gjithçka është e mundur. Por siç e përmenda, gjëja më e rëndësishme është që të kualifikohemi për Botëror. Dhe nëse kualifikohemi atëherë do të gëzohemi shumë për këto ndeshje”, ka thënë Foda.
“Dardanët” për t’u kualifikuar në Botëror duhet t’i fitojnë dy ndeshjet e plejofit që luhen në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Më 26 mars, Kosova luan në gjysmëfinale ndaj Sllovakisë në Bratislavë. Nëse e fiton atë ndeshje, më 31 mars e pret Turqinë apo Rumaninë. Dhe nëse e fiton edhe atë ndeshje, Kosova luan në Botërorin që verën e ardhshme mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë.
Ademi për KOHËN pas shortit: Të gjitha ekipet janë për t’u respektuar
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se shorti i Botërorit ka vënë përballë ekipe që janë për t’u respektuar.
Kosova, nëse kualifikohet në Botëror, do të jetë në grup me SHBA-në, Paraguain dhe Australinë.
Ademi për KOHËN u shpreh se në futboll sot nuk është asgjë e sigurt.
“Sa i përket grupit, ai mund të konsiderohet i mirë. Të gjitha ekipet janë për t’u respektuar, sepse fakti që janë kualifikuar do të thotë se janë skuadra të forta. Sot në futboll asgjë nuk është e sigurt, dhe secila përfaqësuese që arrin në Botëror mund të shpallet kampione e grupit. Futbolli është avansuar dhe zhvilluar në gjithë botën”, ka thënë ai.
Ai shpreson se në dy ndeshjet e mundshme në mars të jenë të kompletuar.
“Kosova ka edhe dy ndeshje shtesë për të siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës. Uroj që në këto dy sfida të jemi të kompletuar dhe në formë të mirë, pa lëndime dhe mungesa. Shpresoj që Gladiatorët Dardanë ta kenë edhe fatin me vete dhe të sigurojmë biletën për Botërorin 2026”, shtoi Ademi.
Xhaka “i gëzohet” grupit të Zvicrës
Granit Xhaka ka vlerësuar shortin e Zvicrës për Botërorin 2026.
Zvicra, që për kapiten e ka Xhakën, është në Grupin B së bashku me Kanadanë, Katarin dhe fituesin e plejofit ku janë Italia, Irlanda e Veriut, Bosnjë-Hercegovina dhe Uellsi.
“Një grup ‘cool’, me kundërshtarë interesant. Natyrisht, do të jetë disi e veçantë të luajmë ndaj nikoqires së Botërorit, Kanadasë. Atmosfera do të jetë e shkëlqyer”, ka thënë Xhaka.
Në Zvicër e kanë vlerësuar shumë të mirë shortin.
“Qartë se është një grup atraktiv dhe i mirë, në të cilin ne absolutisht duam të kualifikohemi në fazën nokaut. Si ekip dhe po ashtu shikuesit, duhet të presim ndeshje të mira”, ka thënë selektori i Zvicrës, Murat Yakin.
Kosova, kundërshtarja e vetme e mundshme me të cilën nuk është përballur SHBA-ja
SHBA-ja ka bilanc pozitiv me Australinë e Paraguain, dy kundërshtarët e konfirmuar në Botërorin 2026. Ndërkohë amerikanët kanë ndeshje të luajtura me Turqinë, Rumaninë e Sllovakinë, tri kundërshtaret e mundshme në grupin e botërorit. Kundërshtarja e katërt e mundshme është Kosova, që nuk është përballur asnjëherë me SHBA-në.
“USA Today” ka vlerësuar se përfaqësuesja evropiane pritet të jetë kundërshtarja kryesore e SHBA-së në grup.
“Ne duhet të jemi optimistë”, ka thënë selektori i SHBA-së, Mauricio Pochettino. “Duhet të besojmë se mund të avancojmë tutje, por duhet të performojmë”, ka shtuar trajneri i njohur.
Nëse kualifikohet në Botëror, Kosova do të luajë me SHBA-në më 25 qershor.
