Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Prekazi i Jasharëve me ngjyrat e tingujt e 36 orëve të luftës e qëndresës

Përmes gjuhës së artit bashkëkohor, Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vjen në ekspozitën “36 orë” si kapitull i historisë e si kujtesë e gjallë e identitetit, sakrificës dhe ëndrrave shekullore për liri (Foto: Galeria “Qahili”)

Përmes gjuhës së artit bashkëkohor, Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vjen në ekspozitën “36 orë” si kapitull i historisë e si kujtesë e gjallë e identitetit, sakrificës dhe ëndrrave shekullore për liri (Foto: Galeria “Qahili”)

Në përkujtim të 36-orëshit të Prekazit dhe bashkë me zjarrin që ndizet çdo vit në Prekaz, artistë të të gjitha trevave janë bashkuar në ekspozitën kolektive “36 orë” në galerinë “Qahili” që ndërthur pikturën, muzikën dhe forma të tjera arti. Ka sjellë një përjetim artistik të një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare. Ekspozita që i kushtohet Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është veç një prezantim artistik, por edhe udhëtim emocional nëpër kujtesën kolektive të popullit

28 vjet më parë do të shënohej një nga momentet më të rëndësishme dhe dramatike të historisë së Kosovës. Qëndresa e familjes Jashari në Prekaz më 5, 6 e 7 mars të 1998-s u kthye në moment kulmor që frymëzoi kombin. Distanca kohore nuk ka rëndësi, ngase aroma e dhimbjes e krenarisë është prezente në çdo përvjetor. Edhe sivjet kur midis përkujtimesh, arti u bë mënyrë e fuqishme për ta përkujtuar historinë dhe për të reflektuar.

Në përkujtim të 36-orëshit të Prekazit dhe bashkë me zjarrin që ndizet çdo vit në Prekaz, artistë të të gjitha trevave janë bashkuar në ekspozitën kolektive “36 orë” në galerinë “Qahili” që ndërthur pikturën, muzikën dhe forma të tjera arti. Ka sjellë një përjetim artistik të një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ekspozita që i kushtohet Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është veç një prezantim artistik, por edhe udhëtim emocional nëpër kujtesën kolektive të popullit. E konceptuar si një udhëpërshkrim i sakrificës, krenarisë dhe dhimbjes, ekspozita fillon që jashtë pragut të galerisë me zjarret e ndezura jashtë hapësirës ekspozuese. Flakët, simbol i qëndresës dhe i thirrjes për liri, e përgatisin vizitorin për një përballje të thellë me historinë.

Por edhe në hapësirën jashtë, veçse ndeshet me të. Aty janë projektuar imazhet lëvizëse të heronjve të kombit Adem e Hamëz Jashari sikurse edhe vepra e artistit Eshref Qahili – “Kosovë, gjaku im që nuk falet” e emërtuar sipas poezisë së Ali Podrimjes.

Kur publiku hyn brenda galerisë, rrëfimi vazhdon aty. Arti shndërrohet në gjuhë me të cilën artikulohet përvoja e një epoke vendimtare. Ekspozita kolektive bashkon zëra të ndryshëm të artistëve (Foto: Galeria “Qahili”)

Pjesët e veprës si mozaik skulpturash vijnë si komplet duarsh të deformuara dhe në gjendje të ndryshme.

Artisti Qahili ka bërë me dije se vepra është pjesë e një cikli krijimesh të realizuara ndër vite në forma të ndryshme artistike si vizatim, pikturë, skulpturë , dhe jo vetëm, që trajtojnë të njëjtën temë.

“Është një nga veprat e mia, është ‘Kosovë, gjaku im që nuk falet’. Është e prezantuar përjashta dhe lidhet në kuadër të atmosferës së këtyre tri ditëve. Është një punë që e kam pasur në fondin tim dhe besoj se lidhet me ngjarjen e cila ka ndodhur. Fillojmë me këtë vepër dhe pastaj hyjmë brenda të njoftohemi me veprat e shumë artistëve, studentë e të vjetër dhe nga të gjitha trevat. Është ekspozitë gjithëkombëtare”, ka thënë ai.

