I akuzuari për vrasjen në një qendër tregtare në Podujevë, ku viktima ishte në prani të bashkëshortes dhe fëmijës, ka mohuar rolin e tij në këtë ngjarje tragjike. Arsim Syla akuzohet se ka nxitur të birin e tij, atëkohë të mitur, të kryejë vrasjen më 2023
Arsim Syla, i akuzuar lidhur me vrasjen e qytetarit me inicialet V.B. në një qendër tregtare në Podujevë, më 2023, ka mohuar se ka pasur ndikim, rol e pjesëmarrje në këtë rast.
Sipas Prokurorisë, Syla akuzohet se pas një konflikti të mëhershëm, tani me të ndjerin V.B., ka porositur djalin e tij të mitur në atë kohë, ta privojë nga jeta viktimën.
Por pretendimet e Prokurorisë i ka mohuar i akuzuari Syla gjatë dhënies së mbrojtjes së tij të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Jam largu para se me ndodh gjithçka. Kur kam shku në shtëpi e kam pa një patrullë të policisë, aty e kam marrë vesh pasi ma kanë bastisë edhe shtëpinë”…, ka thënë Syla.
Sipas aktakuzës, në ditën tragjike, i pandehuri Syla e ka orientuar djalin e tij të mitur L.S., në drejtim të viktimës V.B., i cili iu vu në ndjekje, ndërsa vetë i akuzuari vazhdoi të dalë nga objekti.
Këtë pretendim të organit të akuzës e ka kundërshtuar Syla.
“Nuk e çon fëmijën drejt një krimi, nuk ia shkatërron jetën…”, ka thënë ai.
I pyetur nëse e ka njohur paraprakisht viktimën, i akuzuari Syla u shpreh se nuk e ka njohur deri më 2022.
“Jo nuk e kam njohur deri më 2022..”, ka shtuar ai.
Sipas aktakuzës, në momentin kur tash i ndjeri V.B. bashkë me bashkëshorten e tij L.S. dhe fëmijën, arritën te sektori i produkteve të qumështit, i mituri L.S. iu afrua nga mbrapa dhe shtiu dy herë në drejtim të viktimës.
Arsim Syla ngarkohet se në bashkëkryerje me të miturin L.S., kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.