Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke hetuar vdekjen e një burri në Lipjan, i cili thuhet se sipas informatave në gjendje të dehur ka sulmuar automjete dhe kalimtarë. 

Rasti sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka ndodhur në rrugën “Haradin Bajrami” në orën e parë të së hënës.

“Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën ‘Haradin Bajrami’ në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë”, është shprehur Borovci.

Ai ka theksuar se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore dhe prokurori për krime të rënda. 

“Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Aktualisht policia po vijon hetimet  për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka shtuar Borovci.

IPK kërkon suspendimin e pesë zyrtarëve policorë lidhur me incidentin në Lipjan

2 o. më parë / 7 kor 2025 18:05
Inspektorati Policor i Kosovës IPK

Foto: Ilustrim

Photo: Driton Paçarada

Inspektorati Policor i Kosovës ka kërkuar suspendimin e pesë zyrtarëve policor lidhur me incidentin në Lipjan, ku një burrë vdiq pas arrestimit.

Përmes një komunikate IPK-ja ka thënë se në kuadër të veprimeve hetimore përfshihet edhe identifikimi dhe intervistimi i dëshmitarëve okular të këtij rasti si dhe ka filluar mbledhja e provave materiale, incizimeve nga kamerat e sigurisë dhe incizimet nga telefonat mobil.

Sipas njoftimit, që të gjitha këto video materiale do të jenë pjesë e ekzaminimeve të detajuara që pritet të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të këtij incidenti por edhe mënyrës së reagimit policor.

“Në interes të zhvillimit të hetimit, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të përkohshëm për pesë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë ndërhyrje/reagim policor (përfshirë një rreshter dhe katër zyrtarë policorë). Suspendimi i tyre është masë administrative e përkohshme dhe në këtë fazë nuk paragjykon përgjegjësinë e tyre ligjore apo profesionale. IPK në koordinim me Prokurorinë e Shtetit është duke bërë një hetim të pavarur, objektiv dhe të gjithanshëm për të përcaktuar nëse gjatë ndërhyrjes/reagimit policor janë respektuar procedurat ligjore dhe standardet profesionale të veprimit policor”, thuhet në njoftim.

IPK-ja do të hetojë reagimin policor në rastin vdekjes së burrit në Lipjan

4 o. më parë / 7 kor 2025 15:26
Policia

Foto: Ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të vlerësojë dhe hetojë reagimin policor në rastin e vdekjes së një burri në Lipjan, që ndodhi në orët e para të së hënës. 
Sipas Policisë viktima para se të vdiste në gjendje të dehur ka sulmuar automjete dhe kalimtarë. 

“Zyrtarët e Policisë së Kosovës kishin reaguar në këtë incident pas pranimit të informacionit për një person të dyshuar në rrugën ‘Haradin Bajrami’ në Lipjan i cili më vonë ishte raportuar se ka vdekur. Njësitet relevante hetimore policore si dhe prokurori kanë dalë në vendin e ngjarjes kurse trupi i pajetë i personit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. IPK në kuadër të autorizimeve ligjore, në  koordinim me Prokurorin e Shtetit do të vlerësojë dhe hetojë reagimin policor në këtë rast përderisa rasti do të trajtohet si ‘Hetim mbi vdekjen’”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë incident.