Kronikë

Aktakuzë kundër tre personave për shitblerje të 12 kilogramëve narkotikë

Foto: Koha / Ilustrim

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve N.I., E.M., dhe H.H., të cilët gjenden nën masën e paraburgimit nga muaji mars, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 lidhur me nenin 275, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në njoftim thuhet se sipas aktakuzës, i pandehuri N.I., fillimisht me datë 28.02.2025, pa autorizim shet, transporton, dorëzon dhe dërgon në transit substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë - me qëllim të shitjes. 

“ ... pasi pajtohet paraprakisht përmes telefonit me blerësin, takohen në afërsi të fshatit Landovicë të Komunës së Prizrenit, të cilit ia shet substancën narkotike të llojit Marihuanë me peshë të përgjithshme (neto) prej 972.30 gram, në këmbim të vlerës prej 2 mijë e 400 euro, duke kryer kështu veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë me datën 7 mars 2025 rreth orës 21:30, i pandehuri N.I., në bashkëveprim me të pandehurit E.M., dhe H.H., thuhet se pa autorizim shesin, transportojnë, dorëzojnë dhe dërgojnë në transit substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë. 

“... pasi i pandehuri N.I., pajtohet paraprakisht përmes telefonit me blerësit e tij, takohet me të njëjtit në afërsi të fshatit Landovicë dhe pasi vërteton se blerësit i kishin paratë për blerjen e substancës narkotike, të cilat para i numëron edhe personalisht dhe menjëherë e merr në telefon të pandehurin H.H., me ç’rast ky i fundit duke qenë i shoqëruar edhe nga i pandehuri E.M., pas pak minutash afrohen me veturën e tyre në vendin ku ishte i pandehuri N.I., duke negociuar me blerësit për shitblerjen e substancës narkotike, me ç’rast dalin nga vetura dhe së bashku nxjerrin një qese me ngjyrë të kaltër brenda së cilës ishin 11 (njëmbëdhjetë) foli alumini me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme  prej 10,510.36 gram në vlerë prej 25,000.00 Euro (Njëzet e pesëmijë euro)”, thuhet në njoftim. 

Ata thuhet se janë arrestuar në flagrancë nga forcat e Policisë së Kosovës përveç të pandehurit H.H., i cili ishte arratisur po ishte arrestuar disa ditë më vonë. 

“Përveç tjerash, pas arrestimit të të pandehurit N.I., në vendngjarje policia arrin të sekuestrojë nga i njëjti një pistoletë të kalibrit 7.62 mm M57 së bashku me një karikator me tetë (8) fishekë brenda tij, ku pas zbatimit të urdhër kontrollit në shtëpinë e tij, gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar edhe katër (4) fishekë të pistoletës dhe pajisje për pastrimin e armës, me ç’rast duke vepruar kështu, i njejti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, thuhet se i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.