Njëvjetori i premierës së saj botërore, shfaqjen “Prishtina – vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” e gjen në Austri. Produksioni i teatrit “Multimedia” me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Blerta Nezirajt, do të jepet të enjten në Graz, në kuadër të “Dramatiker:innenfestival” që mbahet prej 26 deri më 31 maj 2026. “Verflechten”, që në shqip i bie “ndërlidhje” është tema e edicionit të sivjetmë. “Prishtina...”, ndërlidhet fort me natyrën e festivalit, i cili ndër të tjera i jep peshë teatrit të angazhuar. “Dramatiker:innenfestival”, tashmë ka hyrë në dekadën e dytë.
Lajmin për shfaqjen e Kosovës në Austri e ka dhënë “Multimedia” nëpërmjet njoftimit për media. Aty jepen edhe të dhëna për ngjarjen. Shkruhet se “është një festival ndërkombëtar i dramaturgjisë bashkëkohore dhe teatrit eksperimental, që mbledh autorë dhe trupa nga vende të ndryshme”. “Ai prezanton shfaqje të reja, lexime dhe formate artistike inovative, duke u konsideruar një platformë e rëndësishme evropiane për teatrin bashkëkohor”, shkruhet në njoftim.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Prishtina…” është pjesë e programit ndërkombëtar të teatrit që trajton tema të qytetit, kujtesës dhe marrëdhënies së njeriut me hapësirën urbane. “Shfaqja fokusohet në rrëfimin për arkitektin Rexhep Luci dhe transformimin e Prishtinës pas luftës. Shfaqja krijon një hapësirë reflektimi mbi rëndësinë e arkitekturës, planifikimit urban dhe trashëgimisë kulturore në zhvillimin e qytetit të Prishtinës. Ajo sjell një qasje bashkëkohore, duke u ndërlidhur me realitetin në Kosovë dhe më gjerë, ku ndërtimet pa leje po i bëjnë hapësirat urbane gjithnjë e më të ngjeshura dhe më pak të jetueshme”, shkruhet në njoftim për shfaqjen në të cilën luajnë Adrian Morina, Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi, Verona Koxha dhe Afrim Muçaj. Përmes kësaj perspektive, shfaqja fiton një dimension universal, “duke ftuar publikun të rishqyrtojë marrëdhënien dhe përgjegjësinë kolektive ndaj qytetit ku jetojmë dhe mënyrës se si ai zhvillohet”. E, këtë do ta bëjë në mesin e 20 shfaqjeve sa sjell “Dramatiker:innenfestival” krahas më shumë se 10 konferencave e punëtorive.
“Prishtina – vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” ka marrë vlerësime të ndryshme në shtypin ndërkombëtar, ajo është shfaqur me shumë sukses në Kosovë dhe jashtë saj.
Në Prishtinë, u dha premierë botërore në majin e vjetëm.
“Është shfaqja për vrasjen e arkitektit e të qytetit. Përgjigjet e rrethanave se si e çfarë, gjenden në imazhin e kryeqytetit sot. ‘Prishtina – vrasja e paralajmëruar e një ëndrre’ me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Blerta Nezirajt, nuk është vetëm homazh për arkitektin Rexhep Luci. Është alarm se si një qyteti iu vra arkitekti e bashkë me të edhe ëndrra e tij në qytetin të cilit i është vrarë shpirti. Dëshmitë: ngrehinat që çojnë krye përditë, thirrja e kahershme e arkitektit se njerëzit do të jetojnë si minjtë midis pisllëkut, dorëzimi përballë mafisë së ndërtimit dhe heshtja përballë një realiteti të paralajmëruar”, kishte shkruar “KOHA Ditore” pas premierës.
Në 11 shtatorin e vitit 2000 kur vizionari i Prishtinës do të qëllohej me gjashtë plumba pas shpine derisa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë. Vrasja e arkitektit Rexhep Luci vlerësohet si pasojë e kundërshtimit që bënte ndaj ndërtimeve ilegale në Prishtinën e pasluftës. Dyshohet se vrasja e tij ishte planifikuar shumë kohë më parë. Kur u vra kishte qenë 58 vjeç. Për vrasjen e Rexhep Lucit kishte shkruar edhe prestigjiozja “The Guardian”. “Detyrat e Lucit përfshinin nënshkrimin e urdhrave për prishjen e ndërtesave të paligjshme. Në kohën e vrasjes së tij, departamenti ishte në proces të prishjes së një kompleksi hotelesh. Kolegët thanë se Luci ishte kërcënuar dy herë në dhjetë ditët e fundit”, raportonte “The Guardian”. E kjo pjesë është përfshirë edhe në shfaqjen “Prishtina”.
“Qyteti u vra me vrasjen e Rexhep Lucit”, thuhet në shfaqje.
Dramaturgu Jeton Neziraj pas premierës kishte thënë se shfaqja ka dimension artistik, por edhe njerëzor. Se komunikon në mënyrë të sinqertë me publikun për problematikën që sot preokupon.
“Shfaqja i ka dy nivele, një lloj prerje të Prishtinës së periudhës së pasluftës, kaosit të asaj kohe dhe mbi të gjitha flet për Prishtinën sot. Për pasojat e atij kaosi, atyre vendimeve, pasojat edhe të vrasjes së Rexhep Lucit. E thonë edhe aktorët që ka qenë një lloj dige e cila kur është larguar, ka vërshuar shkatërrimi dhe kjo që e kemi sot në Prishtinë e në Kosovë”, kishte thënë Neziraj.
Kishte përmendur se drama është një lloj versioni i ri i shfaqjes me tekst të tij “Pesë stinët e armikut të popullit” dhënë premierë më 24 shtator të vitit 2019 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
“Më shumë ka rezonuar e korresponduar me dramën e Ibsenit – ‘Armiku i popullit’. Ndërsa tash kemi konsideruar që duhet të flasim për Prishtinën sot, por duke iu referuar asaj periudhe të pasluftës, duke e marrë si shkak vrasjen e Rexhep Lucit”, kishte shpjeguar dramaturgu Neziraj në fund të shfaqjes.