Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Treni – në kufi ndërmjet tmerrit dhe lirisë” për shpresën që s’vdiste

Treni

“Treni...” shpalos histori të cilat publiku nuk i ka dëgjuar apo lexuar më parë. Kryesisht janë udhëpërshkrime të grave. Këto 19 rrëfime plotësojnë një pjesë të mozaikut të kujtesës së luftës. Thuajse të gjitha i lidh treni...

Libri “Treni – në kufi ndërmjet tmerrit dhe lirisë” i përuruar të martën në Prishtinë, sjell dëshmi unike të atyre që u deportuan me forcë nga Kosova. “Treni” shndërrohet në simbol vuajtjesh, betejash për mbijetesë e ky botim shndërrohet në dokument përjetimesh nga lufta e vitit 1999. “Është libër për frymëmarrjen e ndalur, për duart që nuk u ndanë, për shpresën që nuk pranoi të vdiste. Ky libër është përpjekje për të dokumentuar, për të mos harruar, për të shëruar”, ka thënë Eliza Hoxha, hulumtuese kryesore për këtë libër

Kur Bukurie Gjonbalaj mezi zinte vend, gjatë natës së parë të bombardimeve kishte dalë në ballkon. Përderisa forcat ajrore të NATO-s duhej t’i përdornin avionët bombardues për të ndalur spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë, forcat serbe do të shumëfishonin terrorin. Gjonbalaj po vëzhgonte se si forcat serbe po tërhiqnin zvarrë një të vrarë nëpër rrugët e Prishtinës. Më vonë do të merrte vesh se bëhej fjalë për rojën e atëhershme të “Kohës Ditore”, i cili pësoi në natën e 24 marsit, vetëm pse po bënte punën e tij.

Një tjetër episod i Gjonbalajt – e cila ka karrierë ndërkombëtare, përfshirë titullin e ambasadores së Kosovës në Romë për gjashtë vjet – është ai kur gjatë ditëve të bombardimeve të NATO-s, forcat serbe bllokuan hyrjen e kompleksit banesor ku ajo jetonte e vetme ato ditë. Telefoni do t’i cingëronte, si për të dhënë kumt se brenda asaj banese ishte dikush që komunikonte me botën. Fati deshi që ai grup vrasësish të mos ia thyenin derën. Pas disa ditësh në Prishtinë, Gjonbalaj, nëpërmjet trenit, do të dilte në Stankovec e më pas në Tetovë e Shkup.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Këto peizazhe të një rrëfimi të gjatë të saj në librin “Treni– në kufi ndërmjet tmerrit dhe lirisë” janë historia e saj e deportimit. Në këtë botim ka edhe shumë të tjerë. Në përgjithësi, deportimi është njëfarë skenari që s’dallon në vija të trasha, por secili rrëfim është histori më vete. Pushteti serb synonte zbrazjen e Kosovës dhe ato ditë u deportuan afro një milion banorë. Nga njëra anë, ata qenë me fat, pasi nuk u vranë si rreth 10 mijë civilë, faji i vetëm i të cilëve ishte përkatësia etnike. Ishin shqiptarë.

Në botimin e organizatës “Integra”, me hulumtuese kryesore Eliza Hoxhën, fshihen histori të cilat publiku nuk i ka dëgjuar apo lexuar më parë. Kryesisht janë udhëpërshkrime të grave. Këto 19 rrëfime plotësojnë një pjesë të mozaikut të kujtesës së luftës. Thuajse të gjitha i lidh treni si mjet që në fillim të viteve ’40 u përdor për t’i shpërngulur e më pas vrarë hebrenjtë. Ndërsa më 1999 u përdor nga forcat serbe për t’i larguar shqiptarët nga shtëpitë e tyre në Prishtinë.

Për librin që është financuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe “Rockefeller Brothers Fund”, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se flet për njerëzit.

