Lifestyle

Mënyrat e reja për humbje peshe që po rekomandohen nga ekspertët

Ushqimi

Ushqimi

Në fillim të vitit, shumë njerëz mendojnë për energjinë, ushqimin dhe peshën.

Por ndryshe nga dietat e shpejta të së kaluarës, qasjet moderne për humbje peshe bazohen në shkencë dhe funksionimin real të trupit, ka shkruar SheerLuxe.

Ekspertët theksojnë se hormonet, shëndeti i zorrëve, stresi, gjumi dhe masa muskulore ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si trupi reagon ndaj ushqimit.

Për këtë arsye, sot flitet gjithnjë e më pak për “vetëkontroll” dhe gjithnjë e më shumë për mbështetje të personalizuar.

Qasja e personalizuar po zëvendëson dietat klasike

Ekspertët pajtohen se nuk ekziston një metodë që funksionon për të gjithë.

Nutricionistja Kim Pearson ka thënë se problemet me peshën shpesh lidhen me faktorë të padukshëm si hormonet, stresi kronik apo problemet me tiroiden.

“Njerëzit e dinë çka është ushqimi i shëndetshëm, por shpesh problemi është më i thellë se njohuria”, ka thënë ajo. Programet e personalizuara fokusohen te humbja e dhjamit, jo e muskujve, si dhe te përmirësimi i gjumit, energjisë dhe tretjes, elementë të rëndësishëm për rezultate afatgjata.

Mendësia, stresi dhe shëndeti i zorrëve kanë rol vendimtar

Trajnerja Georgia Heins ka theksuar se humbja e peshës nuk ka të bëjë vetëm me kalori.

“Kjo nuk është çështje vullneti, por të kuptuarit se çfarë i nevojitet trupit, si nga ana hormonale ashtu edhe mendore”, ka thënë ajo.

Ekspertët paralajmërojnë se stresi i vazhdueshëm rrit nivelin e kortizolit dhe e bën humbjen e peshës shumë më të vështirë.

Po ashtu, shëndeti i zorrëve dhe balanca e nivelit të sheqerit në gjak luajnë rol të rëndësishëm në kontrollin e oreksit dhe dëshirave për ushqim.

Alternativa më të buta ndaj injeksioneve për humbje peshe

Ndërsa injeksionet GLP-1, që në të vërtetë janë ilaçe të diabetit, janë bërë shumë të përhapura, gjithnjë e më shumë njerëz po kërkojnë alternativa më të buta dhe jo-invazive.

Suplementet që mbështesin metabolizmin, programet e shkurtra për rivendosjen e energjisë dhe qasjet që ndihmojnë trupin të rregullojë oreksin në mënyrë natyrale po shihen si hapa të parë më të qëndrueshëm.

Sipas ekspertëve qëllimi nuk është humbja e shpejtë e peshës, por krijimi i kushteve që trupi të punojë në favorin tuaj.