Disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas një aksidenti në rrugën Prishtinë-Pejë, afër Komoranit.
Sipas njoftimit, në aksident janë përfshirë pesë vetura.
“Sot rreth orës 11:40, në rrugën Pejë -Prishtinë afër Komoranit, është raportuar një aksident trafiku ku të përfshira kanë qenë pesë automjete dhe disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Njësitet kompetente policore për menaxhimin e trafikut në autostradë janë duke u marrë me procedurat e nevojshme të vendit të ngjarjes dhe identifikimin e shkaktarëve të këtij aksidenti”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia po ashtu ka njoftuar se ka pasur raportime edhe për aksidente të tjera derisa ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik në veçanti te shoferët e automjeteve që të jenë vigjilent gjatë ngasjes, përkatësisht kujdes të shtuar të kenë gjatë periudhave kur ka reshje atmosferike dhe kur zvogëlohet dukshmëria dhe rrugët bëhen të rrëshqitshme.
Ambulanca e Spitalit të Pejës aksidentohet nga vetura në të cilin ishin familjarët e pacientit
Spitali i Pejës ka njoftuar se të enjten gjatë transferimit të një pacienti për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), autoambulanca në të cilën ndodheshin pacienti, mjeku, infermieria dhe shoferi i autoambulancës, është goditur nga prapa nga një veturë ku gjendeshin familjarë të pacientit.
Si pasojë e këtij aksidenti thuhet se mjeku ka pësuar frakturë në dorë dhe është duke u trajtuar në QKUK, ndërsa infermieria dhe shoferi kanë marrë lëndime më të lehta.
Sipas njoftimit të Spitalit pacienti nuk ka pësuar lëndime.
“Pacienti është transferuar me sukses për në QKUK pas intervenimit të shpejtë nga një ekip tjetër me një autoambulancë tjetër të Spitalit tonë”, thuhet në njoftim.
Policia më herët ka njoftuar se disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas një aksidenti në rrugën Prishtinë-Pejë, afër Komoranit, por nuk e specifikoi se në ishte përfshirë një ambulancë.