Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Opera me aranzhime për dy piano kulmon me vepra shqiptare

Me solistet në piano Artemida dhe Elizabeta Qarri(Foto Arben Llapashtica)

Me solistet në piano Artemida dhe Elizabeta Qarri, programi solli ndërthurje të veprave shqiptare me ato botërore. Pas shfaqjes së operës “Goca e Kaçanikut” të Rauf Dhomit në Shkup muajin e kaluar dhe koncertit të 6 marsit, që i parapriu koncertit të së shtunës, kjo është ngjarja e tretë e Operës për këtë vit (Foto Arben Llapashtica)

Një ditë pas mbrëmjes së kombinuar midis një koncerti e akademie përkujtimore, të shtunën mbrëma në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë është mbajtur koncerti ku fokusi ka qenë në veprat për dy piano, kor e orkestër. Pothuajse gjithë programi ka qenë premierë, i punuar veçanërisht për këtë formacion dhe kjo ka qenë risia e Operës për publikun. Kjo i ka dhënë ngjarjes dimension të veçantë artistik

Në një ngjarje solemne si koncerti i mbajtur në mbyllje të tri ditëve të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jehona e ritmeve dhe vargjeve shqipe ka qenë shënim madhështor i 28-vjetorit të ngjarjes së lavdishme. Imazhi me instrumentistë e këngëtarë kryesisht të rinj të angazhuar nga Opera e Kosovës ka qenë një lloj projektimi i krenarisë, por  dëshpërimi që për gati tri dekada hapësirat e skenës së muzikës klasike janë në gjendje të mjerueshme. 

Një ditë pas mbrëmjes së kombinuar midis një koncerti e akademie përkujtimore, të shtunën mbrëma në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë është mbajtur koncerti ku fokusi ka qenë në veprat për dy piano, kor e orkestër. Pothuajse gjithë programi ka qenë premierë, i punuar veçanërisht për këtë formacion dhe kjo ka qenë risia e Operës për publikun. Kjo i ka dhënë ngjarjes dimension të veçantë artistik. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me solistet në piano Artemida dhe Elizabeta Qarri, programi solli ndërthurje të veprave shqiptare me ato botërore. Pas shfaqjes së operës “Goca e Kaçanikut” të Rauf Dhomit në Shkup muajin e kaluar dhe koncertit të 6 marsit, që i parapriu koncertit të së shtunës, kjo është ngjarja e tretë e Operës për këtë vit. 

“Për këto ditë të shënuara të Epopesë, Opera pati fatin, si institucion kryesor të jetë edhe me datë 6 me kor, orkestër dhe me dy solistet në piano, por edhe sot më datë 7 pati një orë program në përmbyllje të ditëve të Epopesë. Ku ka më mirë se të festohet me program artistik, pikërisht nga institucioni më i lartë shtetëror muzikor”, ka thënë zëvendësuesi i drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi duke bërë me dije se veprat janë porositur të adaptohen për piano nga kompozitorët Valton Beqiri, Edon Ramadani, Endri Sina e Drinor Zymberi. 

Me veprën e këtij të fundit nisi koncerti në sallën e mbushur me publik dhe përplot simbolika që bëjnë me dije për 28-vjetorin e Epopesë. 

Nga “Folk suite” u luajt pjesa “Presto” e  veprës solemne ku harqet janë të qëndrueshme dhe të palëkundura derisa frymorët, me ndërhyrje të herëpashershme e shtojnë rezistencën e tingullit. 
Pas kësaj vepre u luajt “Valle hungareze nr.1 për dy piano dhe orkestër simfonike” nga Johannes Brahms, aranzhuar nga kompozitori Kushtrim Gashi. Tema kryesore ka qenë energjike dramatike, me ritme të forta dhe karakter vallëzimi. Në këtë vepër janë ritmet hungareze. Pianot luajnë shpesh pjesë virtuoze dhe ritme energjike me kontraste dinamike.

Si vazhdimësi e kësaj natyre është sjellë edhe “Valle hungareze nr.5 për dy piano dhe orkestër simfonike” nga Johannes Brahms, gjithashtu e aranzhuar nga kompozitori Kushtrim Gashi. Vallet e famshme të Brahms theksojnë kontrastet ritmike dhe ngjyrat orkestrale. 

