Avokatët e Jeton dhe Nexhat Vllasaliut kanë kërkuar anulimin e dënimit me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.
Rasti është duke u trajtuar në Gjykatën e Apelit, pas ankesës së mbrojtës së vëllezërve Vllasaliu, ndaj vendimit të Themelores për burgim të përjetshëm i cili u mor në maj të këtij viti.
Kërkesa e mbrojtjes është kundërshtuar avokati i familjes së të ndjerit, Besnik Berisha.
“Arkitekti ka qenë Nexhati e ekzekutuesi ka qenë Jetoni. Ky krim është kryer në mënyrë të sofistikuar ... Dënimi me burgim të përjetshëm është më i pakti për ta”, është shprehur Berisha.
Themelorja në vendimin e saj ka konstatuar se vëllezërit Vllasaliu janë përgjegjës edhe për vrasje të rëndë në bashkëkryerje edhe për veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, që lidhet me zhdukjen e kufomës së të ndjerit.
Sipas aktakuzës, në periudhën 9 janar 2021 – 8 prill 2021, vëllezërit Vllasaliu kishin planifikuar për ta vrarë Bedri Rexhepin me qëllim të përfitimit të pasurisë. Sipas saj, viktima ishte vënë në lajthitje nga vëllezërit Vllasaliu duke ofruar për shitje dy vetura në vlerë prej 30 mijë eurosh. Më 8 prill 2021, Rexhepi kishte shkuar në shtëpinë e njërit të pandehur. Aty, sipas aktakuzës, Jetoni duke e ngufatur e ka mbytur Rexhepin, duke menduar se e ka me vete shumën e të hollave prej 30 mijë eurosh, siç ishin pajtuar për shitjen e veturave. Mirëpo, sipas aktakuzës, te viktima ishin gjetur 8 mijë euro. Vëllezërit i kishin ndarë mjetet dhe më pas e kishin dërguar kufomën në katin e tretë të shtëpisë dhe kanë provuar t’i fshijnë provat duke e varrosur.
Në aktakuzë thuhej se veturën e të ndjerit Rexhepi, Nexhat Vllasaliu e ka dërguar në arat e fshatit Shushicë të Graçanicës duke u koordinuar vazhdimisht për këto veprime me të vëllain, Jetonin.
Pas më shumë se një viti që nga vrasja, mbetjet mortore të Rexhepit ishin gjetur më 30 shtator 2022 në vendin e quajtur Mali i Madh në Vllasali të Novobërdës.