Edhe trashëgimia kulturore e historike shqiptare kishte pësuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar, i cili u mori jetën 51 njerëzve. Vetë ekspertët evropianë i kishin përfshirë 53 muze, monumente e site të ndryshme kulturore në listat me rrezikshmëri të lartë e të mesme.
40 milionë euro është shuma e ndihmës së Bashkimit Evropian që të martën iu akordua Shqipërisë për të rindërtuar dhe rehabilituar monumentet e prekura të trashëgimisë kulturore.
Të martën, me rastin e Ditës së Trashëgimisë Kulturore, në Muzeun Arkeologjik në Durrës u bë nënshkrimi i programit “EU4Culture”, i cili do të zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit (UNOPS).
Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast – ku morën pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, dhe ministri i Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj – të pranishmit e vlerësuan ndihmën e BE-së si një mundësi e rrallë për trashëgiminë kulturore shqiptare, rritjen e turizmit dhe gjallërimin ekonomik të vendit.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e ka quajtur si ditë të veçantë nënshkrimin e këtij programi pas pësimeve që patën monumentet e trashëgimisë kulturore nga tërmeti i 26 nëntorit. Ajo ka thënë se konferenca e donatorëve, në Bruksel, iu përgjigj bujarisht thirrjes së Shqipërisë për ndihmë.
“Ishte një përgjigje që tregonte solidaritet, respekt dhe besim se ndihma e tyre nuk do të shpërdorohej”, ka thënë Margariti në këtë ceremoni, që është transmetuar online në faqen e “European Union in Albania” në “Facebook”.
Ministrja e Kulturës ka thënë se edhe trashëgimia kulturore, pos nevojave imediate për strehim, shkolla e qendra shëndetësore, është një konstante e jetës së shqiptarëve.
“Tërmeti goditi edhe këtë pjesë të identitetit tonë kombëtar, e cila është një dëshmi e përkatësisë sonë evropiane”, ka thënë Margariti. “Janë monumente të një rëndësie të veçantë, të dorës së parë, e të lidhura ngushtësisht me simbolet tona kombëtare”.
Ndërsa ka shprehur falënderime për BE-në, ministrja Margariti ka bërë të ditur se ky projekt synon jo vetëm meremetime e rikonstruktime, por edhe rijetëzimin e monumenteve kulturore... (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)