Lifestyle

Një shëtitje e gjatë në ditë është më e mirë për zemrën sesa disa të shkurtra

Shëtitja

Shëtitja

Një studim i publikuar në revistën “Annals of Internal Medicine” tregon se një shëtitje e vetme, por më e gjatë ditës, është shumë më e dobishme për zemrën sesa disa shëtitje të shkurtra, sidomos për ata që nuk ushtrojnë rregullisht, ka raportuar BBC.

Sipas hulumtimit, të ecësh pa ndalur për të paktën 15 minuta është ideale për zemrën. Kjo përkthehet në rreth 1,500 hapa radhazi, që mjaftojnë për t’i dhënë trupit një “ushtrim të mirë kardio”.

Shumë njerëz përpiqen të arrijnë shifrën e famshme prej 10,000 hapash në ditë, por në fakt ajo vjen nga një reklamë japoneze, jo nga ndonjë bazë shkencore. Megjithatë, ekspertët pajtohen se sa më shumë të ecësh, aq më mirë për shëndetin.

Çfarë zbuloi studimi?

Studiuesit analizuan të dhënat e 33,560 të rriturve të moshës 40–79 vjeç në Britani, të cilët bënin më pak se 8,000 hapa në ditë. Ata u ndanë në grupe sipas kohëzgjatjes së ecjeve të tyre gjatë një jave:

-më pak se 5 minuta – 43 për qind

-5 deri në 10 minuta – 33.5 për qind

-10 deri në 15 minuta – 15.5 për qind

-15 minuta ose më shumë – 8 për qind

Pas tetë vjetësh përcjelljeje, u pa se personat që ecnin në periudha më të gjata kishin rrezik më të ulët për sëmundje të zemrës sesa ata që ecnin shpesh, por në intervale të shkurtra.

Edhe ata që ishin më pak aktivë, nën 5,000 hapa në ditë, përfitonin shumë nga një shëtitje më e gjatë: rreziku i sëmundjeve të zemrës dhe vdekjes ulej ndjeshëm.

Studiuesit nga Universiteti i Sidneit dhe Universidad Europea në Spanjë theksojnë se rezultatet mbetën të qëndrueshme edhe pasi u morën parasysh faktorë si duhanpirja, pesha e tepërt apo niveli i lartë i yndyrës së dëmshme në gjak.

E rëndësishme nuk është vetëm sa ecni, por si ecni

“Shpesh i kushtojmë gjithë rëndësinë numrit të hapave apo sasisë totale të ecjes, por harrojmë rolin e rëndësishëm të mënyrës ‘si’ ecim. Ky studim tregon se edhe njerëzit shumë pak aktivë fizikisht mund të përmirësojnë shëndetin e zemrës thjesht duke ecur më gjatë njëherësh, idealisht për të paktën 10-15 minuta”, ka shpjeguar profesori Emmanuel Stamatakis, bashkautor i studimit.

Eksperti britanik Kevin McConway, profesor i statistikave në Open University, ka shtuar se studimi tregon një lidhje mes ecjes dhe shëndetit të zemrës, por nuk provon domosdoshmërisht se ecja është shkaku direkt i përmirësimit.

Sa duhet të ecim?

Sipas udhëzimeve të NHS (Shërbimi Kombëtar Shëndetësor i Britanisë), të rriturit duhet të bëjnë 150 minuta aktivitet të moderuar në javë, si ecje e shpejt, të shpërndara përgjatë ditëve.

Ndërsa të moshuarit mbi 65 vjeç këshillohen të lëvizin çdo ditë, qoftë edhe me lëvizje të lehta brenda shtëpisë.

“Ushtrimi ndihmon çdo njeri të jetojë më gjatë, më lumtur dhe më shëndetshëm. Për ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, aktiviteti fizik mund të ndihmojë në menaxhimin e gjendjes dhe të përmirësojë mirëqenien e përgjithshme. Në fillim mund të duket e vështirë, por trupi përshtatet me kohën, dhe çdo përpjekje e vogël ka vlerë”, Emily McGrath, infermiere e lartë në Fondacionin Britanik të Zemrës.

Si të ecni në mënyrë të sigurt

Nëse ecni ose cikloni në mbrëmje apo në kushte me ndriçim të dobët:

-vishni rroba reflektuese ose përdorni një elektrik dore apo dritë koke për t’u bërë më të dukshëm;

-qëndroni të vëmendshëm ndaj trafikut dhe mjedisit përreth;

-përdorni korsitë ose shtigjet e dedikuara, dhe gjithmonë kaloni në vendkalime të përcaktuara.