Tek Australia i gëzohen shortit
Në Australi e vlerësojnë të përshtatshëm shortin për Botëror. Kosova është kundërshtar i mundshëm i Australisë në grupin ku janë edhe SHBA-ja dhe Paraguai.
Në Australi vlerësojnë faktin që nuk e kanë asnjë përfaqësuese të madhe në grup. Kundërshtari evropian i Australisë do të përcaktohet përmes plejofit që luhet në mars.
“Ka ende gjëra të panjohura. E kemi ndeshjen e parë me fituesin e plejofit C evropian, por jemi të entuziazmuar. Kupa e Botës është gjithnjë e vështirë dhe ne kemi grup të vështirë. Por po shikojmë para drejt sfidës që është para nesh”, ka thënë selektori i Australisë, Tony Popovic.
New York Times: Kosova në Botëror, ide shumë romantike
Mediumi i njohur amerikan, New York Times, ka bërë një analizë të plejofit C evropian për kualifikim në Botëror. Fituesi i këtij plejofi në Botëror do të jetë në grup me SHBA-në.
NYT ka favorizuar Turqinë për ta fituar plejofin C. Ndërkohë Kosovës nuk i ka dhënë shumë gjasa.
“Ideja që Kosova të arrijë në Kupën e Botës është shumë romantike. Ajo do të ketë vështirësi të kalojë Sllovakinë, dhe, nëse Rumania nuk bën ndonjë befasi, Turqinë”, ka shkruar NYT.
Selektori i Paraguait flet për shortin, vlerëson plejofin ku është Kosova
Nëse kualifikohet në Botëror, Kosova do të luajë me Paraguain në fazën grupore. Paraguai është vend në Amerikën e Jugut. Për selektor e ka argjentinasin Gustavo Alfaro.
Ai ka folur për shortin, duke vlerësuar kundërshtarin që vjen nga plejofi evropian.
Në Grupin D janë edhe SHBA-ja dhe Australia.
“Është një grup i barabartë, ndonëse ende duhet të mësojmë kundërshtarin e plejofit”, ka thënë Alfaro.
“Faza përgatitore do të jetë vendimtare. Plejofi po ashtu do të jetë kompleks. E dimë që ekipi që vjen nga plejofi do të jetë në nivel me SHBA-në, me ne dhe me Australinë”, ka thënë selektori i Paraguait.
Me përfaqësuesen e plejofit, pra ndoshta me Kosovën, Paraguai e luan ndeshjen e dytë në grup.
Kosova nuk ka luajtur me asnjërin prej kundërshtarëve të mundshëm të Botërorit
Nëse Kosova e kalon Sllovakinë në gjysmëfinale të plejofit të Botërorit 2026 dhe më pas njërën prej Turqisë apo Rumanisë e mposht në Prishtinë më 31 mars, do të jetë në Grupin D në verën e vitit të ardhshëm.
Në Grupin D përveç Kosovës, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Paraguai dhe Australia.
Kosova nuk ka luajtur asnjëherë me ndonjërën prej këtyre kundërshtarëve të mundshëm për Botërorin që organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA.
Ndërkohë, Shqipëria ka luajtur vetëm me Holandën, ndërsa nuk është ballafaquar ndonjëherë me Japoninë apo Tunizinë.
Shqipëria ka luajtur në katër ndeshje me Holandën dhe i ka të gjitha humbje.
Në kualifikimet për Kupën e Botës 1966, Shqipëria i humbi të dyja ndeshjet kualifikuese 2:0 në vitin 1964. Në kualifikimet për Evropianin 2008, Shqipëria humbi 2:1 në udhëtim dhe 1:0 në shtëpi. Golin e vetëm në përballjet ndaj holandezëve e shënoi Debatik Curri.
Shqipëria duhet që ta kalojë fillimisht Poloninë në udhëtim më 26 mars, e më pas po në udhëtim, luan në finale të plejofit më 31 mars ndaj fituesit të ndeshjes Ukraina – Suedia.
