Kronikë

Arrestohet polici në Prizren, dyshohet për lëndim të rëndë të një personi

Inspektorati Policor i Kosovës IPK

Foto: Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Një zyrtar policor është arrestuar nën dyshimin se ka keqtrajtuar një qytetar në Prizren gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, duke përdorur forcë ndaj tij, si dhe për lëndim të rëndë trupor të viktimës.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit për 48-orë si dhe është suspenduar nga detyra.

Rasti ka të bëjë me ndaljen e një qytetari të dielën fillimisht për kundërvajtje në trafik.

“Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore përfshirë shikimin e video-incizimeve të kamerave të sigurisë, identifikimin e dëshmitarëve të mundshëm dhe intervistimin e zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast. Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prizren, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor që ishte përfshirë në këtë incident. Arrestimi i të dyshuarit është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ‘keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare’ dhe ‘lëndim i rëndë trupor’ kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra”, thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e incidentit.