Futboll

Te Shqipëria po përgatiten për "ndeshje të vështirë emocionale"

Shqipëria

Te Shqipëria po punojnë që ndeshjes me Serbinë t'i qasen si të gjitha ndeshjeve tjera. Por mbrojtësi Arlind Ajeti pranon se emocionet do të jenë "më ndryshe".

Serbia e Shqipëria përballen të shtunën mbrëma në Leskovc. Ndeshja i takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

"Normalisht që emocionet i kemi para çdo ndeshjeje. Mundohemi ta shohim këtë vetëm si një ndeshje futbolli, për të qenë profesionistë në çdo aspekt. Synimi është të shkojmë, të japim maksimumin dhe të marrim tri pikët. Ndeshja do të jetë e vështirë, si në aspektin futbollistik ashtu edhe në atë emocional, por do të jemi profesionistë", ka thënë Ajeti të mërkurën në konferencë për shtyp.

Ai e di se kuqezinjtë do të sfidohen nga sulmuesit cilësorë të Serbisë.

Ka përmendu Aleksandar Mitroviqin dhe Dushan Vlahoviqin.

"Besoj që Serbia në çdo repart ka futbollistë të mirë, me cilësi të lartë. Ka edhe në sulm. Ka lojtarë si Mitroviq, që fizikisht është shumë i fortë dhe Vlahoviq, i cili kohët e fundit ka zhvilluar ndeshje të mira me Juventusin. Besoj që do ta analizojmë çdo lojtar më saktësisht dhe do të jemi të përgatitur për çdo rast", ka theksuar mbrojtësi i qendrës. Ai pritet të startojë të shtunën.

Në qershor, Shqipëria e Serbia luajtën pa gola në Tiranë.

"Atje do të jetë më e vështirë, sepse çdo ndeshje jashtë është më e vështirë se në shtëpi, pasi kanë edhe tifozët. Ne nuk i kemi, por do të japim maksimumin, siç kemi bërë në çdo ndeshje, dhe shpresojmë që t’ia dalim", ka theksuar Ajeti.

Për fitore në Leskovc foli edhe sulmuesi Armando Broja. Ai ka theksuar se më i rëndësishëm se goli është fitorja.

"Për mua më e rëndësishme është të fitojmë ndeshjen, të marrim tri pikët, rezultatin që na duhet. Normalisht, kam qejf të bëj gola, por më e bukura është të fitojmë ndeshjen dhe të ndihmoj ekipin me pasime, topa dhe gola, nëse do të kem mundësi. Por, më e rëndësishme për mua është të fitojmë dhe të marrim tri pikët", ka theksuar Broja, që po ashtu pritet të startojë  në stadiumin "Duboçica".

Broja e di që është ndeshje e madhe kurse thekson se kuqezinjtë janë të bashkuar.

Broja beson fuqishëm që Shqipëria do të jetë në Botërorin që vitin e ardhshëm mbahet në SHBa, Kanada e Meksikë.

"Kemi shanset maksimale. Kemi një grup të vështirë me Anglinë dhe Serbinë. Të gjitha ekipet kanë shanset e tyre, por ne do të luftojmë deri në fund. Jemi të fokusuar për ndeshjen e radhës dhe duam të fitojmë", ka theksuar njëri prej lojtarëve më të rrezikshëm të kuqezinjve.

Shqipëria përballet me mungesa të rëndësishme për finalen e së shtunës.