“Oblivion/Libertango” për dy piano dhe orkestër simfonike nga Astor Piazzola, gjithashtu aranzhuar nga Kushtrim Gashi, ka qenë kombinimi i dy veprave të njohura të kompozitorit argjentinas. Karakteri nostalgjik i veprës “Oblivion” bashkohet me enegjinë ritmike e dinamike të “Libertango”. Kësisoj u krijua kontrast i fuqishëm emocional brenda një vepre të vetme. Pianot solo dialogojnë vazhdimisht me orkestrën.

Në pjesën “Oblivion”, atmosfera është e qetë, melankolike dhe shumë lirike. Në kontrast, “Libertango” shpërthen me ritëm të fuqishëm dhe energji të gjallë.

“Meditation ‘Mimosas’ për dy piano dhe orkestër harqesh” ka qenë tejet romantike e delikate. Kjo vepër e kompozitorit shqiptar Endri Sina si dhe  “Para perëndimit” e shkruar për formacion me dy piano, kor dhe orkestër janë një pjesë e programit. E dyta ka qenë e qetë e tejet melankolike. Loja solo e një frymori së bashku me pianot janë në dialog derisa krejt instrumentet bashkohen në një atmosferë ku dominojnë tingujt e pianove të luajtura nga motrat pianiste Artemida dhe Elizabeta Qarri.
Kjo e fundit ka bërë me dije se programi është përzgjedhur për disa shije audiencash. 

“Është një program i larmishëm në aspektin stilistik. Kemi bërë përpjekje që të zgjedhin vepra për disa shije audiencash. Disa nga to janë riorkestruar nga kompozitorë, pra janë bërë enkas për dy piano dhe formacionin me kor dhe orkestër”, ka thënë pianistja Elizabeta Qarri. 

Vepra “Para perëndimit” u luajt premierë. Kompozitori Sina është shprehur se kjo vepër ka qenë një lloj befasie për të. 

“U ekzekutuan dy vepra të mia. ‘Mimosas’, një vepër e hershme e imja për piano dhe orkestër harqesh. Ma kërkuan pianistet për ta bërë për dy piano dhe u bë. Vepra tjetër ishte vepra ‘Para perëndimit’ të cilën e kisha bërë muzikë teatri. Këtu ishte premiera e saj në kuptimin e lojës drejtpërdrejt sepse për teatër e kisha bërë në studio dhe më pëlqeu shumë ekzekutimi e performanca e gjithë formacionit, veçmas dirigjentit. Sidomos vepra e dytë ishte surprizë për mua sepse ishte vërtetë premierë në kuptimin e dëgjimit të parë live nga instrumentet”, ka thënë kompozitori Sina. 

Ka thënë se e ka shijuar koncertin në të cilin repertori qe kryesisht shqiptar. 

“U kënaqa me këtë koncert sepse, jo veç pse u luajtën veprat e mia, por edhe sepse ishte gjerësisht e përfaqësuar nga muzika shqiptare. Ne në Shqipëri i kemi të rralla këto koncerte ku kemi në program shumicën vepra shqiptare, kemi mangësi në to”, ka thënë ai më tutje. 

“Baresha” ikonike e Rexho Mulliqit është sjellë në frymë unike për dy piano dhe orkestër simfonike e aranzhuar nga Edon Ramadani, i cili e ka dirigjuar koncertin. Pjesën qendrore të ritmit në këtë vepër e kanë pianot. 

Dirigjenti Ramadani ka thënë se veçori e koncertit kanë qenë orkestrimet dhe veprat premierë. 

“Shumica e veprave shqiptare kanë qenë të shkruara kryesisht për vendlindjen dhe si këngë moderne patriotike. Ia vlen të veçohet se kemi pasur shumë vepra premierë sonte, duke përfshirë edhe orkestrimet e reja të bëra enkas për këtë koncert si ‘Baresha’, triptikun, veprat e Endri Sinës ku të dyja janë adaptuar për këtë formacion. Po ashtu kishim si premierë me formacion simfonik e kor edhe ‘Fantazi...’ nga profesori Valton Beqiri. Pos repertorit shqiptar, kishim disa pika nga repertori botëror si nga Brahms dhe Piazzola”, ka thënë ai. 

