Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Konjufca: Mungon mirëbesimi për t’u kthyer në dialog

Glauk Konjufca

Foto: Driton Paçarada

Pa u dënuar kryesit e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, nuk ka mirëbesim për t’u kthyer në dialog me Serbinë, ka thënë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, gjatë pritjes që ia bëri homologut të tij belg, Maxime Prevot. E, Prevot ka thënë se përparimi në dialog është i domosdoshëm për rrugën evropiane të Kosovës. Në konferencën pas takimit, Konjufca ka bërë edhe një akuzë për ish-ndërmjetësin e dialogut, Miroslav Lajçak

Për t’u kthyer në dialogun me Serbinë mungon mirëbesimi, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë takimit me homologun e tij nga Mbretëria e Belgjikës, Maxime Prevot, të enjten.

Konjufca ka thënë se Serbia ka luajtur vazhdimisht rol destruktiv duke shkatërruar çdo arritje që është bërë në kuadër të dialogut, nga përpjekjet e Kosovës dhe të BE-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai ka përmendur sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe atë në kanalin e Ibër Lepencit dhe ka thënë se vetëm dënimi i kryesve të këtyre sulmeve mund të kthejë atmosferë minimale mirëbesimi për dialog me Serbinë.

“Nuk po lypi diçka krejt të jashtëzakonshme, por po them minimale. Minimale e mirëbesimit është që kryesit e këtij akti terrorist në Banjskë, të cilët e vranë Afrim Bunjakun, këta duhet me përfundu në burg. Këta duhet me qenë prapa grilave. Këta nuk mund të jenë njerëz kryesorë në Serbi edhe dora e djathtë e Vuçiqit qysh janë sot, edhe qysh i shohim sot që veprojnë në Serbi. Kjo është elementare, kjo është bazike”, ka thënë Konjufca.

E sipas ministrit belg, përparimi në procesin e dialogut është i domosdoshëm jo vetëm për stabilitetin në rajon por edhe për rrugën evropiane të Kosovës.

“Përparimi i vazhdueshëm drejt normalizimit kërkon vëmendje të qëndrueshme për uljen e tensioneve, veçanërisht në veri, shmangien e veprimeve të njëanshme, mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve dhe forcimin e besimit përmes negociatave të besueshme. Këto përpjekje janë themelore për rrugën evropiane të Kosovës”, ka thënë ministri belg Prevot.

Gjatë konferencës, Konjufca ka akuzuar ish-ndërmjetësin e dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që, sipas tij, e pati vendosur pandershëm formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si parakusht për anëtarësim të shtetit në Këshillin e Evropës.

“Në KE nuk ka pasur konditë që është me e themelu Asociacionin, këtë na e ka qitur në shpinë Lajçaku në mënyrë jomeritore për të mos thënë të pandershme, edhe këtë term bën ta përdorim në rastin e tij. A hiqet kjo? Duhet të na ndihmojnë miqtë tanë për t’u hequr kjo. Se vetëm një konditë elementare ka qenë në KE, ka qenë Manastiri i Deçanit”, ka thënë Konjufca.

Në këtë proces Belgjika ka premtuar mbështetjen e saj të plotë.

“Meqë jemi te Këshilli i Evropës, unë do të avokoj në mënyrë aktive për anëtarësimin tuaj, jo në të ardhmen, por tani, në çdo kohë”, ka thënë Prevot.

Ndërkaq për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, që Kosova ende nuk e ka marrë, Prevot ka theksuar se kjo pasqyron realitetin politik brenda bllokut, por ka shtuar se do të angazhohet aktivisht në këtë drejtim.

Ministri belg gjatë ditës ka takuar edhe kryeministrin Albin Kurti dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

“Në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe me Belgjikën, ku kemi një mërgatë të mirë-integruar, jemi të interesuar të thellojmë bashkëpunimin ekonomik dhe të krijojmë lehtësira të tjera. Brukseli si kryeqytet i trefishtë është qendër tejet e rëndësishme për Republikën e Kosovës. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është prioritet i yni strategjik dhe avancimi i aplikimit, nëpërmjet dhënies së statusit të shtetit kandidat, duhet të jetë hapi i radhës në këtë drejtim. Krahas kësaj, Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë, e angazhuar dhe e përkushtuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO”, ka shkruar Kurti pas takimit me ministrin belg.

Për përkrahjen e Belgjikës, ministrin Prevot e ka falënderuar edhe Haxhiu.

“Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, si dhe kontributi i rëndësishëm i mërgatës sonë në Belgjikë në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftimin e Presidencës.