Këto katër përfaqësuese janë në Grupin F.
Nëse kualifikohet, Shqipëria luan me Holandën, Tunizinë e Japoninë
Shqipëria do të luajë në Grupin F nëse kualifikohet në Botërorin 2026.
Në këtë grup janë edhe Holanda, Japonia e Tunizia. Për kualifikim, Shqipëria duhet të eliminojë dy kundërshtarë.
Nëse kualifikohet, Kosova në grup me SHBA-në, Paraguain e Australinë
Nëse kualifikohet në Botëror, Kosova do të luajë në një grup me SHBA-në, Paraguain dhe Australinë.
Kosova do të luante në Grupin D.
Por së pari i duhet të kalojë Sllovakinë e më pas ndeshjen finale.
Mësohet ndeshja e parë e Botërorit
Ndeshja e parë e Botërorit 2026 në Kanada, Meksikë dhe SHBA do të jetë ajo mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut.
Ky ballafaqim do të luhet më 11 qershor në Mexico City.
Anglia e Kroacia në një grup
Anglia e Kroacia do të luajnë në një grup në Botërorin 2026.
Shorti që është duke u tërhequr ka përcaktuar që Anglia e Kroacia të jenë në Grupin L.
Anglia ishte në vazon e parë, ndërsa Kroacia në të dytën.
Zvicra në grup me Kanadanë
Zvicra e Granit Xhakës do të luajë në Grupin B të Botërorit.
Kundërshtare e Zvicrës nga vazoja e parë është Kanadaja. Short shumë i mirë për “helvetikët”.
Përfaqësueset e mëdha vendosen në grupe
Ka përfunduar shorti për përfaqësueset e vazos së parë për Botërorin 2026.
Tashmë të gjitha përfaqësueset e mëdha i dinë grupet e tyre. Kampionia në fuqi, Argjentina është në grupin J.
Anglia është në L, kurse Brazili në Grupin C.
Në radhë është shorti për përfaqësueset e vazos së dytë.
Kanadaja, përfaqësuesja e parë e tërhequr në short
Më në fund ka nisur pjesa e tërheqjes së shortit për Botërorin 2026.
Kanadaja është tërhequr e para dhe është vendosur në grupin B.
Meksika është në Grupin A, ndërsa SHBA-ja në Grupin D.
Në atë që duket e përgatitur, emrin e SHBA-së e tërhoqi presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
FIFA ia jep Trumpit çmimin e paqes për ndaljen e 8 luftërave, përfshirë atë Kosovë - Serbi
Në ceremoninë e shortit për Botërorin 2026, FIFA i ka ndarë presidentit të SHBA-së, Donald Trump, çmimin e paqes, “FIFA Peace Price”.
Pos një trofeu, Trumpit i është ndarë edhe një medalje, të cilën presidenti i SHBA-së e vendosi menjëherë në gjoks.
Në një prezantim për dhënien e çmimit, është përmendur se Trumpi ndaloi tetë luftëra, përfshirë atë mes Kosovës dhe Serbisë.
“Është vërtet një nga nderimet më të mëdha të jetës sime. Shpëtuam miliona jetë - Kongoja si shembull, 10 milionë vdiqën, ata po shkonin drejt 10 milionëve të tjerë shumë shpejt. Gjithashtu me Indinë dhe Pakistanin, ne gjithashtu ndaluam luftërat që të ndodhnin pak para se të fillonin. Bota është një vend më i sigurt tani”, ka thënë Trump pasi pranoi çmimin.
Infantino flet mbi gjashtë minuta
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka mbajtur një fjalim shumë të gjatë në ceremoninë e tërheqjes së shortit për Botërorin 2026.
Ai ka folur për çështje të shumta, ndërsa më pas ka udhëhequr thirrjet e të pranishmëve për SHBA-në, Kanadanë e Meksikën.
Ceremonia përmban pika të shumta artistike. Robbie Williams dhe Nicole Scherzinger kanë kënduar një këngë së bashku.