Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Ecja e dobishme kundër tensionit të lartë të gjakut

Ecja

Ecja

Ecja e përditshme është një nga mënyrat më të thjeshta dhe më efektive për të përmirësuar shëndetin e zemrës dhe për të ulur tensionin e gjakut.

Ekspertët theksojnë se aktiviteti fizik, sidomos ai aerobik, ka ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e zemrës dhe enëve të gjakut, ka shkruar EatingWell.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Si ndikon ecja në tensionin e gjakut?

Ul tensionin e gjakut

Studimet tregojnë se ecja 3-5 herë në javë, me intensitet mesatar për të paktën 20 minuta, mund të ulë ndjeshëm tensionin e gjakut.

“Ushtrimet e rregullta mund ta ulin tensionin e gjakut me 5 deri në 10 për qind”, ka shpjeguar doktoresha Joyce Oen-Hsiao.

Pra nëse dikush e ka tensionin e gjakut 130 mund të bjerë deri në rreth 120-123.

Kjo është shumë domethënëse, sepse sipas doktoreshës, edhe një ulje prej 5 për qind “lidhet me më pak rrezik për probleme serioze si infarkti apo sulmi në tru”.

Përmirëson shëndetin e enëve të gjakut

Ecja nuk ul vetëm shifrat, por përmirëson edhe vetë enët e gjakut.

“Kur arteriet janë të forta, zemra duhet të punojë më shumë. Ecja i bën ato më fleksibile, duke ndihmuar që tensioni të qëndrojë më i ulët në mënyrë natyrale”, ka thënë doktoresha Michelle Cardel.

Kjo ndodh sepse ecja rrit prodhimin e një substance në trup që ndihmon enët e gjakut të relaksohen dhe të qarkullojnë më mirë gjakun.

Ndihmon në mbajtjen e peshës trupore

Ecja ndihmon në rënien në peshë ose në mbajtjen e një peshe të shëndetshme.

“Rënia edhe e 5-10 për qind të peshës trupore mund të sjellë ulje të ndjeshme të tensionit të gjakut”, ka thënë Oen-Hsiao.

Kur trupi ka më pak peshë, zemra nuk ka nevojë të punojë aq fort për të pompuar gjakun.

Ul stresin

Ecja, sidomos ajo e shpejtë, çliron hormone që të bëjnë të ndihesh mirë dhe ul stresin.

“Ajo ndihmon në uljen e hormonit të stresit dhe qetëson sistemin nervor. Si rezultat, tensioni i gjakut stabilizohet më lehtë”, ka thënë kardiologu Phillip Perrinez.

Ndikon edhe në faktorë të tjerë rreziku

Tensioni i lartë shpesh shoqërohet me probleme të tjera si niveli i lartë i yndyrës së dëmshme në gjak, sheqeri në gjak dhe mbipesha. Ecja i përmirëson të gjitha këto njëkohësisht.

Sa duhet të ecësh në ditë?

Rekomandohet të bësh rreth 150 minuta aktivitet fizik në javë, që do të thotë rreth 30 minuta ecje në ditë, të paktën 5 ditë në javë.

Ecja duhet të jetë me ritëm të shpejtë, pra të ndiesh që frymëmarrja përshpejtohet dhe rrahjet e zemrës rriten pak.

Sa i përket hapave 10,000 hapa në ditë është objektiv i mirë, por sipas doktorëve edhe 7,000 hapa në ditë sjellin përfitime të mëdha edhe 500-1,000 hapa më shumë në ditë bëjnë diferencë.

Lajmi i mirë është se nuk ka nevojë t’i bësh të gjitha përnjëherë, mund t’i ndash në disa shëtitje gjatë ditës.

Këshilla për të filluar

-Fillo ngadalë dhe rrit ritmin gradualisht

-Mos rrit njëkohësisht edhe distancën edhe shpejtësinë

-Vish këpucë të rehatshme

-Ec me dikë për motivim

-Bëje ecjen argëtuese, duke dëgjuar muzikë