Për artistin Qahili, këto data mbeten ndër më të rëndësishmet në historinë kombëtare.

“Ne kemi filluar më 5, 6 dhe 7 si koncept i yni është që për këto tri ditë, 36 orë të jetë atmosfera e një feste, një homazhi për të rënët, për dëshmorët dhe për luftën e Prekazit. Për tri ditë jemi munduar të jetë një atmosferë, një përjetim ose një përshkrim i ngjarjes në mënyrë artistike. Thjesht i kam ndihmuar Nitës, është ideja e saj, thjesht jemi munduar të jemi si krah i saj për ta realizuar sa më mirë që është e munduar”, është shprehur Qahili.

Kur publiku hyn brenda galerisë, rrëfimi vazhdon aty. Arti shndërrohet në gjuhë me të cilën artikulohet përvoja e një epoke vendimtare. Ekspozita kolektive bashkon zëra të ndryshëm të artistëve. Secili ka qasjen e vet estetike dhe emocionale. Ndonëse disa prej temave janë të lidhura drejtpërdrejt me ngjarjen e të tjera shfaqin përditshmërinë e sotme, të gjitha lidhem në një bosht të përbashkët: kujtimi i rezistencës dhe i sakrificës së heronjve të fundshekullit.

Vepra e artistit Arbnor Morina ngjan në abstrakte e mbështjellë në kombinimin midis ngjarave të errëta dhe të ngrohta. Por jo krejt e tillë del të jetë.

“Qielli që zbret poshtë dhe malet që, në formën si i kam kompozuar malet në zjarr, dritën duke dalë prapa dhe qielli duke zbritur poshtë është si përplasje e qiellit me tokën dhe në mes është 36-orëshi ynë i historisë sonë moderne. Mendoj që është një prej datave shumë të rëndësishme tonat që ne e kujtojmë me një ekspozitë kolektive, me instalacion e me muzikë”, ka thënë artisti Morina, duke bërë me dije se veprën e ka punuar veçanërisht për këtë ekspozitë.

“Kam marrë pjesë me këtë pikturë që e kam punuar enkas për këtë temë, për 36-orëshin dhe Natën e Zjarreve. Titulli është ‘Një natë e gjatë për një mëngjes të ri’ sepse drama që është krijuar në këto 36 orë, realisht përtej dramës, përtej tragjedisë e dhimbjes, është shndërruar në identitetin tonë, në forcë, në dritë dhe në fuqinë tonë të rezistencës”, ka thënë ai.

Flakët, simbol i qëndresës dhe i thirrjes për liri, e përgatisin vizitorin për një përballje të thellë me historinë. Por edhe në hapësirën jashtë, veçse ndeshet me të. Aty janë projektuar imazhet lëvizëse të heronjve të kombit Adem e Hamëz Jashari sikurse edhe vepra e artistit Eshref Qahili – “Kosovë, gjaku im që nuk falet” e emërtuar sipas poezisë së Ali Podrimjes (Foto: Galeria “Qahili”)

Punimet e ekspozuara eksplorojnë dimensione të ndryshme të kësaj historie. Vepra e Marigona Qenës ka projektuar dhimbjen në reflektimin e një syri që loton. Është dhimbja e një syri që sheh shkatërrimin e djegien e gjithçkaje që kishte një grua e moshuar.

Eliza Hoxha ka sjellë fotografinë me imazhin e protestës së grave “Bukë për Drenicën” më 16 mars të 1998-s, e organizuar në shenjë solidariteti ndaj krizës humanitare dhe represionit ushtarak që ndodhte.

Vepra abstrakte e Gemb Xërxës kur ekspozohet në një ngjarje të tillë, e bën publikun të shihet me një tjetër sy. Sipërfaqja me pikëza të imëta ngjyre që dominohet nga e kuqja dhe e zeza, ngjall idenë e një mbledhjeje masive njerëzish që valëvitin flamuj kombëtarë. Por një kolonë objektesh vertikale ngjajnë në arkivole, duke çuar mendjen në fotografinë ikonike nga varrimi i viktimave nga Masakra e Reçakut.

