Një pjesë e kulmit të Qendrës Tregtare në Bregun e Diellit është përfshirë nga flakët pasditen e së enjtes.
Zjarrfikësit kanë ndërhyrë shpejt për të shuar zjarrin.
Malë Gashi nga zjarrfikësit në rajonin e Prishtinës ka thënë se nga zjarri është përfshirë një pjesë e kulmit, që është e mbuluar me material pleksiglas. Ai ka thënë se falë reagimit të shpejtë, zjarri është shuar dhe s’është lejuar të shpërndahet në pjesë të tjera.
“Tashmë jemi në fazën e përfundimit”, ka thënë ai për KOHËN.
Policia ka thënë se nuk raportohet për të lënduar.
E për zjarrin ka njoftuar edhe Komuna e Prishtinës.
“Reagim i shpejtë dhe shembullor! Sot, rreth orës 16:53, është raportuar për një zjarr në një pjesë të Qendrës Tregtare në lagjen Bregu i Diellit. Falë reagimit të menjëhershëm dhe profesional të Brigadës së Zjarrfikësve të Kryeqytetit, zjarri u lokalizua dhe u vu nën kontroll plotësisht deri në ora 17:15 – vetëm pak minuta pas alarmit. Një falënderim i veçantë për Zjarrfikësit tanë heroikë, të cilët me vendosmëri, përkushtim dhe profesionalizëm mbrojtën jetën dhe pronën e qytetarëve Gjithashtu, falënderojmë Policinë e Kosovës për ndihmën dhe bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë gjithë ndërhyrjes. Qyteti është më i sigurt falë jush”, ka shkruar Komuna e Prishtinës në Facebook.