Në frymë të veçantë e tejet të bukur ka aranzhuar edhe atë që mund të cilësohet si kolazh me tri vepra shqiptare të përmbledhura në “Triptik për atdheun”. Në këtë lloj kolazhi me muzikë shqiptare të aranzhuara në një të vetme nga Edon Ramadani, janë interpretuar “Rrjedh në këngë e ligjërime” dhe

“Unë, biri yt, Kosovë” nga Feim Ibrahimi si dhe “Valsi i lumturisë” nga Avni Mula me të cilin ishte mbyllur koncerti i Operës më 6 mars. 

“Baresha” ikonike e Rexho Mulliqit është sjellë në frymë unike për dy piano dhe orkestër simfonike e aranzhuar nga Edon Ramadani, i cili e ka dirigjuar koncertin (Foto Arben Llapashtica)

Edhe pjesa nga vepra “Folk suite” qe luajtur edhe në koncertin paraprak si  dhe aria “Sanctus” nga opera solemne “Gjergj Kastrioti – Skenderbeu” e Vasil Toles. Tensioni dhe dinamika nisin me fjalën e përsëritur të titullit përherë duke u ngritur. Gjithashtu në program është përsëritur edhe pjesa “Rilindjes” nga kantata “Rrugëtimi” të Valton Beqirit. Gjersa Kori këndonte, në ekranin prapa formacionit vijonin vargjet “Fjalët e qiririt”. Pjesë nga këto vargje ka interpretuar edhe Kori, përcjellë nga tensioni e dinamika që ka krijuar orkestra.

Premierë ka qenë edhe “Fantazi në dy tema” për dy piano, kor dhe orkestër nga kompozitori Valton Beqiri. Kjo vepër ka sjellë bashkimin e ndjenjës lirike dhe frymës heroike të traditës muzikore kombëtare. Tema “Mallëngjimi” e kompozitorit Rashid Krasniqi ka qenë e para që është prezantuar. Ka sjellë atmosferë të ndjeshme me emocione nostalgjie, dashurie e kujtimi për vendlindjen. Në kontrast ka qenë tema “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë” duke sjellë karakterin epik të melodisë me energji dramatike. 

Kompozitori Valton Beqiri ka vlerësuar interpretimin e ansamblit, duke theksuar përkushtimin dhe potencialin e tij artistik.

“Besoj që ata e kanë dhënë maksimumin dhe kanë dëshmuar që janë talentë. Është një ansambël i cili ka perspektivë shumë të mirë. Është në formësim e sipër, por shihet se kanë arritur nivelin e duhur. Sa u përket veprave të mia, pjesa nga kantata është interpretuar edhe më herët, disa herë. Premierë e kam pasur veprën ‘Fantazi në dy tema për dy piano, kor dhe orkestër’. Ka qenë premierë në këtë formacion, sepse më herët është realizuar vetëm me dy pianistë live. Jam i kënaqur me emocionin që ka përçuar vepra”, është shprehur kompozitori Beqiri. 

Sipas Beqirit, solistet Artemida dhe Elizabeta Qarri i kanë dhënë veprës frymën dhe emocionin e duhur, ndërsa dirigjenti Edon Ramadani ka  mbajtur rol kyç në koordinimin e komplet ansamblit.
“Solistet e kanë dhënë maksimumin dhe kanë mundësuar që vepra të ketë frymën dhe emocionin e duhur. Gjithashtu edhe falë dirigjentit Edon Ramadani i cili e ka pasur barrën më të madhe për të koordinuar korin, orkestrën e pianistet. Një dirigjent që dita-ditës po e dëshmon vlerën e tij në muzikën tonë”, ka konsideruar ai. 
Këtij koncerti i parapriu edhe homazhi në nderim të Epopesë ku mbrëmja solemne më 6 mars u shënua me fjalën e kryeministrit Albin Kurti, Zahide Jasharit nga familja Jashari dhe historianit Durim Abdullahu. Ngjarja qe konsideruar jo veç si moment rikthimi në histori, por edhe çast reflektimi, vetëdijesimi dhe zotimi.