Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike, dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku. Ajo ka theksuar se pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin, dhe ka kërkuar zgjedhje të brendshme partiake. Bajramit i ka reaguar Abdixhiku, por pa ia përmendur emrin. E ka thumbuar atë, duke theksuar se LDK-ja nuk është reagim i çastit, as protagonizëm i ditëve të vështira, e “edhe më pak vendim i rrjeteve sociale e duartrokitjeve të kundërshtarëve”
Para se të hynte në takimin joformal të kryesisë së ngushtë të Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami paralajmëroi të martën se ka formësuar qëndrimin pas rezultatit zhgënjyes të partisë në zgjedhjet e parakohshme. Ajo tha se do ta bëjë publik pas takimit.
Por, qëndrimin nuk e publikoi menjëherë. Atë e bëri të ditur rreth një orë pasi KOHA raportoi të mërkurën se Bajrami ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së LDK-së, dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Bajrami shkroi në Facebook se LDK-ja si në fitore, ashtu edhe në humbje, ka ndërtuar dhe zbatuar standarde.
“Dje në mbledhjen e LDK-së kam kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të z. Abdixhiku nga pozita e kryetarit të LDK-së, si standard i vendosur nga vetë LDK-ja. Duke respektuar të njëjtin standard, kam ofruar dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet të marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme”, ka shkruar Bajrami.
Pas takimit të së martës, Abdixhiku ka thënë se dorëheqjen do t’ia paraqesë Kuvendit të partisë dhe se anëtarët pastaj do të vendosin.
Por, Bajrami ka thënë se dorëheqja duhet të jetë e pakthyeshme.
“Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin prandaj duhet zgjedhje të brendshme. Zgjedhjet e brendshme në LDK janë të domosdoshme dhe nga situata ku gjendemi nuk na shpëton asnjë proces tjetër”, ka shkruar Bajrami.
Pak kohë pas deklarimit të saj, ka reaguar Abdixhiku.
Ai ka thënë se më shumë se dorëheqja nuk ka çfarë të ofrojë, por nuk i është referuar edhe dorëheqjes së pakthyeshme, që ka qenë kërkesë e Bajramit.
“Kam dëgjuar dhe jemi dëgjuar me njëri-tjetrin me vëmendje. Çdo zë, çdo kritikë dhe çdo shqetësim, me orë të tëra. Pesë orë e gjysmë. Në fund kemi dalë me përgjegjësi të plotë dhe me dinjitet para qytetarëve për të shprehur jo mendimin e një individi, as timin, por të shumicës dërmuese, ashtu siç u pajtuam pas pesë orë diskutimi. Nuk i shmangemi asnjë përgjegjësie dhe nuk i ikim asnjë reflektimi. Unë, edhe më pak”, ka shkruar ai. “Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së”.
Në reagimin e tij, Abdixhiku ka theksuar se nuk është i lidhur pas pozitës.
“Jam i lidhur pas shtëpisë. Dhe shtëpia ruhet me rregull, me dinjitet dhe me besim në anëtarësinë e saj dhe në secilën kërkesë të tyre. Më shumë se dorëheqja nuk ka çfarë të ofrojë një politikan. Eliminimet politike mund të jenë legjitime si aspiratë, por edhe për to vendos anëtarësia si tërësi, jo ne individualisht”, ka theksuar Abdixhiku. “Kemi thirrur Kuvendin. Aty flasim hapur. Aty propozojmë hapur. Aty vendosim hapur. Le ta presim Kuvendin. Le ta mbajmë debatin para shtëpisë sonë, me orë të tëra, me ditë të tëra po qe nevoja. Jemi të njohur për demokraci dhe liri veprimi. Le të sillemi me përgjegjësi”.
Ai në postim ka thumbuar Bajramin, duke theksuar se LDK-ja nuk është reagim i çastit, as protagonizëm i ditëve të vështira, e “edhe më pak vendim i rrjeteve sociale e duartrokitjeve të kundërshtarëve”.
“Ta keni të qartë. Jo sot, jo dje po gjithherë: Fatin tim politik e vendos përballë LDK-së, jo mbi LDK-në. Dhe çfarëdo vendimi që merr Kuvendi, do ta respektoj me nder dhe qetësi”, ka shkruar Abdixhiku. “Deri atëherë, le të sillemi si mbrëmë e si deri tash, pa dramë e pa protagonizëm, ballëhapur e me dinjitet. Sepse mbi çdo emër është LDK. Dhe kështu na takon të gjithëve”.
E, Bajrami në postimin që konfirmon lajmin për dorëheqjen, ka theksuar se do të vazhdojë të punojë për LDK-në dhe për interesin e vendit, si deputete e zgjedhur në mandatin e shtatë në Kuvendin e Kosovës, brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.
“LDK-ja ka nevojë për reflektim, përgjegjësi dhe vizion për të ardhmen, sepse e fortë i duhet Kosovës”, ka shkruar ajo. “Edhe njëherë, falënderoj 126 mijë e 102 qytetarë që kanë votuar LDK-në dhe 57 mijë e 153 gra e burra që ma kanë besuar angazhimin tim politik”.
Në zgjedhjet e fundit, LDK-ja ka siguruar vetëm 13.23 për qind të votave, 5 pikë të përqindjes më pak se në zgjedhjet e shkurtit të 2025-tës.
Në legjislaturën e dhjetë, LDK-ja do të përfaqësohet me 15 deputetë, 5 më pak se në parapraken. Nga kandidatët e LDK-së, Bajrami u rendit e dyta me 57 mijë vota.