E vepra e Erëmirë Muratit apo “Orange Girl” ka ardhur krejt ndryshe në këtë ekspozitë. Vjen me një vepër me ngjyra të zymta që ilustron dhimbjen nëpërmjet vajtimit të grave të moshuara.

Në ekspozitë janë edhe veprat e artistëve Abdyl Abdyli, Adriana Nimani-Kutllovci, Agron Mulliqi, Albiona Maksuti, Anita Statovci, Artina Dragusha, Arton Behrami, Avni Demiri, Axherko Mezelxhiu, Azra Mustafa, Bardha Buza, Bardha Meta, Besa Mati, Blinera Ibishi, Burhan Yilmaz, Diona Ramadani, Dussi Sadriji, Emona Deda, Eni Kqiku, Enver Hoxhaj, Erjon Osmanaj, Ermira Murati, Erona Krasniqi, Erza Musliu, Faton Mazreku, Genc Rezniqi, Hajrie Dedej, Indrit Çitaku, Jalldeze Mustafa, Jehona Ajradini, Karanfile Haxhi, Laura Ja hiri, Leon Gashi, Lirije Bulliqi, Lis Nagavci, Lumjeta Havolli, Marigona Qenaj, Matilde Majed, Meris Llozhani, Merita Myderrizi, Mimoza Simnica, Sihana Sejfullai, Taki, Tina Sulejmani, Valbona Gashi, Violeta Hoxha, Vjosa Bujari Maliqi, Ylli Ivaja, Zana Ramadani, Zeni Ballazhi dhe Anastasia Martin.

Punimet e ekspozuara eksplorojnë dimensione të ndryshme të kësaj historie. Vepra e Marigona Qenës ka projektuar dhimbjen në reflektimin e një syri që loton

Veprat e krejt këtyre, i ka shoqëruar instalacioni zanor me muzikë nga emra të shquar të muzikës si Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha, Muharrem Qena e shumë të tjerë. Muzika është e miksuar me zhurmën e breshërive të plumbave dhe kjo ka simbolikë.

“Pas gjithë asaj hallakame, kur po i dëgjojmë pushkët midis këngëve, është ai konotacioni që lidhet që ka qenë lumturia e harmonia, ka nisur lufta. Pa marrë parasysh asaj i kemi rezistuar. E njëjta formë është të reflektohet edhe brenda punimeve. Ka punime që e tregojnë në formë të drejtpërdrejtë atë që kemi përjetuar por ka edhe punime që aspak nuk e tregojnë atë, por e tregojnë një moment specifik që e kemi pasur, e kemi ose do ta kemi”, ka thënë kuratorja e ekspozitës, Nita Qahili.

Derisa ka folur për rëndësinë e trajtimit të temës së luftës me art, ka thënë se prej gjithë ditëve të vitit, 5, 6 e 7 marsi janë prej më të rëndësishmeve të popullit.

“Sepse janë tri ditë ku gjithçka ka bërë jehonë, gjithçka ka ndërruar sa i përket historisë sonë. Si shoqëri, nuk mendoj se gjithmonë i falënderohemi në mënyrë të duhur gjithë atyre të cilët janë flijuar dhe kanë përjetuar në mënyrë të drejtpërdrejt luftën. Është një formë për të qenë falënderues, që ta ndërron komplet qasjen, sepse nuk ke ardhur deri këtu vetëm. Është një formë për ta ruajtur identitetin. Me anë të artit, kulturës, ruhet historia. Me anë të historisë, e ruajmë identitetin tonë. Nëse nuk jemi falënderues për këtë, atëherë nuk di çfarë të them”, ka thënë Qahili.

Përmes gjuhës së artit bashkëkohor, Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vjen në ekspozitën “36 orë” si kapitull i historisë e si kujtesë e gjallë e identitetit, sakrificës dhe ëndrrave shekullore për liri.