Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Artan Grubi vetëdorëzohet, dërgohet në paraburgim

Artan Grubi

Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, u është dorëzuar autoriteteve maqedonase të hënën pas më shumë se një viti arrati. BDI-ja ku bënte pjesë Grubi, para se të hiqte dorë nga politika shkaku i sanksioneve amerikane e ka mirëpritur dorëzimin e tij, ndërsa VLEN-i që është partner koalicioni i Qeverisë thekson se kthimi i tij do t’i çojë para përgjegjësisë penale edhe persona të tjerë të BDI-së

Pas më shumë se një viti qëndrim në arrati, ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, iu dorëzua autoriteteve maqedonase në pikën kufitare Hani i Elezit në Bllacë. 

Nga gjysma e dytë e dhjetorit të 2024-tës deri në 23 shkurt 2026, Grubi besohet se ndodhej në Kosovë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe është marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit Publik. 

Grubi dyshohet për abuzim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”. 

Në këtë rast përfshihet edhe Përparim Bajrami, i cili po ashtu përmendet në aktakuzë si i dyshuar. 
Në Maqedoni kanë plasur reagime të shumta. 

Bashkimi Demokratik për Integrim, partia ku bënte pjesë Grubi, para se të hiqte dorë nga politika shkaku i sanksioneve amerikane e ka mirëpritur dorëzimin e tij.  

“Bashkimi Demokratik për Integrim e vlerëson pozitivisht vendimin e Artan Grubit për t’u kthyer në vend, duke krijuar kështu mundësinë që përmes një procedure transparente, të drejtë dhe të paanshme të paraqiten të gjitha argumentet në dispozicion dhe të sqarohen të gjitha çështjet. Presim që procesi të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta të sundimit të ligjit: para së gjithash, me një nivel të lartë transparence, në përputhje me interesin publik; por mbi të gjitha, me respektim të plotë të prezumimit të pafajësisë dhe me mbrojtje të të drejtave dhe lirive individuale”, thuhet në reagimin e BDI-së. 

VLEN-i që është partner koalicioni i Qeverisë së Hristian Mickoskit ka reaguar duke shprehur pritshmëri se kthimi i Grubit do t’i çojë para përgjegjësisë penale edhe persona të tjerë të BDI-së.  

“Kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së më në fund është dorëzuar. Artan Grubi është pjesëmarrës dhe ekzekutor i të gjitha marrëveshjeve të errëta të BDI-së. Prandaj, BDI po dridhet nga frika se nuk e dinë se për çfarë është gati të flasë Artan Grubi. Pasi BDI humbi në mënyrë katastrofale në zgjedhjet lokale dhe të gjitha premtimet e rreme të Ahmetit për zgjedhje të parakohshme dhe hyrje të supozuar në qeveri dështuan, Artani nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përballet me mëkatet e veta. Por cilin do ta ngreh me vete, mbetet për t’u parë”, ka deklaruar subjekti politik VLEN. 

Brane Petrushevski deputeti i VMRO-DPMNE-së është shprehur i gëzuar duke thënë se më në fund mishërimi i krimit dhe korrupsionit të LSDM-së e BDI-së po përballet me drejtësinë.  

“Tani ai mund të paraqesë të dhëna për aferat dhe krimet për të cilat ka punuar së bashku me Zoran Zaevin, zëvendësin e Zaevit, Oliver Spasovskin dhe Venko Filipçen. Pikërisht për këtë arsye LSDM-ja po përpiqet të mbulojë gjurmët dhe në këtë mënyrë të shpëtojë veten”, është thënë në reagimin e VMRO-së, përcjellë REL. 

E nga LSDM-ja e kanë thënë se kthimi i Grubit është bërë me marrëveshje politike, në mënyrë që të shpërqendrohet opinioni nga skandali i kontrabandimit të pesë tonëve kanabis nga Maqedonia në Serbi.  

“Qëllimi është shpërqendrimi politik dhe mbrojtja e Qeverisë. Në këtë mënyrë, VMRO-DPME-ja, me mbështetjen e BDI-së, dëshiron të fsheh skandalin më të madh të drogës me 5 tonë narkotikë, që çon në krye të Qeverisë së [Hristijan] Mickoskit. Si ka mundësi që nuk ka pasur asnjë kamerë për pesë tonë drogë dhe ka kamera për Grubin? Qeveria po e vë nën kontroll gjyqësorin dhe Prokurorinë, rastet e Prokurorisë Speciale së po shkatërrohen, tani është momenti i duhur që Grubi të dorëzohet”, ka thënë zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska. 

Në Kosovë ka pasur heshtje pas dorëzimit të Grubit në Hanin e Elezit. 

As Ministria e Punëve të Brendshme e as Policia e Kosovës nuk kanë treguar nëse nuk kanë mundur ta gjejnë Grubin institucionet e Kosovës apo nuk kanë pasur vullnet politik që ta dorëzojnë atë. 

Pretendimi i prokurorisë në Shkup është se dëmi që ai dhe gjashtë të dyshuarit e tjerë ia kanë bërë buxhetit publik të Lotarisë është 8,2 milionë euro në procese tenderuese. 

Si rezultat i dyshimeve për korrupsion ai është edhe në listë të zezë të Departamentit amerikan të Shtetit.