Shoqata Sindikale e shkollës “Pavarësia”, Këshilli Drejtues dhe Këshilli i Prindërve kanë mbajtur një grevë dyorëshe, një ditë pasi që Policia e ka arrestuar një mësimdhënës të kësaj shkolle nën dyshimin për dhunë ndaj një nxënësi. Mësimdhënësit kanë thënë se videoja e publikuar nuk e pasqyron të gjithë ngjarjen dhe kanë kërkuar mbrojtje institucionale. Në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prishtinë kanë thënë se janë në pritje të raporteve zyrtare për të vendosur për hapat e mëtejmë
Stafi i shkollës fillore “Pavarësia” në Prishtinë ka mbajtur grevë dyorëshe të martën në shenjë proteste ndaj sjelljes të disa nxënësve, një ditë pasi që Policia e ka arrestuar një mësimdhënës të kësaj shkolle nën dyshimin për dhunë ndaj një nxënësi.
Mësimdhënësi i shkollës është vënë në ndalim prej 48 orësh, pasi në një videoxhirim të publikuar në rrjete sociale shihet tek e godet një nxënës.
Sipas kolektivit të mësimdhënësve, videoja e publikuar në rrjete sociale paraqet vetëm momentet e fundit të incidentit dhe se ajo “nuk e pasqyron rrjedhën e plotë të ngjarjes”.
Ardit Ukaj, i cili është përfaqësues i shoqatës sindikale të shkollës, ka thënë se dhuna nuk ka vend në shkolla, porse e ka theksuar nevojën për mbrojtje institucionale të mësimdhënësve.
“Kërkojmë qasje serioze dhe të koordinuar institucionale kundër këtij fenomeni sepse sistemi aktual ligjor dhe mekanizmat ekzistues disiplinor nuk po ofrojnë zgjidhje efektive në rastet kur nxënësi fyen apo sulmon mësimdhënësin fizikisht. Kjo situatë krijojnë ndjenjë pasigurie dhe mungesë mbrojtje për stafin arsimor”, ka thënë ai gjatë grevës të së martës.
E përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK) kanë kërkuar nga organet e drejtësisë që të ndërmerren masa edhe ndaj prindërve që ushtrojnë dhunë në shkolla.
Mësimdhënësit kanë paralajmëruar edhe protesta të tjera në rast se nuk ndërmerren masa konkrete.
E në disa shkolla të tjera në kryeqytet kanë shprehur solidaritet me mësimdhënësit në “Pavarësia”, duke e ndërprerë procesin mësimor për dy orë.
Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.
“Andaj në këtë drejtim, prokuroria dhe organet e tjera përkatëse janë duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore. Prokurori brenda afatit ligjor do të vlerësoj kërkesën për parashtrim ndaj gjykatës kompetente për sigurimin e ndonjë prej masave ndaj të pandehuri”, ka theksuar ajo.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, ka thënë se është në pritje të një raporti të detajuar nga drejtoria e shkollës për të ndërmarrë masa.
“Ende nuk kemi masa duke qenë se raporti është në pritje të vjen nga drejtoria e shkollës. E rëndësishme është që aktualisht mësimdhënësin nuk e kemi fizikisht në shkollë. Edhe po të ishte i lirë nga institucionet e drejtësisë, i njëjti do të qëndronte larg procesit mësimor në suspendim të menjëhershëm derisa të qartësohen rrethanat”, ka thënë Shahini.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka theksuar se dhuna, në çfarëdo forme dhe nga cilido që vjen, është e papranueshme.
“Ka mekanizma të mjaftueshëm, aspekti ligjor është në rregull. E gjithë ajo që duhet është që të zbatohet në plotësi legjislacioni, por mbi të gjitha të punohet edhe në parandalim. Tani duhet të cekim se edhe roli i pedagogut, psikologut është jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm”, ka theksuar Nagavci.
Të hënën janë publikuar incizime në rrjetet sociale, në të cilat shihet mësimdhënësi duke e goditur nxënësin e klasës së nëntë.