“Këto nuk janë histori të largëta. Ato janë përvoja të jetuara. Dhe për shumë njerëz, ato mbeten shumë afër edhe sot. Prandaj, bashkimi i këtyre zërave ka rëndësi. Sepse kujtesa nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën. Ajo ka të bëjë gjithashtu me dinjitetin, njohjen dhe respektin në të tashmen. Për një kohë të gjatë, shumë nga këto histori nuk u treguan, ose nuk u dëgjuan plotësisht. Ky libër ndihmon për ta ndryshuar këtë”, ka thënë ai. Sipas tij, adresimi i trashëgimisë së konfliktit mund të ndihmojë në ndërtimin e besimit, forcimin e kohezionit social dhe mbështetjen e institucioneve gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse.

“Ky libër është një kontribut i rëndësishëm. Për kujtesën. Për dialogun. Dhe për mirëkuptimin”, ka thënë ambasadori Jonathan Hargreaves.

Hulumtuesja kryesore e librit, Eliza Hoxha, para të pranishmëve ka lexuar parathënien e veprës të titulluar “Lumi i njerëzve dhe stacioni i padëshiruar”. Ajo e ka nisur atë me faktin se dikur autoritetet e kryeqytetit kanë bërë mbulimin e lumenjve urbanë Vellusha dhe Prishtevka.

“Prilli i vitit 1999 e riktheu metaforën e lumit në një dimension tjetër: qyteti u shndërrua në një lumë njerëzish të dëbuar, të shoqëruar nga heshtja dhe tensioni i një hapësire urbane të zbrazur”, ka thënë ajo.

Libri bashkon pak nga ngjyrat e luftës së fundit në Kosovë. Veç ballina bën dallimin, pasi aty është përdorur edhe ngjyra e kuqe, ndërsa brendësia është krejt bardhë e zi, ashtu sikurse edhe historia e atyre
 

Sipas saj, deportimi i qytetarëve të Kosovës, i organizuar nga strukturat ushtarake dhe paramilitare serbe pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, e zhvendosi funksionin e trenit prej një mjeti udhëtimi e transporti në një instrument kontrolli dhe deportimi të qytetarëve të Kosovës nga toka e tyre. Ajo ka treguar se treni nuk vinte në Prishtinë që nga vitet ’80. Por, sipas saj, ironikisht treni erdhi sërish në Prishtinë në fund të viteve ’90 me një qëllim të vetëm: për ta zbrazur atë nga qytetarët. Më pas është ndalur te disa nga copëzat e rrëfimeve të përfshira në libër.

“Është libër për frymëmarrjen e ndalur, për duart që nuk u ndanë, për shpresën që nuk pranoi të vdiste. Ky libër është përpjekje për të dokumentuar, për të mos harruar, për të shëruar. Tregimet e trenit të deportimit nuk janë vetëm kujtime të së kaluarës; ato janë udhëzues i një përgjegjësie: që brezat e rinj të kuptojnë se çfarë ndodh kur dhuna kthehet në politikë dhe kur njerëzit reduktohen në turmë pa emër”, ka thënë ajo. Sipas Hoxhës, duke hapur faqet e librit bëhet një akt kujtese dhe një premtim ndaj vetes.

“Që historia të mos mbulohet, si lumenjtë e Prishtinës. Në fund, metafora e lumenjve –  atyre të varrosur nën qytet dhe atyre të përbërë nga turmat e njerëzve – na kujton se historia, sado të përpiqemi ta mbulojmë, gjen gjithmonë mënyra për të dalë në sipërfaqe”, ka thënë ajo.

Gjatë ceremonisë së promovimit të botimit, disa aktorë kanë lexuar pjesë nga rrëfimet e refugjatëve.
Me ilustrime nga Mentor Berisha, që krijojnë lumenj njerëzish që s’dinë ku po i dërgojnë dhe nuk e kanë idenë se çfarë do të ndodhë me ta, libri bashkon pak nga ngjyrat e luftës së fundit në Kosovë. Veç ballina bën dallimin, pasi aty është përdorur edhe ngjyra e kuqe, ndërsa brendësia është krejt bardh e zi, ashtu sikurse edhe historia e atyre ditëve.